Ka zgjatur për 2 orë e gjysmë telefonata e shumëpritur mes Donald Trump dhe Vladimir Putin për Ukrainën.

Nga detajet e para të publikuara në rrjetet sociale sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, të konfirmuara edhe nga Kremlini thuhet se liderët kanë rënë dakord që ukrainasit dhe rusët të ndalin për 30 ditë sulmet ndaj strukturave energjetike.

Presidenti rus e hodhi menjëherë hapin dhe urdhëroi ushtrinë të ndalojë këto lloj sulmesh.

“Presidenti Trump dhe Presidenti Putin folën për nevojën për paqe dhe një armëpushim në luftën në Ukrainë. Të dy udhëheqësit ranë dakord se ky konflikt duhet të përfundojë me një paqe të qëndrueshme. Ata theksuan gjithashtu nevojën për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, tha Karoline Leavitt, sekretare e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë.

Ndalimi i sulmeve ndaj sektorit energjetik synon ecjen drejt ndalimit edhe të sulmeve të ndërsjella nga Deti i Zi e më pas drejt një armëpushimi të plotë e afatgjatë. Kremlini po ashtu njoftoi se u ra dakord për shkëmbimin e 350 të burgosurve nga të dyja palët.

Trump dhe Putin ranë dakord edhe për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe në të mirë të sigurisë globale.

Lindja e Mesme ishte një tjetër pikë diskutimesh. Trump dhe Putin kërkuan nisjen e punës për rikthimin e armëpushimit që u thye këtë të martë mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës. Kjo ishte biseda e dytë telefonike mes tyre që prej Janarit.

Tv Klan