Përmes një deklarate për shtyp, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka bërë thirrje që “të mos digjen më dokumente te Bashkia Tiranë”. Sipas tij, ka 3 javë që po bëhen përpjekje për zhdukjen e provave shkresore të veprimtarive kriminale.
“Regjimi po shkërmoqet, siç edhe ligji më i pandryshuar i diktaturave. Institucionet janë angazhuar në një përpjekje të ethshme për të zhdukur provat shkresore, diokumentet e veprimtarive të tyre kriminale. Ka 3 javë që një proces i tillë, i ethshëm, po kryhet në disa dikastere. Ajo që patë sot në Bashkinë e Tiranës është vetëm maja e ajsbergut.“
Berisha vijoi me akuzat e tij ndaj ministres Belinda Balluku, duke theksuar se “ajo ka kusure të mëdha”.
“Ajo, ka ndodhur siç është paralajmëruar në Këshillin e Ministrave në ministritë dhe agjencitë e Lubi Ballukut, Ministrinë e Jashtme, çuditërisht domethënë, se edhe ajo ka kusure të mëdha, Ministrinë e Brendshme, një përpjekje e tmerrshme e ethshme për t’u fshehur me djegie dhe grisjes dokumentesh. Siç e patë mbrëmë, qytetarët e Tiranës shprehën një shqetësim të madh, por pati edhe të tjerë që bënë humor, u inagurua ‘inceneratori i Tiranës’. Djegia në Bashkinë e Tiranës, e dokumenteve, jo vetëm të bashkisë e bënë përgjegjëse këtë bashki për një krim shumë të rëndë, jo vetëm të bashkisë, por edhe institucione të tjera.”
Kryedemokrati pati një apel edhe për punonjësit e administratës.
“Njerëz të ndershëm të mbajnë kopje të çdo veprimtarie antiligjore kriminale të zyrtarëve të lartë të tyre. Të mos implikohen, të mos bëhen bashkëautorë në një proces karakteristik për përmbysjen e sistemeve. Të mos harrojnë se, gjurma dixhitale do të gjendet edhe në hënë, kudo që të jetë dhe auditi i përgjithshëm për të gjetur se ku kanë shkuar 56 miliardë në 12 vite të Edi Ramës, të cilat nuk janë dhënë rroga dhe pensione.”
Kjo thirrje e Berishës vjen 15 ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj. Ky i fundit ndodhet në qelinë e paraburgimit në Durrës, i akuzuar për dy vepra penale. Edhe pse në kushte izolimi, ai ka reaguar herë pas here për procesin gjyqësor ndaj tij, me akuza ndaj prokurorit Olsi Dado, të cilin nuk heziton ta quajë “njeri të Sali Fundërrinës”.
Aktualisht, kompetencat për drejtimin e bashkisë më të rëndësishme në vend i kanë kaluar Anuela Ristanit.
/tvklan.al