Prej 3 vitesh, emisioni “Uniko” nga Spartak Koka në Klan Plus ka trajtuar historinë e zhdukjes pa gjurmë të 35-vjeçarit Riku Beu, i njohur edhe me emrin Tauland Beu apo Shyqyri Beu.

Nga hulumtimet e deritanishme, “Uniko” ka zbuluar se dyshohet që Riku Beu të ketë qenë i përfshirë në një grup të trafikut të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Maqedoninë e Veriut. Riku është parë për herë të fundit në Shkup, dhe kalonte kufirin ilegalisht pasi është në kërkim nga policia shqiptare. Kjo për shkak se një makinë të cilën ai e kishte në përdorim, u gjet një sasi lënde narkotike.

Kjo makinë ka qenë në pronësi të Keu Pikut, një 23-vjeçar nga Elbasani, i cili ka folur për emisionin “Uniko” dhe ka sqaruar pozicionin e tij.

Në intervistën me drejtuesin e emisionit Spartak Koka, Kei Piku pranon se një vit më parë makinën ja kishte dhënë për disa ditë Riku Beut pasi me të ka lidhje shoqërore. Ai thotë se pasi Riku i ktheu mjetin, brenda u gjetën 11 kg kanabis nga policia. Për këtë arsye ai u shoqërua dhe u mor në pyetje. Por më pas u la i lirë.

Kei Piku thotë gjithashtu se Riku Beu i ka një borxh edhe prej 5 milionë Lekësh të vjetra, ndërsa mohon që të njohë miqtë e Riku Beut në Maqedoninë e Veriut.

Spartak Koka: Ju në çfarë rrethanash e njihni Riku Beun, apo i njohur zyrtarisht me emrin Tauland Beu, pasi ai ka patur dhe një emër tjetër të mëparshëm, Shyqyri Beu.

Kei Piku: Kam qenë njëherë në plazh para 2 vjetësh në Spille, kam qenë në një lokal dhe më ra bateria e makinës. Punonte aty edhe erdhi më ndihmoi me makinën e vetë, i mora numrin e telefonit, i thashë jam nga Elbasani. Kur të vish në Elbasan do të jap një kafe meqë më ndihmove. Erdhi në Elbasan pas një jave, 10 ditësh, me gjithë një shokun e vetë një qeros, nuk e njihja. I kam dhënë një drekë në Labinot, pas asaj i dhashë numrin e telefonit dhe krijuam si tip shoqërie. Merrnim në telefon, përshëndeteshim, kaq.

Spartak Koka: Në cilin vit jeni njohur? Para sa vitesh?

Kei Piku: Ka 2 vjet.

Spartak Koka: Shoku i vetë qeros ishte nga Kavaja, nga Kryevidhi?

Kei Piku: Nuk e di me thënë të drejtën.

Spartak Koka: Ju i keni mbajtur marrëdhëniet shoqërore përgjatë dy viteve që ju pretendoni se njiheni me të?

Kei Piku: Po, deri në Shtator-Tetor të vitit të kaluar.

Spartak Koka: Në Qershor të vitit të kaluar, vitit 2019, sipas të dhënave që ne kemi dhe asaj që ne hulumtuam pak për Tauland Beun, rezulton që ai ishte në kërkim nga strukturat e policisë së Elbasanit, pasi më 11 Qershor 2019, në një automjet në të cilin është gjetur një sasi droge, është gjetur dhe pasaporta e Tauland Beut dhe kishte dyshime të arsyeshme se Tauland Beu ishte i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike, veçanërisht kanabisit me qëllimin trafikimin drejt Maqedonisë. Në të njëjtin automjet u gjet dhe pasaporta juaj. Është e vërtetë?

Kei Piku: Po e vërtetë është.

Spartak Koka: Dhe për pasaportën tuaj ju u morët në pyetje për disa orë dhe më pas u latë i lirë me pretendimin se nuk kishte prova të mjaftueshme të cilat ju implikonin ju në këtë ngjarje. Çfarë dini dhe çfarë mund të na thoni për këtë episod dhe për këtë ngjarje?

Kei Piku: Riku kishte ardhur dhe 2-3 herë më parë, ja kisha dhënë dhe 2-3 herë makinën. Se më vinte me arsye jo do çoj babin në spital, jo do çoj gocën në spital në Tiranë. Edhe atë ditë kishte ardhur dy ditë para më kishte marrë makinën. Tha do iki deri në spital.

Spartak Koka: Ju ja jepnit makinën me qira apo për përdorim?

Kei Piku: Jo thjesht në mënyrë miqësore për përdorim. Edhe më erdhi këtu në Elbasan më duhen 2 milionë Lekë, më duhet edhe makina në qoftë se ke mundësi. I thashë për çfarë i do? Më duhet të çoj babin në spital, babin e mamin nuk e mbaj mend mirë. Mirë i thashë, i dhashë edhe lekët edhe makinën. Me sa mbaj mend ja kam dhënë në datë 8 Qershor dhe e kam marrë më datë 10. Një ditë para se të kapej makina, e kam marrë në telefon në datë 10 i kam thënë kur do vish se më duhet makina. Nesër më tha mua do ta sjell. Të nesërmen që ka ndodhur ajo gjë, ma ka parkuar makinën përpara pallatit, këtu te biznesi im se kam palestër, ma ka parkuar makinën këtu para dhe ka ardhur policia. Unë aty lart kam pasur vëllain duke punuar elektricist se po bënte ca punime në palestër, edhe erdhi policia tha kush e ka këtë makinën. Ne e kemi, tha vëllai.

Spartak Koka: Për cilën datë bëhet fjalë?

Kei Piku: Datë 11. Ka ardhur policia atje, ka marrë vëllain në pyetje me gjithë dy shokë të mi, edhe elektriçistin që kam pasur aty te palestra. Nuk i nxorrën, i çuan në Prokurori, pas 2 javësh dolën. U faktua që te makina kishte 11 kile hashash. Edhe dolën shenjat e Rikut të gjitha, makina ishte e Rikut, i thanë që s’e kemi pasur ne makinën, e ka pasur Riku.

Spartak Koka: Pra, vëllai juaj u arrestua për dy javë.

Kei Piku: Po për dy javë, shokët e mi për 1 muaj. As emrat nuk ja kam ditur, këta emrat që po thua ti Tauland Beu dhe Shyqyri Beu unë nuk i di, unë e njoh vetëm me emrin Riku. Më nxorrën mua dhe vëllain e madh na kanë nxjerrë në kërkim, morën në pyetje pastaj edhe çdo gjë në rregull se s’kemi asnjë lidhje.

Spartak Koka: Në këtë moment, ju a tentuat si lidhje shoqërore e Riku Beut, ta kontaktonit ta pyesnit çfarë është kjo drogë në makinën time dhe çfarë ka ndodhur. T’i kërkonit shpjegime se çfarë kishte ndodhur, pra për pjesën e drogës.

Kei Piku: Jam munduar shumë, por dy muaj nuk jam lidhur dot. Nga Shtatori më ka marrë vetë në telefon, nga data 4 apo 5 Shtator, më tha jam në Maqedoni, të kërkoj falje për atë që të kam bërë, kështu i kisha rrethanat, kështu i kisha gjërat. Çfarë të them unë i thashë, ne i kemi mbyllur hallet tona, shif hallet e tua.

Spartak Koka: Sa para ju detyrohej Riku Beu ju?

Kei Piku: Njëherë i kam dhënë 2 milionë Lekë, njëherë 3 milionë Lekë, 5 milionë Lekë. Dhe më tha po s’të ktheva lekët do të jap një tokë që kam në Spille.

Spartak Koka: Keni insistuar për t’i marrë lekët tuaja mbrapsht?

Kei Piku: Kam ikur vetëm një herë tek shtëpia e Rikut, kam qenë me një robin tim, e kam lënë në makinë, kam zbritur vetë, i kam rënë derës së shtëpisë dhe ka dalë e ëma me nusen. I kam thënë përshëndetje, jam një i njohur i Rikut, i thashë dua një kontakt të Rikut se më detyrohet ca lekë. Sa lekë tha? I thashë 5 milionë lekë. Tha ne nuk kemi kontakte fare me Rikun se Riku nuk merr fare në telefon. Nuk e dimë ku është. Në rregull i thashë, mirë u pafshim. I hipa makinës, ika.

Spartak Koka: A keni kërcënuar ju ata se ju do ta vrisnit Riku Beun në rast se nuk dorëzonte menjëherë paratë të cilat ju kishte borxh?

Kei Piku: Jo jo asnjëherë.

Spartak Koka: Jeni i sigurt për këtë?

Kei Piku: 1 milion përqind.

Spartak Koka: Javën e kaluar ne intervistuam një person i cili pretendon se është lidhje shoqërore e Riku Beut. Bëhet fjalë për Elham Abdilovski. Një person i cili është shqiptar i Maqedonisë dhe i cili pretendon se ju njeh dhe ju personalisht dhe deklaroi se ai ishte kërcënuar dhe Riku Beu ishte kërcënuar nëpërmjet telefonit por dhe ai personalisht se në rast se nuk do ktheheshin lekët, do i vrisnit.

Kei Piku: Nuk e njoh fare, vetëm një herë e kam takuar këtë Elhamin në Elbasan. Ka qenë me Rikun i kishte kapur policia. I kishte ndaluar policia rrugore këtu në autostradë edhe i kishte vënë një gjobë 20 mijë Lekë.

Spartak Koka: Ju nuk keni mbajtur më kontakte me Elham Abdilovskin?

Kei Piku: Asnjëherë, vetëm një herë i kam shkruajtur për të më dhënë numrin e Rikut.

Spartak Koka: Kur i keni shkruajtur?

Kei Piku: Nuk e mbaj mend.

Spartak Koka: Po personi i cili ju thatë që i keni dhënë drekë Riku Beut ishte qeros, bëhet fjalë për të njëjtin person? Qeros është dhe Elham Abdilovski?

Kei Piku: Jo jo, se Elhamin e mbaj mend si fytyrë.

Spartak Koka: Shtetasi i fundit i cili ka kontaktuar me Rikun në Shkup dhe ka qenë në lokal, është Berat Shabani. Mos është ky personi të cilin ju keni kontaktuar?

Kei Piku: Hera e parë që e dëgjoj si emër, nuk e njoh këtë.

Spartak Koka: Çfarë ju lidh juve drejtpërdrejt me Maqedoninë?

Kei Piku: Kam ca miq të mi në Maqedoni, shkoj ha ndonjë darkë, ndonjë drekë, asnjë gjë më tepër.

Spartak Koka: Miqtë në ç’rrethana i keni njohur dhe çfarë ju lidh apo thjesht lidhje shoqërore?

Kei Piku: Lidhje shoqërore.

Spartak Koka: Në Shkup në të njëjtën periudhë është zhdukur dhe një person tjetër. Është Petar Andovski, është një person i cili siç pretendohet dhe në disa informacione që ne kemi marrë nga kolegët tanë në Maqedoni të cilët kanë kontaktuar me autoritetet shtetërore, pretendohet se është lidhje shoqërore e juaja dhe e Riku Beut, dhe e Elham Abdilovskit. Çfarë keni për të deklaruar?

Kei Piku: Nuk e njoh fare as këtë Petërin. Hera e parë që e dëgjoj si emër.

Spartak Koka: Nuk e keni parë, nuk e keni kontaktuar në asnjë lloj mënyre?

Kei Piku: Asnjëherë, hera e parë që e dëgjoj si emër.

Spartak Koka: As në rrethana të tërthorta?

Kei Piku: Fare, hera e parë sot që e dëgjoj si emër.

Spartak Koka: Çfarë ju lidh ju me zhdukjen e Riku Beut apo Tauland Beut?

Kei Piku: Nuk e di fare, kam që në Shtator-Tetor që i kam shkëputur kontaktet. Në Tetor jam munduar shumë që ta gjej të më kthente lekët, është e pamundur, nuk e kam gjetur dot. Edhe që ateherë s’jam marrë më, më ndodhi edhe incidenti im, edhe s’jam marrë më. Kam qenë jashtë shtetit, kam dy muaj që kam ardhur, mund të kem ardhur nga data 12-13-14 Mars. Më ka shkruajtur njëherë nusja e Rikut, më ka shkrujtuar në Facebook, që di ndonjë gjë se nuk ka kontaktuar fare. I kam shkrujtuar fare, i kam dhënë dy emra të tjerë që t’i pyeste ajo, shokë që ka pasur Riku që unë i di, i kam dhënë emrin, i kam thënë flisni me ata se mund ta dinë se ata janë nga Shkupi, mua mos më pyet, nuk e di.

Spartak Koka: Kur jeni vënë në dijeni se Riku Beu është zhdukur dhe nuk ka asnjë lloj gjurme as nga familja, as nga asnjë person tjetër?

Kei Piku: Nga emisioni “Uniko”.

Spartak Koka: Keni marrë vesh më përpara se të transmetohej në emisionin “Uniko” se një kufomë është gjetur i vrarë dhe i groposur në periferi të Shkupit rreth 20 kilometra larg.

Kei Piku: Asnjëherë se s’më lidh gjë me këto gjëra.

Spartak Koka: A jeni i gatshëm ju t’ju përgjigjeni të gjitha pyetjeve që mund të kenë autoritetet shtetërore shqiptare dhe maqedonase për të sqaruar pozicionin tuaj në raport me disa persona që janë bërë lidhje shoqërore të drejtpërdrejta të Riu Beut, siç ishte shtetasi Elham Abdilovski?

Kei Piku: I gatshëm jam direkt, nuk bëhet fjalë.

Spartak Koka: A jeni ju pjesë e një grupi të përbashkët kriminal me aktivitet nga Shqipëria në Maqedoni dhe anasjelltas me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike me destinacion final vendet e BE?

Kei Piku: As më ka lidhur ndonjëherë jeta me këto lloj pune. Kurrë në jetë.

Spartak Koka: Po atentati që është bërë ndaj jush, keni dijeni se kush e ka bërë dhe kush e ka sponsorizuar?

Kei Piku: Jo fare.

Spartak Koka: A keni marrë përgjigje nga autoritetet shtetërore çfarë është bërë për identifikimin e autorëve?

Kei Piku: Fare, atë e di shteti nuk e di unë.

/klanplus