Një reagim (nga të rrallët) i ish-deputetit të PD-së Ervin Salianji, në kushtet e izolimit në qeli. Shkrimin e tij në Facebook e ka për kryeministrin e vendit Edi Rama. Thotë se këtë të fundit e ka “kapluar” frika dhe këtë gjë po e shfaq së fundmi me gjuhën pa filtra dhe luhatjet e forta të humorit.
Salianji përmend specifikisht një deklaratë të kreut të qeverisë 2 ditë pas arrestimit të Erion Veliajt.
“Tërmet nga poshtë e flakë nga lart”, ishte fraza që Rama përdori për të inkurajuar socialistët drejt zgjedhjeve parlamentare. E për Salianjin, kjo ishte hapur “vrasje e 11 Majit”.
“Nuk frikëson më, tregon frikën që e ka vetë. Për ata që janë pasionantë ose hulumtues në psikologji, ditët e fundit, Kryeministri është vetëofruar si kazus, ku dallohen luhatjet e forta të humorit dhe gjendja e paqendrueshme emocionale. Nervozizmi i thellë ka dalë në sipërfaqe përmes gjuhës pa filtra, duke treguar disa të vërteta që në rastin e Edi Ramës, kthehen në aksione kur njeh pushtetin që ka e strukturat që urdhëron. Mjafton të mallkojë ai SPAK-un, dhe dhjetra punonjës e rrethojnë godinën e makinat e funksionarëve.
Hedh helm ai ndaj kundërshtarëve dhe drejtësia vepron mbi ta. Pra gjithkush e di që retorika e tij, materializohet në akte konkrete. Së fundmi, nga dëshpërimi pasi toka i është lëkundur shumë, Kryeministri lëshoi dy tre fjali, për të cilat, në kushte normale do të duhej të mbante përgjegjësi. Duke thënë se 11 maji do të jetë “tërmet nga poshtë dhe flakë nga lart”, ai urdhëroi gjithë strukturat që ka në varësi, dhe gjithë segmentet që kontrollon, përfshirë dhe bandat, që të nisin punën për rezultatin që ai dëshiron. Pra, Edi Rama lëshoi fermanin për vrasjen e zgjedhjeve. Problemi është se në qytet shumë ndryshime po ndihen. Drejtuesi i fushatës për Opozitën, është Chris LaCivita, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit, Donald Trump.
Ai ka bërë disa pohime të forta. Por një nga më kryesoret, mendoj se është që; Do të ketë zgjedhje të lira e të paprekura. Ky është një nga qëndrimet më të forta kundër Edi Ramës në gjithë këto vite. Dihet mirë se zgjedhjet e lira, të ndershme dhe të paprekura, janë fundi i tij. Dhe për të shmangur këtë fund, ai nxori dekretin e “tërmet nga poshtë, e flakë nga lart”. Kemi pra një kryeministër që nxit kapjen e votës, prekjen, deformimin e vullnetit të qytetarëve. Haptazi fare. Më e rënda, nëse e interpreton drejt dhe pa shumë mund, me një qëndrim si ky, Edi Rama po thotë se nëse ai nuk fiton, pra nëse nga kutitë e 11 majit nuk del ajo që ai dëshiron, do të ketë tërmet e flakë, pra do të ketë luftë.”
Pas 12 vitesh në pushtet, Salianji shkruan se këtë herë gjithçka është ndryshe, me ardhjen e njeriut të Trump në Tiranë.
“Më i papërgjegjshëm, dhe më antiligjor, e anti-kushtetues se kaq, nuk ka se si të jetë një Kryeministër. Dihet mirë se deviza 12 vjeçare e Ramës ka qënë sundimi mbi frikën, dhe jo qeverisja mbi besimin. Këtë po tenton të bëjë edhe në muajt e fundit. Vetëm se tanimë ka një ndryshim. Ai nuk arrin më të ndjellë frikë, por sa më shumë lëshon të tilla logore, aq më shumë dëfton frikën që ka kapluar atë vetë. Koraca që e bentë të pushtetshëm, që ndihmonte sundimin e tij ka rënë. Sherifi i ri në qytet, nuk ka ardhur të japë dekorata, e as të mbyllë sytë para një regjimi.
Njeriu i Trump në Tiranë, është bërë menjëherë përfaqësues i interesit publik, përfaqësues i interesave të vendit. Sepse Shqipëria e ka jetike që të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme, e ka jetike sa ujin dhe diellin, sa ajrin. Vetëm me votë të paprekur do të shkojnë në vend prapësitë e paudhësitë e panumërta që janë bërë kapicë në 3 mandate. Vetëm vota e lirë dhe e ndershme e ka këtë aftësi korigjuese. Kështuqë, ende pa nisur mirë punën, strategu i Trump ka ndihmuar jo vetëm demokratët, por Shqipërinë. Dhe është po aq në interesin e vendit, në interesin madhor të ecjes drejt integrimit dhe shpëtimit nga rënia në humnerë, qendrimi tjetër i tij, që dënon përndjekjen e burgosjen e kundërshtarëve. Një tezë e fortë mesa duket e Shtëpisë së Bardhë, duke qënë se atë çka Chris LaCivita e thanë Rogner, e theksoi Zv-Presidenti Vance në konferencën e Mynihut.”
Në mbyllje, thekson se kryeministrin e pret një rrugë e gjatë dhe e mundimshme pas zgjedhjeve.
“Presioni për votën e lirë, e për të zbatuar normat bazë të demokracisë, kanë nxjerrë nga binarët Kryeministrin e vendit. Dhe nuk është pak për të. Se Edi Rama ka shumë hesape për të larë, ka shumë llogari për të dhënë. “
Kujtojmë se Ervin Salianji u dënua me 1 vit heqje lirie më 26 Tetor 2024 nga Gjykata e Apelit Tiranë, për çështjen “Babalja”. Është pikërisht fjala e fundit që mund ta ketë ngacmuar ish-deputetin për një reagim të tillë, pasi Rama e shkroi sot në “X” për kreun e grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi. “Eh Babale, Babale…S’përdridhu, s’përdridhu”, i tha kreu i qeverisë demokratit.
Përtej këtij reagimi, duket se Salianji po i qëndron asaj që ka thënë ditën që është arrestuar.
“Do ta bëj fushatën nga burgu”, u shpreh ai muaj më parë.

/tvklan.al