I penduari i drejtësisë Nuredin Dumani ka treguar të tjera krime në seancën e kësaj të marte. Ai ka deklaruar në gjyq se ka takuar Erion Alibejn për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin.

Dumani i ka kërkuar Alibejt që t’i vriste ai objektivat.

“Shkova për të negociuar për të vrarë Talo Çelën dhe Altin Ndocin, nuk doja t’i vrisja këta me dorën time. Doja t’i vriste Erjoni me njerëzit e tij. Pas takimit ndryshoi gjithçka dhe vendosëm të dy që të eleminonim kundërshtarët”, tha Dumani.

Dumani tregon se e hartuan listën për pak orë se cilët do ishin personat që duheshin vrarë. Për ekzekutimin nuk kishte plan, do vritej kush të dilte në rrugë.

“Për më shumë se 2-3 orë hartuam një listë për personat. Kisha informacion që Dorian Shkoza më vëzhgonte për të më vrarë. Do fillonim ekzekutimet nga Durrësi pastaj në Elbasan. Pasi ikëm nga Durrësi kishim disa emra për të vrarë, në verën e vitit 2020. Nuk kishte radhë, kush të dilte në rrugë do vritej. Emiljano Ramazanin e kishim më të lehtë për ta vrarë dhe u vra ai”, tha Dumani.

Dumani më pas ka treguar për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Cela, krim i ndodhur në Shtator të vitit 2020.

“E dija që dilte cdo mëngjes dhe shkonte të pinte kafe. Kemi marrë karburant për makinën, i hodha 50 mijë Lekë. Sa shkova te lokali e pashë Bujarin. Vendosëm që ta vrisnim pasi u vra shoku im Klevis Kapllani”, tha Dumani.

Nuredin Dumani ka treguar më herët se e vrau Bujar Çelën me pistoletën që i kishte falur vëllai i tij, Talo Çela.

Klan News