Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram po u ofron ‘creator’-ëve të famshëm në aplikacionet kundërshtare në SHBA që të fitojnë bonuse deri në $5,000 për të krijuar përmbajtje në platformat e saj.

Kjo lëvizje ndodh në një moment kur e ardhmja e TikTok në SHBA mbetet ende e paqartë pas ndalimit  të tij më 19 janar dhe shtyrjes së afatit me 75 ditë nga presidenti Donald Trump.

“Breakthrough bonus programme” u ofron këtyre përdoruesve nga aplikacionet e tjera bonuse deri në $5,000 dollarë në 90 ditët e para të regjistrimit.

Ata duhet të postojnë rreth 20 Reels në Facebook dhe 10 në Instagram brenda 30 ditëve pasi pranojnë termat dhe kushtet e programit, shkruhet në faqen e internetit të Meta.

Videot duhet të jenë përmbajtje origjinale e një ‘creator’-i amerikan nga mosha 18+ dhe pavarësisht se TikTok nuk përmendet me emër, shkruan se përdoruesi duhet të jetë “ekzistues në një llogari të një pale të tretë”.

Meta cilëson se bonuset do të përllogariten duke u bazuar në vlerësimin e ‘prezencës sociale” të secilit,  duke shtuar se përdoruesi duhet të jetë tërësisht i ri në Facebook ose Instagram./tvklan.al