Siç e kemi raportuar edhe më herët, nisja e seancës për verifikimin e masës së sigurisë ndaj Ilir Metës ka nisur me tensione të ashpra. Gazetarja Glidona Daci raportoi se kur SPAK vlerësoi si të ligjshëm dhe të rregullt arrestimin e Metës situata është tensionuar nga ky i fundit. Ish-Presidenti i është drejtuar personalisht kreut të SPAK, Altin Dumani dhe prokurorit Arben Kraja.
“I është drejtuar me fjalët o Dum Duman mbaje vath në vesh, mbaje mend. Ndërsa prokurorit Arben Kraja i është drejtuar duke i thënë që ti që tani e ke nisur me mashtrime, por gjithsesi unë jam tërhequr zvarrë nga strukturat e policisë. Mbajeni mend se çfarë do ju bëj. Këto janë disa nga fjalët që zoti Meta ka thënë dhe përpos gjithë dinamikave të tjera duke iu referuar edhe vetes së tij. Duke thënë që është ish-president i republikës dhe duhej të kishte një tjetër sjellje dhe qasje”, raportoi gazetarja Glidona Daci.
Sipas të njëjtave burime është dashur ndërhyrja e gjyqtarit Erjon Çela për të qetësuar situatën. Ndërkohë ka reaguar edhe avokati i Metës, Genc Gjokutaj që ka sqaruar se reagimi i ish-presidentit vjen për mënyrën si u ekzekutua vendimi i gjykatës.
Ndërsa kreu i SPAK, Altin Dumani nuk ka pasur asnjë lloj reagimi kundrejt retorikës së ashpër të Metës. Ai ka pritur që rregulli të vendoset nga gjykatësi.
Kujtojmë se seanca për verifikimin e masës së sigurisë ndaj Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Pirro Xhixhos dhe Ema Çokut është shtyrë në orën 13:30./tvklan.al