Një aksident i pafat e ka detyruar Arbenin që ta kalojë jetën në një karrige me rrota. Në “Shihemi në Gjyq” ku ai nis të tregojë arsyen e konfliktit me bashkëshorten, Lilianën, ndan edhe këtë episod. Sipas rrëfimit të Arbenit për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, në vitin 2002 është përfshirë në një aksident me motorr në Greqi. Ai kujton përjetimin e vështirë të ngjarjes që i ndryshoi jetën.
Arben: Problemi është që në vitin 2002 më ndodhi një aksident me motorr në Greqi dhe përfundova në karrocë me rrota. Nga ai aksident, përfitova një shumë. Nga atëherë, vazhduan vuajtjet dhe kalvaret e jetës sime. Nga aksidenti që bëra, s’doja ta besoja as vetë, s’e pranoja…
Eni Çobani: Se ishe shumë i ri apo jo?
Arben: 22 vjeç në atë kohë. 3 herë tentova të bëja vetëvrasje derisa filluan me psikologë e gjëra deri… arrita ta pranoja edhe këtë.
Shteti grek e dëmshpërbleu Arbenin me një shumë prej 700 mijë eurosh si dhe një pension mujor. Por duke u kthyer te aksidenti, ai tregon edhe disa detaje nga periudha e vështirë.
Eni Çobani: Në momentin që ndodhi aksidenti, sa kohë ke qëndruar në gjendje të pavetëdijshme?
Arben: Në gjendje të pavetëdijshme mund të kem ndenjur afërsisht një muaj.
Eni Çobani: Pas një muaji çfarë ndodhi me jetën tënde?
Arben: Pas një muaji, dola nga reanimacioni në sptital. Shpenzimet, gjithçka se kam qenë me dokumente, i kam pasur nga spitali.
Eni Çobani: Pra ti ke qenë i rregullt në shtetin grek dhe sigurisht që është përgjigjur me të gjitha rregullat shteti ndaj teje.
Arben: Nga aty, tërheqja, më nxori mami dhe babi se duhet që të kujdeseshin, motra kishte fëmijët, duhet që edhe të punonte./tvklan.al