Të ftuar: Artan Hoxha dhe Ermal Vija për arrestimet e tërmetit. Në pjesën e dytë: Blendi Klosi dhe Ferdinand Xhaferri për rimëkëmbjen e turizmit pas tërmetit. Pjesa e tretë: Aureta Thomollari, impakti online në promovimin e Shqipërisë dhe turizmit!
Arrestimet për tërmetin në Tiranë, gazetari Vija: Mungonte studimi sizmologjik
Gazetari i Tv Klan Ermal Vija ka shpjeguar përgjegjësinë konkrete të të arrestuarve në Tiranë pas hetimeve të Prokurorisë për dëmet që shkaktoi tërmeti i 26 Nëntorit.
I ftuar në studion e emisionit “Opinion”, gazetari Vija shpjegoi se ish-drejtuesit e komunave janë ndaluar për shkak të dhënies së lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin. Në ndërtimet mbi 7 kate mungon studimi sizmologjik.
“Ish-zyrtarët kanë pasur në dorë miratimin e lejeve të ndërtimit, por i kanë ndërtuar lejet e ndërtimit në kundërshtim me ligjin, sepse sipas hetuesve, kanë munguar studimi sizmologjik për ndërtesat mbi 7 kate. Është një dokumentacion i rëndësishëm. Të gjitha objektet që janë mbi 7 katet e kanë të detyruar të kenë të përpiluar studimin sizmologjik.
Përsa i përket personave që kanë qenë ndërtues, kanë patur për të ndërtuar objekte 5 kate dhe i kanë ndërtuar 7-10 kate. Arkitektët dhe inxhinierët kanë pasur detyrë të ndiqnin ndërtimet. Secili prej personave për të cilët është lëshuar urdhër-arresti ka pasur përgjegjësi konkrete”, u shpreh gazetari Ermal Vija.
Post-tërmeti, si do të ringrihet turizmi në Durrës pas tragjedisë natyrore
Durrësi, qyteti më i prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit, është goditur në sektorin më të rëndësishëm, atë të turizmit.
Në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan ishin të ftuar ministri i Turizmit Blendi Klosi dhe ish-ministri i Turizmit Ferdinand Xhaferri, të cilët diskutuan si do të zgjidhet problemi i turizmit pas tragjedisë që goditi vendin tonë.
Ministri Klosi theksoi se lajmi i mirë është që deri më tani nuk ka asnjë anulim nga agjencitë e udhëtimeve. Për të garantuar besimin e turistëve të huaj, operatorët turistikë do të kërkojnë nga hotelet në Durrës certifikim zyrtar për sigurinë e ndërtesave të tyre.
“Hotelet nuk kanë pësuar gjë. Turizmi është dëmtuar, por besoj që kemi nevojë për shumë PR. Por fatmirësisht, asnjë anulim nuk kemi për momentin. Kompanitë janë shumë strikte në këtë situatë, kërkuan certifikim zyrtar. Por dhe vetë tërmeti dëshmoi që hotelet që janë certifikuar janë hotele të qëndrueshme dhe tërmeti nuk i dëmtoi fare”, u shpreh ministri Blendi Klosi.
Por ndryshe mendon ish-ministri i Turizmit Ferdinand Xhaferri, i cili thotë se turizmi ringjallet vetëm nëse vendoset drejtësi.
“Më vjen keq që ministri edhe këtë situatë mundohet ta paraqesë si rozë, por në fakt ishte një shok. Elementi i parë është, nuk mund të ketë ringjallje nëse nuk ka drejtësi. Nuk vrau tërmeti, ka vrarë dora e njeriut. Po nuk u vendos drejtësia, nuk mund të ketë ringjallje shpirtërore dhe asnjëherë nuk do vendosen rregullat”, tha Xhaferri. /tvklan.al