Reagimi i policisë për shoqërimin me forcë të ish-presidentit Ilir Meta, gjatë operacionit për arrestimin e tij, për ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha, ishte përgjigje ndaj kundërshtimit të tij.

“Ata fatkeqësisht u përballën me një subjekt, që kundërshtoi forcërisht t’i nënshtrohej vendimit të Gjykatës, sapo mori dijeni për të. Kjo është zanafilla e ngjarjes dhe nga këtu fillon arsyetimi sipas protokollit, që Policia e Shtetit ndjek në ekzekutimin e një vendimi ndalimi.  Me këtë fakt lidhet edhe e gjithë shija, sigurisht jo e mirë e skenës që u krijua. Nëse shtetasi Ilir Meta nuk do ta kishte kundërshtuar ekzekutimin e vendimit, dinamika e ngjarjes nuk do të kishte prodhuar asgjë tjetër, përveçse kalimin e qetë të tij, nga automjeti privat në automjetin e shoqërimit në polici”.

Hoxha shton se policia nuk mund të bëjë ekzekutimin e masave të sigurisë duke negociuar me personin ndaj të cilit rëndon ajo masë, pasi do të shkelte ligjin.

“Kur Policia e Shtetit, jo në Shqipëri, por kudo në botë, merr një urdhër arresti, nuk ka në dispozicion shumë opsione, por vetëm një: Të ndalojë personin e kërkuar dhe pikë. As mund ta lajmërojë, as mund ta ftojë dhe as mund të koordinojë me të, vendin dhe orën e ndalimit. Të gjitha këto nuk janë thjeshtë të pamundura, por janë vepër penale, që ndëshkohen me burg”.

Ministri shprehet se policia kreu detyrën e saj dhe se nuk ka tejkalim te kompetencave në këtë operacion.

Tv Klan