Autoritetet amerikane thonë se kriminelë kibernetikë të lidhur me Kinën mund të kenë tentuar të përgjojnë telefonat ose rrjetet e përdorura nga ish-Presidenti Donald Trump dhe kandidati republikan për zëvendëspresident, senatori JD Vance.
Lajmi i publikuar nga “CBS News” citoi burime, sipas të cilave, kampi elektoral i republikanëve ishte alarmuar për faktin se telefonat e përdorur nga Trump dhe Vance mund të kenë qenë ndër objektivat e një sulmi më të gjerë kibernetik.
Në shënjestër duket se kanë qenë edhe njerëzit e lidhur me fushatën e demokratëve Kamala Harris dhe Tim Ëalz. Është ende e paqartë se sa informacione mund të jenë komprometuar. Në një deklaratë të përbashkët të FBI me Agjencinë e Sigurisë së Infrastrukturës thuhej se qeveria amerikane po hetonte “qasjen e paautorizuar” nga aktorë të lidhur me Republikën Popullore të Kinës”.
Fushata e Trump fajësoi demokratët për hakerimin, duke pretenduar se kjo ishte një përpjekje “për të parandaluar kthimin e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë”. Autoritetet thanë se po e trajtojnë ngjarjen si një akt spiunazhi dhe jo si përpjekje për ndikim në fushatë.
Në fillim të këtij muaji u raportua se kompanitë amerikane të telekomunikacionit ishin shënjestruar në një haker që sërish kishte në fokus ish-Presidentin Trump. Në Shtator u ngritën akuza edhe për 3 shtetas iranianë për përpjekje të qëllimshme për të minuar fushatën presidenciale.
Tv Klan