Demokrati Belind Këlliçi thotë se flitet për arratisjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçit.

Në një lidhje direkte për Klan News me gazetarin Besard Jacaj, politikani shprehet se pritet një goditje e drejtësisë ndaj Agaçit pasi sipas tij, ky i fundit rezulton i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në aferën e inceneratorëve.

Megjithatë, Këlliçi shton se këto informacione janë ato që ka dëgjuar dhe nuk di të thotë nëse janë të vërteta ose jo.

Besard Jacaj: Duke marrë parasysh se jeni politikan dhe herë pas here flisni për atë që ndodh dhe referuar burimeve tuaja, a prisni lëvizje të tjera nga puna e drejtësisë deri më 11 Maj? E kam fjalën dhe majtas, edhe djathtas.

Belind Këlliçi: Nuk kam informacione të tilla. Sigurisht që në Tiranë dëgjon historira në aspektin e tryezave politike dhe mediatike nga më të ndryshmet. Sigurisht, ka një informacion në lidhje me arratisjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçit, me zhdukjen e tij nga qarkullimi dhe me largimin e tij në Itali. Në 2 javët e fundit flitet për një arratisje të tij për shkak se pritet një goditje e tij për shkak të përfshirjes së tij në mënyrë të drejtpërdrejtë në aferën e inceneratorëve. Këto nuk di të ta ndaj a janë lajme të vërteta apo janë thashetheme gazetarësh apo ngjarje të ngjashme. I bëj thirrje çdo prokurori që të zbatojë ligjin për denoncimet që janë me bazë dhe kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve të lartë të shtetit.

I pyetur nga gazetari Jacaj se a mendon se SPAK kontrollohet nga Kryeministri Rama, Këlliçi thotë se në Prokurorinë e Posaçme, sipas tij, ka prokurorë që zbatojnë ligjin, por ka edhe të tjerë që janë nën ndikimin e pushtetit.

“Ka segmente të caktuara brenda SPAK, ka prokurorë të caktuar që janë nën ndikimin e pushtetit. Jo të gjithë prokurorët janë njësoj. Edi Rama ka dorën e tij brenda SPAK, kjo është parë edhe tek inceneratori i Tiranës, Sterilizimi, Check Up dhe të gjitha aferat që përfshijnë Kryeministrin”, shprehet Këlliçi.

/tvklan.al