Barcelona duhet të mësojë nga humbja në La Liga kundër Atletico Madrid këtë sezon dhe të jetë më e saktë përpara portës, kur të përballet sërish me “Los Kolçoneros” në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit.
Ky është mendimi i trajnerit të blaugranave Hansi Flick përpara sfidës në mbrëmjen e së martës.
Bardhekuqtë fituan 2-1 në dhjetor ndaj katalanasve në suksesin e parë të tyre në transfertë në 18 vite.
Flick shpreson që të ketë në dispozicion Lamin Yamal pasi sulmuesi i krahut mungoi në stërvitjen të hënën për shkak të një lëndimi të pësuar në sfidën e së shtunës ndaj Las Palmas.
“Ne luajmë ndaj Atleticos dhe kjo është sfida më e rëndësishme dhe ne jemi të fokusuar te kjo, e po ashtu jemi gati! Duam ta tregojmë këtë! Mund të them se mentaliteti në ekip është mjaft i mirë, i pabesueshëm, qasja është e mirë, kështu që….pastaj atmosfera është ajo që unë vlerësoj rreth tyre. Jam i kënaqur me këtë gjë! Sa i përket gjendjes së Jamal, jam optimist”, tha Flick, trajneri i Barcelonës.
Tekniku gjerman shtoi se mesfushori Dani Olmo mund të luajë 90 minuta, pasi u rikuperua nga një dëmtim i pësuar në janar.
Ndërsa trajneri i “Los Kolçoneros” u kërkoi lojtarëve që të shmangin shpërqendrimet dhe mendjen ta kenë vetëm te kjo sfidë.
“Ndeshemi me një rival, që ka një stil loje që më pëlqen. Sulmi i tyre është mjaft cilësor! Uroj t’i ndëshkojmë aty ku ne besojmë se mund t’ia dalim! E dimë se kundërshtari ka futbollistë mjaft të zotë në të gjithë repartet”, tha Diego Simone, trajneri i Atletico Madrid.
Skuadra e Simeones do të ndeshet edhe me Real Madrid në raundin e 16-të të Ligës së Kampionëve më 4 Mars përpara se të presë Barcelonën në La Liga më 16 Mars.
Por tekniku i bardhekuqve e bëri të qartë se ata do t’i marrin ndeshjet një e nga një.
Klan News