Policia e Filipineve ka arrestuar ish-Presidentin Rodrigo Duterte pasi Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi një urdhër duke e akuzuar për krime kundër njerëzimit pas luftës së tij vdekjeprurëse ndaj drogës.
79-vjeçari u mor në paraburgim pak pasi mbërriti në Manila. Ai nuk ka kërkuar falje për luftën e tij brutale ndaj drogës, në të cilën humbën jetën mijëra njerëz kur ai ishte president që nga 2016 deri në vitin 2022.
Pas arrestimit ai pyeti mbi arsyen e këtij urdhër-arresti duke u shprehur: Çfarë krimi kam kryer?
Ish-zëdhënësi i Duterte tha se arrestimi ishte i paligjshëm, pasi Filipinet janë tërhequr nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në 2019-ën.
Gjykata ndërkohë tha se ka juridiksion në Filipine mbi krimet që pretendohen se kanë ndodhur para se vendi të largohej si anëtar. Aktivistët e kanë quajtur arrestimin një moment historik.
Duterte ishte para arrestimit në Hong Kong ku po bënte fushatë për zgjedhjet afatmesme më 12 Maj pasi kandidon për kryebashkiak të Davaos.
“Kush është mëkati im? Bëra gjithçka në kohën time për paqe për popullin filipinas”, tha ai në tubim para se të kthehej nga Hong Kongu.
Kujtojmë se me një retorikë të dhunshme, Duterte urdhëroi forcat e sigurisë që të qëllonin të dyshuarit për drogë.
Të paktën 6 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e kësaj lufte. Megjithatë grupet e të drejtave të njeriut thonë se numri mund të jetë më i lartë.
Kritikët kanë thënë se fushata shënjestroi nivelet e ulëta të shpërndarjes së drogave në zona urbane të varfra dhe dështoi të kapte bosët e vërtetë. Shumë familje pretendojnë se viktimat, janë thjeshtë persona që ndodheshin në vendin dhe kohën e gabuar.
Duterte ka mohuar akuzat për abuzime.
“Bëra çfarë ishte e nevojshme dhe besojeni ose jo, e bëra për vendin tim”, tha ai në parlament në Tetor të vitit të kaluar./tvklan.al