Ky është Pëllumb Meta, 50-vjeçari që u vra dhe më pas u varros në shtëpinë e tij në fshatin Shënavlash të Durrësit.

Për këtë krim, policia ka vënë në pranga si autore të dyshuar vajzën e tij, 19-vjeçaren Hygerta Meta (Lexo më shumë). Sipas asaj që ajo ka deklaruar, motivi i vrasjes ka qenë insistimi i të atit për ta fejuar pa dëshirë.

Sipas burimeve të gazetares Enkeleda Arapi, Meta punonte në tregun e makinave.

Ai ishte me origjinë nga fshati Shëmri i Krujës. Prej shumë vitesh ishte vendosur në Shënavlash bashkë me familjen. Familja Meta përbëhej nga 50-vjeçari Pëllumbi, bashkëshortja, dy djem dhe dy vajza. Njëra prej tyre ishte e martuar.

50-vjeçari Meta u gjet i varrosur në kasollen e bagëtive brenda rrethimit të banesës së tij. Sipas burimeve të gazetares Arapi, ai është gjetur i mbështjellë me plastmas dhe pastaj është futur në gropë për të humbur të gjitha gjurmët.

Historia e kësaj ngjarjeje nis 10 ditë më parë kur Meta u denoncua i zhdukur. Disa ditë më vonë policia gjeti makinë e tij të parkuar në aksin rrugor Shënavlash-Sektor Rinia. Pas hetimeve, policia siguroi provat që në fakt treguan se ai ishte vrarë.


19-vjeçarja e ekzekutoi të atin me armë zjarri. Sipas policisë, ajo e ka pranuar krimin e rëndë dhe ka deklaruar se përveç insistimit për ta fejuar, palët kishin edhe konflikte të tjera familjare.

Por përveç arrestimit të Hygertës, në polici mësohet se janë shoqëruar edhe bashkëshortja e viktimës së bashku me dy djemtë më të vegjël. Kjo pasi siç raporton gazetarja Enkeleda Arapi, hetuesit dyshojnë se ata mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje. Gazetarja thotë se 19-vjeçarja e ekzekutoi të atin me pistoletë dhe se në momentin kur ndodhi krimi, në shtëpi kanë qenë edhe pjesëtarë të tjerë të familjes Meta.

Edhe policia, në njoftimin e saj për mediat, tha se “grupi i posaçëm hetimor po vijon hetimet e thelluara për të identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore, shtetas të tjerë të implikuar në këtë ngjarje”.

Sa i takon kohës kur mund të jetë vrarë 50-vjeçari, pritet që kjo të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore. Të paktën sipas të dhënave zyrtare, Pëllumb Meta u denoncua i zhdukur mbrëmjen e 13 Shkurtit. Që do të thotë se ai me gjasë është vrarë përpara kësaj date./tvklan.al