Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky po zhvillojnë një takim në Shtëpinë e Bardhë ku në fokus janë diskutimet në lidhje me mundësitë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Siç raporton BBC News, Zelensky u shpreh se nuk duhet të ketë kompromise me Vladimir Putinin, por nga ana tjetër, Trump i thotë se Kievit do t’i duhet të bëjë lëshime për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë.




Ndërkohë, Presidenti Trump deklaron se një armëpushim në Ukrainë është mjaft afër, duke mos preferuar të japë detaje të mëtejshme. Nga ana tjetër, mësohet se Zelensky ka thënë se Presidenti Trump është në anën e tyre.
“Unë mendoj se Presidenti Trump është në anën tonë”, u shpreh Presidenti ukrainas.
Ata pritet të diskutojnë dhe të nënshkruajnë një marrëveshje që do t’i jepte SHBA-së akses në mineralet e rralla të Ukrainës. Bisedimet vijnë një javë pasi Zelensky tha se Trump po jetonte në një hapësirë dezinformimi të krijuar nga Rusia, ndërsa Presidenti i SHBA akuzoi Zelenskyn si një “diktator”.
Ndonëse në mesazhin e publikuar më 19 Shkurt në rrjetin e tij social “Truth”, Trump foli me tone të ashpra ndaj Zelenskyt duke e akuzuar se nuk kishte patur vullnet për paqe në këto 3 vite të luftës me Rusinë, në konferencën për shtyp që zhvilloi me kreun e qeverisë britanike, Trump vlerësoi Zelenskyn, luftën e ukrainasve dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara./tvklan.al