Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë hap një kapitull të ri progresi për shërbimin publik spitalor në bashkëpunim me një nga spitalet me prestigjioze të Izraelit.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi se bashkëpunimi me këtë spital vjen falë presidentit izraelit.

“Unë i jam shumë mirënjohës Presidentit të Izraelit që gjatë vizitës së tij në Tiranë u tregua shumë i gatshëm të na vendoste këtë kontakt që po e kërkonim për hir të së vërtetës prej disa kohësh. I jam shumë mirënjohës drejtuesit të mirënjohur të spitalit “Sheba Medical Center”, që erdhi personalisht në Shqipëri. Patëm një takim të gjatë dhe në mënyrë shteruese iu qasëm të gjithë problematikës që ne duam të adresojmë”, tha Edi Rama.

Rama u shpreh optimist për garancinë që jep partneriteti strategjik me një ndër qendrat më të shquara të ekselencës mjekësore në botë.

“Ajo çka qartësisht i duhet qendrës është një nivel tjetër menaxhimi, një kulturë tjetër menaxhimi, një qasje tjetër menaxhimi, që ka të bëjë me një traditë që neve na mungon dhe tradita nuk mund të krijohet sepse thjesht ti ke dëshirë. Ajo mangësi e traditës mund të adresohet pikërisht me aleanca dhe partneritete të kësaj natyre”, tha Rama.   

Ndërsa sipas Ministres Albana Koçiu, ky bashkëpunim do të nisë me një plan konkret për Shërbimin Onkologjik në QSUT.

“Është një partneritet në fakt të cilin gjatë kësaj periudhe 2 mujore nga momenti i nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy spitaleve tona. Ne punuam për ta konkretizuar dhe për ta kthyer në një plan veprimi transformues për shërbimin Onkologjik në vend”, tha Albana Koçiu.

Tashmë falë marrëveshjes me spitalin e ekselencës në Izrael, një pjesë e mjekëve që punojnë në Tel Aviv do të jenë edhe në Spitalin Onkologjik, për ta çuar në një dimension tjetër shërbimin në vendin tonë.

Klan News