Erë e fortë ndryshimi në Europë. Ligjvënësit gjermanë kanë votuar pro lejimit të rritjes së shpenzimeve në mbrojtje dhe infrastrukturë. Siç shkruan BBC kjo është një zhvendosje sizmike që mund të riformojë mbrojtjen europiane.

Një shumicë prej dy të tretash në Bundestagun gjerman, kërkuan ndryshimin që u aprovua me votë këtë të martë. Ligji do të përjashtojë shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë nga rregullat strikte të Gjermanisë për borxhin. Në këtë mënyrë pritet të krijojë një fond infrastrukture prej 500 miliardë eurosh.

Kjo votë është një lëvizje historike për Gjermaninë dhe mund të ketë rëndësi të madhe për Europën teksa vijon lufta në Ukrainë ndërsa presidenti amerikan Donald Trump mbetet i paqartë për angazhimin në NATO dhe mbrojtjen e Europës.

Sidoqoftë, tashmë i takon përfaqësuesve të qeverive të shteteve në dhomën e lartë, që njihet si Bundesrat, për të miratuar lëvizjet. Aty duhet po ashtu një shumicë prej dy të tretash. Votimi do të kryhet të premten.

Friedrich Merz

Friedrich Merz, njeriu pas këtyre planeve dhe që pritet të konfirmohet së shpejti si kancelari i ri gjerman i tha Bundestagut se vendi ka ndjerë një sens të rremë të sigurisë gjatë dekadës së fundit.

“Vendimi që marrim sot, është hapi i parë i madh drejt një komuniteti të ri europian për mbrojtjes”, tha ai duke shtuar se përfshin edhe vende që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian.

Gjermania ka qenë e kujdesshme rreth shpenzimeve në mbrojtje, jo vetëm për arsyet historike që datojnë nga viti 1945, por edhe për shkak të krizës botërore në 2009-ën.

Por pavarësisht frikës se votimi do të ishte i ngushtë, ligjvënësit në fund votuan pro ndryshimeve, 513 me 207, shumë më tepër seç kërkonte shumica e cilësuar prej dy të tretash.

Sipas ligjit të ri, çdo shpenzim në mbrojtje që kërkon më shumë se 1% të GDP së Gjermanisë nuk do të jetë më subjekt i një kufizimi të huave. Deri tani, frenimi për borxhin ishte fiksuar deri në 0.35% të GDP-së.

Vendimi mund të transformojë edhe forcat e armatosura të vendit. Kjo votë nuk ishte vetëm për mbrojtjen, por edhe për lirimin e 500 miliardë Eurove për infrastrukturën gjermane, për të rregulluar gjëra si ura dhe rrugë, por edhe për të paguar masa për ndryshimet klimatike, diçka për të cilën insistonte Partia e Gjelbër.

Merz, partia e së cilit fitoi zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani muajin e kaluar i propozoi masat pak pas fitores. Në një intervistë ai përmendi frikën se SHBA mund të tërhiqet nga mbrojtja e Europës dhe bisedimet e Trump me presidentin rus Vladimir Putin duke thënë se situata mund të përkeqësohet në javët e ardhshme.

“Kjo është arsyeja pse duhet të veprojmë shpejt”, tha Merz.

Siç shkruan BBC, Merz zgjodhi t’i shtynte masat për ndryshim përmes parlamentit të vjetër duke e ditur se ka një avantazh aritmetik pasi nga 25 Marsi nis sesioni i ri dhe ekstremi i djathtë AFD dhe ai i majtë Linke e kundërshtojnë planin e tij.

Merz nuk ka rënë ende dakord për një koalicion për të qeverisur Gjermaninë dhe ka shpallur ambicien për ta pasur qeverinë gati për Pashkë. Megjithatë negociatat për koalicion në Gjermani mund të zgjasin edhe me muaj./tvklan.al