Shqipëria nis fushatën kualifikuese të Botërorit 2026 ndaj kundërshtarit më të fortë në grup, Anglisë, por kjo nuk i ka dekurajuar Kuqezinjtë. Më 21 Mars në Londër, Kristjan Asllani kërkon pikë.
“Janë tallur të gjithë kanë thënë që do të pësoni 6 apo 7 gola dhe do të shkoni në shtëpi. Ndeshja fillon 0 – 0, nuk i dihet. Të gjithë thonë që Anglia do të fitojë, por Anglia niset gjithmonë favorite. Do të shkojmë atje dhe po morëm 1 pikë do të jetë shumë mirë, por ne hyjmë në fushë gjithmonë për fitore”, shprehet Asllani.
Goli rekord i Nedim Bajramit ndaj Italisë në Europian është një sinjal që Shqipëria mund të arrijë rezultat edhe me skuadrat e forta. Sulmuesi i krahut thotë se të gjithë janë gati për këtë ndeshje të rëndësishme.
“Rekordi është rekord, ta shikojmë çfarë do të ndodhë me Anglinë, por besoj që do të jetë një ndeshje ndryshe unë do të jap maksimumin dhe besoj se të gjithë janë gati”, shprehet Bajrami.
Sfida ndaj Anglisë do të nisë në orën 20:45 të së premtes dhe do të transmetohet në TV Klan.
Tv Klan