Kryeministri britanik Keir Starmer ka thirrur këtë të diel liderët e disa vendeve të Bashkimit Europian, por jo vetëm në një samit në mbështetje të Ukrainës, pas përplasjes së fortë të së premtes në Shtëpinë e Bardhe mes Donald Trampit dhe Volodimir Zelenskit.
Të ftuar janë liderët e Francës, Gjermanisë, Danimarkës, Italisë, Bashkimit Europian, por edhe të Turqisë dhe NATO-s. Bisedimet për krizën synojnë të fuqizojnë bashkëpunimin për sigurinë dhe mbështetjen për Ukrainën, teksa Kievi nuk mund të mbështetet më tek ndihma financiare amerikane për të përballuar luftën me Rusinë.
Pas Uashingtonit, Zelenski mbërriti menjëherë të shtunën në Londër, ku ra dakord me kryeministrin Keir Starmer që Britania e Madhe t’i japë një kredi prej 2.84 miliardë dollarësh. Sipas marrëveshjes, Ukraina do ta shlyejë këtë kredi me asetet sovrane të Rusisë që janë sekuestruar në territorin britanik.
Starmer renditet mes shumicës së aleatëve perëndimorë që nuk kanë ndryshuar qasje për mbështetjen e Ukrainës, përballë sulmit rus edhe pas ardhjes në pushtet të Donald Trampit në Shtetet e Bashkuara, i cili kërkon që lufta në Ukrainë të përfundojë me çdo kusht.
Tv Klan