Ngjarja më e madhe sportive, ajo e futbollit amerikan, Super Bowl, këtë vit në varësi edhe të situatës së Covid-19, do të sjellë shumë surpriza. Këngëtarja e famshme Miley Cyrus do të performojë për punëtorët shëndetësorë, në një koncert special që organizohet para ndeshjes së madhe. Ylli i popit i është bashkuar yjeve që do të interpretojnë në kuadër të ngjarjes “TikTok Tailgate”, e cila mbahet pak para finales së kampionatit të futbollit amerikan më 7 Shkurt.

Nëpërmjet një postimi në Instagram, Miley është shprehur se mezi pret që të marri pjesë në këtë ngjarje kaq të rëndësishme e cila këtë vit mbahet me një kauzë shumë të veçantë. “Super Bowl LV!!! Do të jem atje për koncertin ‘TIKTOK TAILGATE’. Mezi pres të performoj. Punëtorët shëndetësorë nga mbarë vendi”.

Koncerti do të ndiqet nga 7.500 punëtorë shëndetësorë tashmë të vaksinuar, të cilët gjithashtu janë ftuar ta ndjekin finalen e kampionatit të futbollit amerikan, “Super Bowl”, në stadiumin “Raymond James” në Tampa të Floridës, në shenjë mirënjohje për punën e tyre në luftën kundër Covid-19.

Miley Cyrus nuk do të jetë këngëtarja e vetme e cila do të performojë në këtë koncert. Eric Church dhe Jazmine Sullivan tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Pjesë e këtij do të jetë edhe ylli kanadez i The Weeknd.

Këngëtari i njohur është shprehur se ndihet i nderuar dhe i lumtur që po i ndjek hapat e artistëve të mëdhenj që kanë performuar në këtë ngjarje, të tillë si Bruce Sprinsteen, Madonna, Beyonce, Bruno Mars, Jennifer Lopez dhe Shakira, Lady Gaga dhe të tjerë. Në ngjarjen e sivjetme e “Super Bowl” do të marrin pjesë vetëm 22 mijë persona, që është shifër  më e vogël se tradicionalisht, kjo për shkak të pandemisë së koronavirusit./tvklan.al