Politikani demokrat Belind Këlliçi thotë se kryedemokrati Berisha është shprehur se do të reformatojë SPAK-un përsa i përket atyre prokurorë që kanë ngarkesë politike dhe që nuk zbatojnë ligjin.
Në një lidhje direkte për Klan News me gazetarin Besard Jacaj, Këlliçi deklaron se Berisha, PD dhe të gjithë ata që janë në opozitë nuk kanë një armiqësi me SPAK-un si institucion, por papajtueshmëri me prokurorët dhe gjyqtarët që kanë axhendë politike.
Besard Jacaj: Do ta nisja me atë që deklaroi Berisha ditën e sotme. Një deklaratë ndryshe krahasur atyre që ka thënë më herët që “do e shkrijë SPAK-un kur PD-ja të vijë në pushtet“, ndërsa sot tha se “drejtësia ka nevojë që ketë një lloj mbikëqyrje”, por që deklaratat e tij janë “keqkuptuar nga ana e gazetarëve”. Pse vjen ky ndryshim kursi nga ana e Berishës në raport me SPAK?
Belind Këlliçi: Nuk ka një ndryshim kursi nga ana e Berishës. Ka një sqarim nga ana e Berishës në raport me deklaratat e tij. Berisha është shprehur se do të reformojë SPAK-un përsa i përket atyre prokurorëve që rezultojnë të ndikuar politikisht, që kanë ngarkesë politike dhe që nuk zbatojnë ligjin. Sali Berisha, PD dhe askush që është sot në opozitë nuk ka armiqësi me SPAK-un si institucion, por ka papajtueshmëri të plotë me prokurorët dhe gjyqtarët që kanë një axhendë politike dhe që nuk i shërbejnë ligjit dhe interesave kombëtare. Nuk mund të themi se të gjithë prokurorët apo gjyqtarët janë njësoj.
Në lidhje me arrestimin e Erion Veliajt, Këlliçi thotë se ai është një mesazh i qartë se kryebashkiaku i Tiranës është një model i mbrapshtë i promovuar në politikën shqiptare.
“Ajo që ka ndodhur me Veliajn ka qenë një mesazh i qartë se një model që është i mbrapshtë i promovuar në politikën shqiptare, ka në thelb mashtrimin politik, këtë model ta çrrënjosim nga politika në tërësi”, thotë Këlliçi.
/tvklan.al