Pas rreth 40 minutash, ka dalë nga ambientet e GJKKO-së, deputetja e PL-së Monika Kryemadhi. Në prononcim për mediat, ajo u shpreh se e ka humbur çdo shpresë te drejtësia e re. Hodhi akuza ndaj togave të zeza, duke i cilësuar ‘vegla të kryeministrit Edi Rama’.
“Po ju shpjegoj…Sapo pashë 3 muskutierët e drejtësisë së Edi Ramës dhe gjyqtarin Erion Çela. Ishte eksperienca ime e parë në një sallë gjyqi. Një mashtrim i drejtëpërdrejtë nga prokurori Kraja kur tha që Meta është marrë në mënyrë normale dhe ka pranuar aktin kur ju të gjithë jeni dëshmitarë se ai u rrëmbye nga një grup banditësh. E dyta, kërkuam të njiheshim me provat e thashethemeve që ata kanë ngritur. Bujaria e gjyqtarit të drejtësisë së pastruar të Ramës na la 3 orë kohë për të parë dosjen. I kam kërkuar gjyqtarit dhe prokurorit, se dosjen që e keni shpërndarë në media, atë material që ju e keni…
Kanë shkelur nenin 279 të Kodit të Procedurës Penale për nxjerrjen e sekretit hetimor. Kjo godina këtu mbrapa nuk është drejtësia e re, por departamenti i marrëdhënieve të publikut dhe propagandës e mashtrimit të Edi Ramës. Sot kam kuptuar që veglat njëpërdorimshme të Ramës dhe gjithë grupit të strukturuar kriminal, që nga inceneratori, 5D-ja, paratë e drogës të ndërtimit të pallatave…Ne sot i pamë në fytyrat e tyre të veshura me togat e zeza. Nuk kam më asnjë shpresë, për një sistem drejtësie të kapur, por mbi të gjitha kriminale.”
Më tej, Kryemadhi u shpreh se i futën bashkë me Metën në një sallë gjyqi në mënyrë të qëllimshme.
“Nuk flas fare për zotin Meta! Sot ata kanë bërë një provokim të hapur për mua dhe familjen time. Na kanë futur në mënyrën të qëllimshme në një sallë. Kjo shkel të drejtat e individit, asnjë nga ne s’ është i akuzuar, të gjithë jemi të dyshuar. Poshtërsia më e madhe, që ata për të larguar vëmendjen nga gjithë krimi, kërkojnë të bëjnë edhe show mediatik, politik e ndoshta emocional.”
/tvklan.al