Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pas samitit në Londër ka deklaruar se përpjekjet për të arritur një marrëveshje paqeje në vendin e tij do të ndodhin me një front të bashkuar që përfshin Evropën dhe SHBA-në.

Duke folur me gazetarët pas samitit me liderët evropianë, tha se nuk mendonte se SHBA do të ndalonte ndihmën e saj për Ukrainën, sepse si “udhëheqës të botës së qytetëruar” ata nuk do të donin të ndihmonin Presidentin rus Vladimir Putin.

“Unë mendoj se marrëdhëniet tona me SHBA do të vazhdojnë. Mendoj se ndalimi i një ndihme të tillë vetëm do të ndihmojë Putinin. Bisedat e hapura mes partnerëve janë të rëndësishme. Biseda të tilla të hapura duhet të ndodhin, por nuk mendoj se është e drejtë kur biseda të tilla janë plotësisht publike, sepse emocionet dhe informacionet patjetër do të përdoren nga armiqtë”, tha Volodymyr Zelensky.

Udhëheqësi ukrainas mbylli një fundjavë të jashtëzakonshme me ngjarje që fillimisht nisën të tensionuara pas takimit në Zyrën Ovale në Shtëpinë e Bardhë, të ndjekura nga bisedimet në Londër, ku u prit ngrohtësisht nga Kryeministri britanik Keir Starmer dhe udhëheqësit evropianë.

Megjithatë, Zelensky tha se ai mbetet i përgatitur për çdo sfidë që mund të lindë.

“Nëse Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të më ftojë për një dialog konstruktivm unë do të përfaqësoj interesat e një vendi që varet shumë nga mbështetja e partnerëve, kështu që sigurisht nëse më ftojnë për një dialog konstruktiv, për zgjidhjen e problemeve reale, për pyetje serioze dhe veprime dhe përgjigje reale të vendosura, do të jem aty, për respekt për Amerikën dhe presidentin”, tha Zelensky.

Zelenskiy shtoi se ai mbetet i gatshëm për të nënshkruar marrëveshjen e propozuar për mineralet me Shtetet e Bashkuara dhe se besonte se SHBA do të ishin gjithashtu gati, ndërsa theksoi se ndihma nga partnerët e tij ndërkombëtarë është gjithashtu për sigurinë e tyre dhe se garancitë e sigurisë janë çelësi për paqen e qëndrueshme.

Ndërkaq Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili nuk është i pranishëm në samitin evropian të kësaj fundjave, ka përdorur platformën e tij “Truth Social” për të paralajmëruar se duhet shpenzuar më pak kohë “duke u shqetësuar për Putinin”.

Gjatë samitit në Londër, Mbretëria e Bashkuar u zotua të financojë Ukrainën me një fond prej 1.6 miliardë Paundësh për të blerë 5,000 raketa shtesë për mbrojtjen ajrore. Së bashku me Francën propozuan gjithashtu një armëpushim të mundshëm njëmujor midis Rusisë dhe Ukrainës.

Klan News