Presidenti i SHBA, Donald Trump anuloi këtë të premte negociatat me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë pas një takimi të tensionuar që zhvilluan në Shtëpinë e Bardhë.
Pas anulimit të këtyre negociatave, Trump tha se sipas tij, Presidenti Zelensky nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika. Më tej, Trump shkruan se Zelensky nuk i ka respektuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës teksa shton se Presidenti i Ukrainës mund të kthehet kur të jetë gati për paqe.
“Ne zhvilluam një takim shumë domethënës sot në Shtëpinë e Bardhë. U mësuan shumë gjëra që nuk mund të kuptohen kurrë pa biseda nën një presion të tillë. Është e mahnitshme ajo që zbulohet përmes emocioneve dhe unë kam kuptuar që Presidenti Zelensky nuk është gati për paqe nëse përfshihet Amerika, sepse ai mendon se përfshirja jonë i jep atij një avantazh të madh në negociata. Nuk dua avantazhe, dua PAQE. Ai nuk i respektoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Zyrën e tyre Ovale. Ai mund të kthehet kur të jetë gati për paqe”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Ndërkohë, Zelensky përmes një reagimi në rrjetet sociale përmend 4 herë fjalën “faleminderit” për shkak se gjatë debatit, Presidenti Trump dhe Zv/Presidenti Vance i thanë atij se duhet të jetë më falenderues ndaj SHBA-së.
“Faleminderit Amerika, faleminderit për mbështetjen tuaj, faleminderit për këtë vizitë. Faleminderit Presidentit të SHBA, Kongresit dhe popullit amerikan. Ukraina ka nevojë për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme dhe po punojmë për këtë gjë”, shkroi Zelensky.
Takimi i Zelenskyt me Trump dhe Vance u shoqërua me tensione të shumta dhe debate me tone të larta. Ky takim i dështuar bëri që të mos nënshkruhet marrëveshja me SHBA-në për mineralet e rralla të Ukrainës. Gjithashtu edhe konferenca për shtyp që ishte parashikuar të mbahej, u anulua dhe Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë./tvklan.al