Një sfidë e përhapur gjerësisht në rrjetin social TikTok, për pak do i merrte jetën një vajze të vogël në Misuri të Shteteve të Bashkuara, një tjetër dëshmi se sa i rrezikshëm është ky rrjet social për të miturit dhe adoleshentët.
Sipas të përditshmes prestigjoze amerikane New York Post, kjo vajzë 7 vjeç ndoqi udhëzimet e sfidës së publikuar në një video TikToku, ku i kërkohej që të vendoste një kub gome anti-stres në frigorifer për ta ngrirë, e më pas në mikrovalë për ta nxehur për disa sekonda. Shpjegimi në video ishte se në këtë mënyrë mund ta bëje kubin të merrte formën që dëshiroje.
Pasi e nxorri nga mikrovala për të vazhduar me sfidën, kubi i shpërtheu në dorë teksa 7-vjeçarja e shtypte për t’i dhënë formë. Masa xhelatinoze në brendësi e përbërë nga një kimikat industrial si alkoli polivinil ishte aq e nxehtë sa i shkaktoi djegie të rëndë. Prindërit e dërguan menjëherë në spital dhe mjekët e futën në koma të induktuar për 3 ditë pasi nuk kishte mënyrë tjetër për t’ia pushuar dhimbjet. Pas kurimit, vajzës së vogël i kanë mbetur të dukshme shenjat e djegies.
Ajo çka i ndodhi i ka ndikuar vajzës edhe nga ana psikologjike. Të tilla sfida janë të përhapura gjerësisht në TikTok dhe jo pak herë kanë shkaktuar incidente të rënda.
Në Shqipëri, TikTok është në fazë mbylljeje për 1 vit, pas vendimit të qeverisë që pasoi vrasjen e një të mituri ku përgjegjës u bë kjo platformë. Autoritetet synojnë që kompania të ashpërsojë rregullat për mbrojtjen e fëmijëve.
Tv Klan