Gjatë 24 orëve të fundit, ushtria ruse ka sulmuar Ukrainën përgjatë gjithë vijës së frontit. Shtabi i Përgjithshëm në Kiev tha se forcat e Kremlinit janë hedhur në një ofensivë të ashpër duke regjistruar 155 beteja në terren, 13 sulme me raketa dhe 118 sulme ajrore, në pozicionet e trupave ukrainase dhe zonat e populluara.
Goditja ruse ka shkatërruar zona të banuara dhe pjesë të infrastrukturës. Megjithatë sipas ushtrisë ukrainase, forcat ruse janë duke pësuar humbje të mëdha duke shënuar 1260 viktima vetëm të shtunën, shifër kjo ende e paverifikuar në mënyrë të pavarur.
Por edhe ushtria ukrainase duket se po njeh humbje pasi është detyruar të lëshojë terren në rajonin verior të Kharkivit.
Më shumë se 4 mijë njerëz janë evakuuar nga këto zona pasi rusët vunë nën kontroll 5 fshatra të rajonit.
Ushtria ruse është duke përparuar më në brendësi të territorit ukrainas me forca të blinduara dhe synimi duket se është marrja e Harkivit, i konsideruar si kryeqyteti i dytë i Ukrainës.
Tv Klan