Mijëra njerëz në rrugët e Seulit dhe anemban Koresë së Jugut shpërthyen në festë pasi Asambleja Kombëtare votoi pro mocionit për shkarkimin e Presidentit Yoon Suk Yeol. Nisma e opozitës për fajësimin e presidentit për vendosjen e ligjit ushtarak u mbështet nga 204 deputetë, ndërsa 85 votuan kundër. Që mocioni të kalonte, duhej që 2/3 e 300 anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të votonin pro.
Ky ishte mocioni i dytë brenda pak ditësh ndaj presidentit Yoon, pasi tentativa e parë për shkarkimin e tij nga Asambleja dështoi fundjavën e shkuar. Tashmë me vendimin e kësaj të shtune, sipas Kushtetutës të Koresë së Jugut, presidenti pezullohet nga detyra, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka afat deri në 6 muaj për të konfirmuar shkarkimin.
Që kjo të ndodhë, 6 nga anëtarët e gjykatës duhet të votojnë për të mbështetur shkarkimin. Pas konfirmimit të shkarkimit, zgjedhjet e reja presidenciale duhet të mbahen brenda 60 ditëve. Ndërkohë detyrën e presidentit gjatë kësaj periudhe e merr kryeministri Han Duck-soo, i cili është emëruar në këtë detyrë nga presidenti Yoon në vitin 2022.
Tv Klan