Te Manchester City pas negociatave me Pep Guardiolën, po bëhen gati të nisin bisedimet edhe me sulmuesin Erling Haaland. Norvegjezi konsiderohet si i pazëvendësueshëm dhe synimi është rinovimi.

Manchester City ka një objektiv të ri; të shtojë përpjekjet për të bindur Erling Haaland që të nënshkruajë një kontratë të re, pasi bindi Pep Guardiolën që të qëndrojë në klub.

Sipas mediave britanike, trajneri katalanas ka rënë dakord që të rinovojë edhe me një tjetër vit me Citysens, e kështu pritet që të largohet në verën e 2026-ës. Por vëmendja tani është kthyer te sulmuesi norvegjez për ta bindur atë që të vazhdojë të qëndrojë në stadiumin “Etihad”.

Haaland paguhet 24 milionë euro në një sezon, ndërsa kontrata i përfundon pas 2.5 vitesh. Sipas “The Sun”, City dëshiron që ai të firmosë një kontratë të re për ta mbajtur në klub edhe për të paktën pesë vite të tjera. Në total, lojtari do të përfitonte 120 milionë euro, pa përfshirë këtu bonuset.

I pyetur për të ardhmen e Guardiolës, Haaland u shpreh se do të dëshironte që trajneri të qëndronte, pasi ai ka qenë shumë i rëndësishëm për të. 24-vjeçari ka qenë objektiv edhe i Barcelonës dhe Real Madridit.

Haaland u bë pjesë e City-t në 2022, ndërsa në 114 ndeshje ka shënuar 105 gola. Në sezonin e tij të parë, lojtari ishte protagonisti në fitimin e tripletës së titujve të ekipit. Ai ka fituar “Këpucën e Artë” në dy sezonet e para dhe është në rrugë të mbarë për ta fituar këtë trofe sërish, pasi në 11 sfidat e para ka realizuar 12 herë në këtë vit futbollistik.

Klan News