Raportim Live
18:46, 23 Tetor 2024

Avokati i Metës: Do ta ankimojmë masën e sigurisë, arrestimi është politik

Avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj, tha se masën e sigurisë “arrest në burg” do ta ankimojnë.

Duke folur jashtë dyerve të GJKKO pas përfundimit të masës së sigurisë, Gjokutaj u shpreh se “arresti në burg” është vendim politik ndaj Metës si një nga liderët e opozitës.

“Është lideri i dytë opozitar dhe arsyeja e arrestimit të tij është me këtë cilësi. Ky është vendim i paralajmëruar. Në ato volume nuk ka asgjë. Ne bëmë mbrojtjen tonë. Ky është vendim politik që ne e prisnim dhe do ndjekim rrugën e ankimit sepse kjo është rruga që na garanton ligji”.

Sa i përket tensioneve në seancë gjatë paradites dhe tonit të lartë të zërit nga ish-Presidenti Meta që iu drejtua prokurorëve, avokati Gjokutaj u shpreh: “Meta nuk e humbi qetësinë. Toni i lartë, argumenti, e vërteta thuhet me zë të lartë. Është në të drejtën e tij”. LEXO MË SHUMË

18:40, 23 Tetor 2024

Momenti kur Ilir Meta dërgohet në paraburgimin 313, simpatizantët e presin jashtë gjykatës

18:36, 23 Tetor 2024

Kryemadhi: Avokati të kërkonte “arrest me burg” për mua dhe “detyrim paraqitje” për Metën

Pasi gjykata la në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për ish-Presidentin Ilir Meta dhe “detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi, kjo e fundit ka dhënë një prononcim për mediat.

Gjatë fjalës së saj, ajo ka treguar dhe bisedën që ka pasur me avokatin Gjokutaj, të cilit sipas saj i ka thënë se është “jo serioz” pasi duhet të kishte kërkuar “arrest me burg” për të dhe “detyrim paraqitje” për Ilir Metën.

Monika Kryemadhi: I thashë Gent Gjokutajt që ti je avokat jo serioz sepse duhej të kërkoje “arrest me burg” për mua dhe “detyrim paraqitje” për Ilir Metën sepse në 167 faqe janë veprat e mia për të cilat aludohet se akuzohet Ilir Meta. Unë kam qenë edhe ndërmjetësuesja që e kam prezantuar me filanin apo filanen. Nuk ka lidhje Ilir Meta. Ilir Meta ka qenë kryetar Parlamenti, ka qenë President. Këto janë absurditete që i kanë ngritur. Unë ja kërkova dhe Prokurorisë se kjo çështje duhet të ishte e ndarë.

Prokuroria ishte shumë provokative. Të jemi të sinqertë sepse të më pozicionosh në një sallë ku ne jemi në konflikt të hapur, është për të na provokuar dhe për të bërë shoë. Ka pyetur Prokuroria Eglantina Gjermenin, Edi Ramën për telefonin tim? Kam përshtypjen se e kanë thirrur Edi Ramën, i kanë parë mesazhet bashkë me Edi Ramën tek telefoni im, u janë kujtuar kohët e vjetra, i është kujtuar edhe se që e kemi gënjyer Ilir Metën për të bërë Erion Veliajn kryetar bashkie.

Pyetje: Ju e keni paracaktuar Erion Veliajn si kryetar bashkie? Pra, emrin e tij në listë?

Monika Kryemadhi: M’u thaftë goja dhe dora bashkë.

E pyetur se a do i dërgojë ushqime ish-bashkëshortit të saj në qeli, Monika Kryemadhi tha se Ilir Meta nuk pranon asgjë nga ajo.

18:35, 23 Tetor 2024

Gjykata lë në burg Ilir Metën, Kryemadhi: Nuk kishim shpresa se do të kishte ndonjë ndryshim

Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-Presidentin Ilir Meta, si dhe “detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi.

Pas vendimit të Gjykatës në një prononcim për mediat deputetja e Partisë së Lirisë e njëkohësisht ish-bashkëshortja e Ilir Metës, u shpreh se nuk kishin shpresa se do të kishte një ndryshim në këtë vendim.

Kryemadhi theksoi se qëndrimi i saj në Gjykatë ka qenë se Ilir Meta nuk ka asnjë lidhje me akuzat ndaj tij.

Monika Kryemadhi: Është qesharake, dhe po ta shikoni e gjitha është që të mos kandidojë Erisa Xhixho, Monika, Ilir Meta e tjer. Nuk kishim shpresë që mund të kishte ndryshim. Është ajo që thashë më parë, drejtësia e kastruar, e vështirë është për gjyqtarët që të dalin kundër vendimit të Prokurorisë sepse ju e dini që prokuroria siç intimidon njerzit do të intimidojë edhe gjyqtarët, kështu që nuk kishim ndonjë shpresë. Ato që kishim për t’jua thënë ua tham në sy dhe nuk e ngrinin dot kokën...Lexo më shumë

18:11, 23 Tetor 2024

Gjykata ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-Presidentin Ilir Meta, si dhe “detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi. Sipas Klan News, Meta do të dërgohet në paraburgimin “313”.

Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Për të njëjtën dosje janë nën hetim edhe Pirro Xhixho dhe Ema Çoku, ndaj të cilëve gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

17:20, 23 Tetor 2024

Gjykata është tërhequr për vendim, për 30 minuta bëhet shpallja e masave të sigurisë ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, deputetes Monika Kryemadhi, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut.

14:54, 23 Tetor 2024

Vijon seanca, Dumani del nga salla e gjyqit

Në këto momente kreu i SPAK, Altin Dumani ka dalë nga salla për shkak të një takimi me përfaqësues të ambasadës britanike.

Në seancë vijojnë prokurorët Arben Kraja dhe Sotir Kllapin. Ndërkohë ish-Presidenti Ilir Meta po jep shpjegime. Raportohet se seanca është duke vijuar me tone të qeta.

14:17, 23 Tetor 2024

Seanca e sotme mund të shtyhet sërish?

Nga jashtë ambienteve të GJKKO-së raporton gazetarja Glidona Daci. Ajo tha se ka gjasa që seanca e sotme të shtyhet sërish. Deputetja Monika Kryemadhi pretendon se nuk ka kohën e mjaftueshme në dispozicion dhe do të kërkojë sërish shtyrjen që të njihet me të gjitha provat.

Edhe për ish-Presidentin Meta, i cili është në masën shtrënguese arrest me burg ka afat deri nesër për t’u bërë verifikimi i masës së sigurimit nga ana e gjyqtarit Erjon Çela.

Ndërsa Monika Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku duke qenë se janë në një masë më të butë kanë një afat 5-ditor. Vetë Kryemadhi edhe gjatë prononcimit për mediat e tha herë pas here që nuk ishte kohë e mjaftueshme për të marrë provat dhe aktet.

Megjithatë mbetet për t’u parë në vijim se çfarë do të ndodhë.

14:02, 23 Tetor 2024

Këto janë të tjera pamje nga brenda ambienteve të GJKKO-së ku shfaqet deputetja e PL-së, Monika Kryemadhi.

13:57, 23 Tetor 2024

Pamjet brenda gjykatës: Kryemadhi flet me policin, Meta në kafazin e qelqtë…

Seanca në GJKKO ka rinisur, ndërkohë që shihet duke u futur brenda sallës së gjyqit deputetja Monika Kryemadhi. Ajo komunikon po ashtu me një polic te dera. Ish-Presidenti Ilir Meta qëndron në kafazin e qelqtë mes dy policëve.

9:10, 23 Tetor 2024

Gjykata lë në qeli ish-Presidentin Ilir Meta (Të gjitha zhvillimet)

Ish-Presidenti Ilir Meta doli sot në Gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë së vendosur ndaj tij.

Pjesë e kësaj dosje është edhe Monika Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku për të cilët gjykata ka dhënë masa më të lehta sigurie. Edhe ata dolën sot para togave të zeza.

Për më tepër ju ftojmë që në këtë raportim live të ndiqni të gjitha zhvillimet rreth seancës që po zhvillohet ndaj Ilir Metës, i cili është ish-Presidenti i parë në Shqipëri që është arrestuar.