Takimi i Donald Trump dhe Emmanuel Macron në Shtëpinë e Bardhë, i pari lider europian që viziton Uashingtonin pas ndërrimit të pushtetit nisi me shtrëngime të gjata duarsh dhe më pas me batuta dhe të qeshura.

Por në konferencën për shtyp, çështja e Ukrainës që ishte fokusi kryesor i takimit, ndau dy liderët. Donald Trump foli me tone të buta për Vladimir Putin duke mos e quajtur diktator, por një njeri që kërkon t’i japë fund luftës.

“Unë me të vërtetë besoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. Mund të gaboj, por besoj se ai dëshiron të bëjë një marrëveshje. E gjithë jeta ime është marrëveshje, kjo është gjithçka që di. Një nga thirrjet e para që bëra ishte me Presidentin Putin dhe ai dëshiron t’i japë fund luftës”, tha Trump.

Ndryshe u shpreh shefi i Elizesë që tha se paqja nuk duhet të vijë në kurriz të Ukrainës.

Paqja nuk duhet të nënkuptojë një dorëzim të Ukrainës, apo armëpushim pa garanci. Ajo duhet të lejojë sovranitetin ukrainas dhe të lejojë Ukrainën të negociojë me palët e tjera të interesuara në lidhje me çështjet që e prekin atë”, u shpreh Macron.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se kishin rënë dakord që Europa të merrte përsipër shpenzimet për sigurinë e Ukrainës pas përfundimit të luftës dhe se Putin ishte shprehur dakord edhe për një forcë paqeruajtëse të BE-së.

Ndërkohë, atmosfera ishte më pak miqësore në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku SHBA-ja theu traditën dhe votoi kundër rezolutës të propozuar nga Ukraina dhe 27 vende të BE-së për të dënuar agresionin e Rusisë.

Fillimisht SHBA u përpoq ta zbusë gjuhën e rezolutës, por më pas votoi kundër dhe prezantoi një tekst të sajën që thjesht kërkonte fundin e konfliktit. Të dyja rezolutat kaluan, por duke mbajtur anën e Rusisë dhe kundër shumicës së aleatëve europianë, Shtetet e Bashkuara bënë një ndarje të mprehtë me të kaluarën.

Tv Klan