Të ftuar:
Luigi Soreca – Ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri
Besnik Mustafaj – Shkrimtarë
Fevziu: Zoti Ambasador, mirëserdhët në “Opinion”, shumë faleminderit për kohën tuaj.
Përshëndetje.
Fevziu: Shoh se flisni pak shqip?
Ambasadori: Kam filluar të mësoj shqip, kështu që, përshëndetje, mirëmbrëma, është kënaqësi të jem këtu me ju.
Fevziu: Është shumë interesante. Ju jeni ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Shqipëri, por keni gjithashtu edhe një lidhje të vjetër me Shqipërinë, le të themi rreth viteve 2009-2010. Keni qenë një nga zyrtarët që dhanë kontribut në liberalizimin e vizave për shqiptarët.
Ambasadori: Po, e vërtetë. Kam qenë i ngarkuar me hartimin e një dokumenti që ne e quanim Udhërrëfyesi, ose lista e detyrave që duhet të permbushte shteti shqiptar. Ne e nisëm punen në vitin 2007 dhe e përfunduam atë në vitin 2010. Kam filluar me zëvendëspresidentin Fratini, – kam pasur nderin të ishte një nga personat më të afërt me të cilët kam punuar, ndërkohë që punën e mbarova me Komisioneren Malmstrom më 15 dhjetor 2010.
Fevziu: Pikërisht ditën kur shqiptarët patën mundësinë të udhëtonin pa viza. 15 dhjetor 2010.
Ambasadori: Më lejoni t’ju tregoj një ngjarje, edhe sepse jam shumë i lidhur me të. Në fakt, jam shumë i lidhur me Shqipërinë, jam shumë i lidhur me shqiptarët dhe kjo histori e tregon fare qartë se pse është kështu. Kur ishim në pikën e përfundimit….
Fevziu: Të gjithë ambasadorët thonë se janë shumë të lidhur me Shqipërinë. Është e sinqertë apo jo?
Ambasadori: Unë jam shumë i sinqertë dhe mund t’ju them se ajo natë e dhjetorit 2010 ishte shumë e veçantë për mua.
Fevziu: 15 dhjetor 2010?
Ambasadori: Po, në mesnatë isha në aeroportin Zaventem të Brukselit, për të pritur 50 shqiptarët e parë që udhëtonin si pjesë e një udhëtimi…
Fevziu: Po, çarteri i parë nga Tirana në Bruksel me studentë dhe disa të rinj. Po, më kujtohet ky udhëtim.
Ambasadori: Pikërisht! ishin 25 studentë dhe 25 njerëz më të rritur. Unë isha jashtë, duke pritur që ata të dilnin, t’i përgëzoja dhe t’i nxirrja nga aeroporti, sepse ishte hera e parë që po hynin në zonën Shengen pa viza. Kështu u krijua një lidhje e vecantë mes meje dhe atyre njerëzve. Madje mund t’ju them se jam ende në kontakt me ata të rinj. E kam ndjekur karrierën e tyre dhe i kam ndihmuar aq sa kam mundur. Dhe tani që jam këtu kam takuar tashmë disa prej tyre.
Fevziu: Është shumë interesante, ju keni punuar tre vjet për liberalizmin e vizave, por për shqiptarët liberalizimi i vizave ka vetëm fytyrën e Tania Fajonit. Të gjithë njohin Tania Fajonin. Si është kjo diferenca mes anës politike dhe anës teknike?
Ambasadori: Ana politike është shumë e rëndësishme sepse politikanët tregojnë drejtimin, orientimin, dhe flasin me politikanë të tjerë. Pastaj janë zyrtarët e nivelit të lartë, si unë, që kanë punuar vërtetë shumë me autoritetet shqiptare për t’i çuar përpara reformat. Mund t’ju them se liberalizimi i vizave…
Fevziu: Vinit shpesh në Shqipëri atëherë?
Ambasadori: Çdo muaj, ose kam ardhur vetë, ose kam dërguar ekspertë. Kam qenë këtu çdo muaj.
Fevziu: Çfarë bënit në Shqipëri çdo muaj?
Ambasadori: Diskutonim me ministritë e ndryshme përgjegjësepër menaxhimin e kufijve, migracionin, luftën kunder krimit të organizuar, korrupsionit.
Fevziu: Edhe kontrollin e standardeve?
Ambasadori: Sigurisht! Pastaj ne vërenim dhe raportonim kur ishte kryer reforma. Ky ka qene një laborator i madh, pasi tregoi se autoritetet shqiptare mund të punojnë së bashku. Uniteti në nivel politik në atë kohë ishte kyci i arritjes së atij rezultati të rëndësishëm.
Fevziu: Kur e vizituat Shqipërinë për herë të parë, e mbani mend?
Ambasadori: Po, mendoj se ka qene janari i vitit 2007, me zëvendëspresidentin Fratini, për të nisur dialogun për liberalizimin e vizave.
Fevziu: Ky ishte fillimi. Cila ishte përshtypja e parë për Shqipërinë? Italianët nuk kanë përshtypje shumë të mirë për Shqipërinë. Janë shumë miq me shqiptarët, po nuk kanë ndonjë imazh të mirë për Shqipërinë.
Ambasadori: Nuk mendoj se problemi ka të bëjë me italianët. Unë jam italian, por jam evropian. Ka një hendek ndërmjet situatës dhe reputacionit. Shqipëria duhet të përballet me këtë. Dhe kjo nuk lidhet medoemos me faktet. Kushdo që vjen në Shqipëri habitet. Habitet nga bukuria e saj natyrore, habitet nga mirësia e njerëzve dhe largohet me mendim tjetër për vendin. Më lejoni t’ju jap një shembull.
Fevziu: Sepse në përgjithësi, Ambasador, lajmet e këqija janë më interesante se lajmet normale. Kjo do të thotë që imazhi i Shqipërisë, imazhi i njerëzve në anije që shkonin në Itali në vitin 1991-1992, apo imazhi i vitit 1997, i protestave këtu, ato janë më evidente se lajmet e tjera.
Ambasadori: Ato imazhe sigurisht paraqesin një pjesë të Shqipërisë, por ka dhe imazhe të tjera. Shqiptarët, që pas njëfarë kohe qëndrimi në Itali, janë kthyer dhe ata kanë nisur ndërmarrje të mëdha e të suksesshme. Nuk dua të përmend emra sepse nuk është vendi.
Fevziu: Po, ka shumë. Në parlament, kemi anëtarë të parlamentit. Kemi shefa të mirë, kemi gjithçka. Po.
Ambasadori: Unë i kam takuar dhe dua t’ju them se dëshiroj të bëj një projekt për historitë e suksesit shqiptar që bota të shohë se si shqiptarët që janë kthyer mund të tregojnë se shqiptarët nuk kanë pse ikin, ata duhet të mësojnë, po të jetë e nevojshme, dhe pastaj të kthehen në Shqipëri.
Fevziu: Sa kohë keni si ambasador në Shqipëri?
Ambasadori: Kjo është java ime e tetë.
Fevziu: Tetë javë? Dhe keni pasur kohë t’i takoni të gjithë këtu?
Ambasadori: Jo gjithkënd, por kam punuar çdo ditë pothuajse 24 orë. Kam udhëtuar tashmë jashtë Tiranës. Kam qenë në Shkodër, në Kukës, në Berat, kam qenë në Fier.
Fevziu: Për tetë javë?
Ambasadori: Kam pasur kohë edhe të bëj rafting në kanionin e Osumit apo të shkoj në Parkun Kombëtar të Divjakës për të parë zhvillimet e lagunës atje. E dua Shqipërinë, jua thashë këtë.
Fevziu: Jeni ambasador me fat. Keni pasur rastin të bëni rafting në Osum, por për shkak të presionit publik është arritur mbyllja e projektit për ndërtimin e një hidrocentrali aty.
Ambasadori: E di që ka ekzistuar një projekt i tille, por që falë shoqërisë civile, me sa kam kuptuar, projekti që duhej të bëhej atje, që mund të ndikonte tek kjo bukuri natyrore, është ndalur për momentin. Po flisnim për reputacionin më parë. Shqipëria ka nevojë, për shembull, për turizëm të qëndrueshëm. Kjo është mënyra më e mirë për të ndryshuar reputacionin.
Fevziu: Çfarë është turizmi i qëndrueshëm?
Ambasadori: Turizëm i qëndrueshëm do të thotë turizëm që është afër bukurisë natyrore të Shqipërisë. Shqipëria duhet të punojë me trashëgiminë kulturore të mijërave luginave të saj dhe të qyteteve të bukura. Vitin tjetër ne do të vemë në dispozicion 40 milionë Euro me qëllim që të financojmë…
Fevziu: 40 milionë Euro? Për projektin?
Ambasadori: Për një seri projektesh që do të identifikojmë me qeverinë, me qëllim që të bëhet i mundur zhvillimi i zonave të ndryshme të vendit që ato të kthehen në atraksione turistike, duke respektuar turizmin natyror dhe të qëndrueshëm.
Fevziu: Kjo është shumë interesante, por do t’i kthehem lidhjes suaj me Shqipërinë. Kam dëgjuar se e keni nisur karrierën tuaj si prokuror në Palermo. E vërtetë është?
Ambasadori: Sigurisht që është e vërtetë.
Fevziu: Prokuror në Palermo?
Ambasadori: Kam punuar në Palermo në fillim të viteve 90-të dhe merresha me anti-Mafian.
Fevziu: Me anti-Mafien në Palermo? Në Sicili, që është vendi më i keq për të punuar në Itali.
Ambasadori: Nuk do ta thosha këtë, sepse Sicilia është një vend shumë i bukur.
Fevziu: Absolutisht, më pëlqen shumë.
Ambasadori: 98% e sicilianëve janë njerëz të shkëlqyer. Unë aty e fillova karrierën time. Pata privilegjin dhe nderin të punoja me një grup njerëzish që ndryshuan rrjedhën e politikës kundër Mafias.
Fevziu: Nga cili qytet i Italisë jeni me origjinë?
Ambasadori: Unë jam napolitan.
Fevziu: Jeni nga Napoli dhe nisët të punonit me anti-mafien në Sicili në kohën e Giovanni Falcone-s dhe Paolo Borselino-s.
Ambasadori: Po. Nuk kam pasur kënaqësinë të punoja me gjykatës Falcone-n, sepse fatkeqësisht, nuk pata kohë ta bëja këtë gjë, por pata kënaqësinë të njihja dhe të punoja me gjykatës Borselino-n. E kam takuar gjykatës Falcone-n dhe duhet të them se në ato pak javë që pata rastin të punoja me të, mësova sa i rëndësishëm është përkushtimi ndaj shtetit ligjor dhe respekti për njerëzit. Ai na mësoi të gjitheve ne se c’do të thotë të jesh tërësisht i angazhuar në punën tënde.
Fevziu: Çfarë lloj njerëzish ishin? Falcone, për shembull, pastaj Borselino.
Ambasadori: Të dy ata thoshin se nuk ishin heronj. Demokracia nuk ka nevojë për heronj dhe unë jam plotësisht dakord me ta. Nuk duhen heronj për të mposhtur krimin e organizuar. Duhet sistemi, dhe sistemi që lipset është ai që nis me policinë, me magjistratët dhe vazhdon, sigurisht, me klasën politike dhe shoqërinë civile. Ajo që mësova, është se kur një grup njerëzish të talentuar, më lejoni të them se behej fjale per Falconen, Borselinon, por edhe burra dhe gra me të cilët kam punuar, si Boris Giuliano, Nini Cassararo, Roco Canici, Emanuela Lori. Ata kanë treguar se kur ekziston një grup njerëzish të vendosur që duan t’i ndryshojnë gjërat, nëse mbështeten nga shoqëria civile dhe klasa politike, synimi mund të arrihet.
Fevziu: Por ata humbën jetën, Falcone dhe Borselino, çka do të thotë se lufta kundër krimit të organizuar ishte shumë e vështirë në atë kohë.
Ambasadori: Po.
Fevziu: Dhe masakra e Capaci-t ishte diçka e tmerrshme…
Ambasadori: Unë isha atje.
Fevziu: Ju ishit atje?
Unë isha atje, tek e dyta, ajo në rrugën “Amelio”, ku Borselino dhe truproja e tij humbën jetën.
Fevziu: Para syve të së ëmës…
Po, dhe ishte një moment i tmerrshëm. Çdo 19 korrik, në orën 5 pasdite, e kujtoj pikerisht këtë gjë. Por, po ashtu, kujtoj edhe se ata më mësuan sa e rëndësishme është të besosh në atë që bën. Dhe kjo më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës time, edhe kur u largova nga Sicilia.
Fevziu: Besonin vërtet në luftën kundër Mafies, Falcone dhe Borselino?
Ambasadori: Deri në njëfarë pike e dinin që ndoshta do të rrezikonin jetën, por vazhdonin të thoshin se idetë tona do t’i vazhdojnë të tjerë burra dhe gra. Dhe kjo është ajo që e çoi Italinë përpara.
Fevziu: Do t’ju pyes për njerëzit që i vranë. Por mendoj se në atë kohë në Itali kishte shumë akuza për lidhjet mes politikës dhe mafies. Cili është roli i gjykatësve apo prokurorëve në këtë lidhje? Kur njeh mirë, për shembull, disa njerëz nga mafia, nga malavita, kur kanë lidhje të mira me politikën, sepse i ndihmojnë këta njerëz për votat, i ndihmojnë për nevojat politike që kanë dhe për kompensim kanë mbështetje.
Ambasadori: Nuk kam pse e zbuloj historinë, por ama ne identifikuam politikanë jo vetëm në nivel vendor, por edhe në nivel kombëtar që ishin të lidhur me krimin e organizuar. Në fakt, krimi i organizuar ka nevojë për mbështetje në mënyrë që të kryejë veprimtarinë e vet kriminale. Pra, ata kërkojnë mbështetje dhe mosndëshkueshmëri.
Fevziu: Për të qenë më të sigurt.
Ambasadori: Dhe këtu hyn në fuqi prokurori, magjistrati, policia që të thyhet lidhja mes provave dhe mosndëshkueshmërisë.
Fevziu: Si mund të thyhet kjo lidhje?
Ambasadori: Kam mësuar se cili ishte një nga sekretet e punës. Kjo vjen nga hera e parë kur Giovanni Falcone iu bashkua grupit anti-Mafia në 1984 ai tha dy fjalë: “Ndiqni paranë”.
Fevziu: Ndiqni paratë?
Ambasadori: Dhe ndiqni paratë do të thotë, filloni të kontrolloni çekun e vogël,
assegni
, i quajmë ne.
Fevziu: Mendoj se “Ndiqni paratë” ishte edhe kredoja e gjeneral Dalla Chiesa-s në fillim të viteve 80.
Ambasadori: Absolutisht. Për fat të keq, ata nuk u takuan, sepse gjeneral Dalla Chiesa u vra në vitin 1983, ndërsa Falcone iu bashkua ekipit anti-Mafia në vitin 1984. Por mesazhi i tij ka qenë kyç për shkaterrimin e Cosa Nostra-s në Sicili. Ndiqni paranë, pse? Sepse duke ndjekur paranë, ju shkoni nga çeqet e vogla tek transfertat ndërkombëtare të parave dhe me bashkëpunim të mirë ndërkombëtar mund të ndikoni vërtetveprimet e krimit të organizuar.
Fevziu: Në atë kohë Mafia ishte e pasur? Kishin shumë para në duar?
Ambasadori: Sigurisht që po, sepse punonin në fusha të ndryshme: trafik droge, korrupsion, pastrim parash. Ata pastronin para në ekonominë e ligjshme, dhe kjo është domethenia e vërtetë: të mos lejosh që paratë që vijnë nga aktivitete të paligjshme të pastrohen në ekonominë e ligjshme. Kjo ndikon në aftësinë e shoqërisë për të funsionuar dhe prandaj ne duhet të ndjekim paranë.
Fevziu: Ky është edhe problemi që kemi për momentin. Por t’i kthehemi argumentit për lidhjen mes politikës dhe Mafias. E kuptoj fare mirë pse Mafia ka nevojë për politikën, por pse i duhet politikës Mafia?
Pervoja ka treguar se mafia kontrollon territorin dhe duke kontrolluar territorin në një periudhë të caktuar historike…
Fevziu: Kontrollojnë me frikësim?
Ambasadori: Me frikësim, me veprimtari kriminale … është edhe çështje historike dhe kulturore, që nuk kemi kohë ta cekim, por duke kontrolluar territorin ka edhe aftësinë për të kontrolluar votat dhe votat janë asetet për të cilat interesohen politikanët. Pra, është e qartë që kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe delikate dhe këtë duhet t’ua lëmë prokurorëve, gjykatësve që të vlerësojnë ata se ku ndodh kjo. Por është e qartë se lidhja kalon nepermjet aftësisë për të influencuar voten.
Fevziu: Kush i vrau Falcone-n dhe Borselinon?
Ambasadori: Kjo është pjesë e historisë tashmë. Janë anëtarët e Cosa Nostra-s në Sicili që tani janë dënuar të gjithë dhe po kalojnë dënimin e përjetshëm në Itali falë një dispozite, neni i famshëm 41 bis, të cilin e ka hedhur në tryezë qeveria shqiptare..
Fevziu: Për disa njerëz neni 41 është shumë i çuditshëm, për të tjerë është e vetmja mënyrë për të dënuar kriminelët. Cili është mendimi juaj për 41 bis? Më falni, po shpjegoja 41 bis.
Ambasadori: Edhe një herë, përvoja ka treguar, dhe unë përvojë kam, se neni 41 bis, ka qenë, mes mjeteve të tjera, një element thelbësor për të ndërprerë komunikimin ndërmjet atyre që ishin ende bosë brenda burgjeve dhe atyre që ishin jashtë. Duke e bërë këtë, njerëz si Toto Riina, apo të tjerë, u izoluan plotësisht dhe nuk kanë mundur më t’u komunikonin urdhra, apo strategji, njerëzve jashtë.
Fevziu: Nuk e di nëse e dëgjuat, dy-tri javë më parë kryeministri i Shqipërisë foli për sms që vinin nga burgjet e Shqipërisë përmes anëtarëve të Parlamentit, duke i frikësuar ata për ligjin.
Ambasadori: E dëgjova që e përmendi këtë, po ja pse e mbështes plotësisht nismën e marrë nga Ministria e Drejtësisë për të perfshire nenin 41 në draftin e fundit, që me sa di unë, do të diskutohet së shpejti.
Fevziu: Kjo është mbështetje që e keni dhënë si ish-prokuror, në bazë të historisë suaj, apo është një mbështetje që vjen nga Bashkimi Evropian?
Ambasadori: Së pari, do të thosha se është përvoja ime si zyrtar i luftes kunder mafias, por mund të them se është edhe legjislacioni ndërkombëtar dhe në veçanti sa u përket të drejtave tënjeriut, neni 41 bis e ka kaluar testin edhe në Gjykatën Ndërkombëtare dhe prandaj është nje cështje që mund të mbështetet edhe nga perspektiva e përgjithshme, nga ana e BE-së
Fevziu: Dhe sipas mendimit tuaj mund të ndryshojë paksa luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri?
Ambasadori: Aty ku ka qenë rasti, kështu ka ndodhur.
Fevziu: Duke u kthyer te Toto Riina dhe Bernardo Provinzano, emra shumë të njohur të krimit të organizuar në Itali. Jam shumë i habitur, Ambasador, për një kohë shumë të gjatë ata nuk kanë dalë në publik. Janë fshehur gjithnjë, ka qenë e pamundur të kishe edhe fotografi të tyret. Është e kundërta në Shqipëri. Ne kemi shumë njerëz nga krimi i organizuar dhe malavita që ecin në rrugët e qendrës së Tiranës apo janë të pranishëm në klubet dhe restorantet më të mira të qytetit.
Ambasadori: Sa i takon Sicilisë është edhe çështje historike. Siç ju thashë, Mafia i ka fillimet e saj në shekullin 18. Njerëzit që e nisën Mafian ishin njerëz normalë që fshiheshin për shkak të traditës kulturore. Ne rastin e Shqipërise, është e qartë që kjo eshte ne dore te Prokurorise. Ajo që mund të them është se është e qartë që krimi i organizuar duhet luftuar vertet fort, kudo qoftë, dhe nëse Shqipëria dëshiron të vazhdojë në udhën e saj drejt BE-së, duhet të zbatojë praktikat më të mira që i kemi pasur edhe në vende të tjera, në Itali per shembull, por edhe në vende të tjera në Bashkimin Evropian dhe në botë. Një nga sekretet, siç e thashë, është gjurmimi i parase.
Fevziu: Të ndiqen paratë. Kjo është e vështirë. Por pyetja e fundit për Italinë ishte se jam habitur në Sicili, në Palermo dhe në gjithë zonën, ishte zonë e Mafies, jetë shumë e vështirë, por në 20-25 vitet e fundit është një vend normal, pjesë normale e Italisë si pjesët e tjera. Si fitoi në këtë zonë shteti dhe sundimi i ligjit?
Ambasadori: Më lejoni të kthehem te Giovanni Falcone. Ai thoshte se Mafia është një fenomen njerëzor. Ajo ka një fillim, ka një evolucion dhe mund të ketë një fund. Dhe kjo është shumë, shume e vërtetë. Unë kam qenë në periudhën e evolucionit dhe kam parë evoluimin e luftës kundër krimit të organizuar. Atëherë shteti dhe shoqëria civile vendosën të ngriheshin dhe pas masakrës së Borsellino-s dhe Falcone-s shteti e ndryshoi legjislacionin, ndryshoi qasje. Shoqëria civile u ngrit ne proteste. Rrugët e Palermos u mbushën me mijëra e mijëra njerëz që kërkonin te veprohej. Unë kam pasur privilegjin të isha atje dhe pashë se si kur klasa politike, shoqëria civile dhe një grup njerëzish të talentuar dhe të përkushtuar behen bashke, ata mund t’i ndryshojnë gjërat.
Po të më pyesni nëse e kemi arritur fundin e krimit të organizuar, kjo është e vështirë të thuhet. Ai ka ndryshuar formë, ka ndryshuar trajtë. Siç thoni edhe ju, në rrugët e Palermos situata është siç nuk ka qenë për një kohë të gjatë. Krimi i organizuar është ende i pranishëm, në tjetër formë, në të tjera vende, ndaj nuk duhet të dorëzohemi, duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të punojme edhe per parandalimin.
Fevziu: Keni ndonjë informacion për lidhjen mes Mafies italiane dhe Mafies shqiptare?
Ambasadori: Është e qartë se dy vendet, dhe rrjedhimisht keto dy veprimtari kriminalite, janë afër gjeografikisht dhe kjo nuk është e fshehtë. Ka pasur kontakte mes organizatave të ndryshme në fushën e trafikut të drogës, kontrabandës, migrantëve apo në mënyrë më të përgjithshme, në trafikun e paligjshëm. Ato ekzistojnë, luftohen nga të dyja anët, por ne duhet t’i monitorojmë ato.
Fevziu: Dua t’ju bëj një pyetje për eksperiencën tuaj. Disa nga njerëzit e Mafies, disa nga njerëzit me emër të madh si Toto Riina, Provenzano dhe të tjerët, janë njerëz që mendojnë se janë bosë të Mafies dhe nuk kanë frikë nga shteti. Në fakt, kanë frikë nga shteti dhe nga ligji?
Ambasadori: Duhet të jenë. Patjeter. Ajo që i bën bosët e Mafies kaq të fuqishëm është ndjesia e mosndëshkueshmërisë. Ata besojnë se nuk mund të ndiqen penalisht. Nëse ndiqen penalisht, do te fillojne ta humbasin vetëbesimin dhe këtu duhet të ndërhyjë shteti. Ata duhet të ndiqen penalisht dhe te dënohen. E di që këtu në Shqipëri të gjithë flasin për peshqit e mëdhenj…
Fevziu: Po, ishte ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri Lu që foli për peshqit e mëdhenj, por kemi një vit e gjysmë që presim për peshqit e mëdhenj, por deri tani kemi parë vetëm sardele.
Ambasadori: Gjithsesi, mendoj se javët e fundit që kur kam ardhur, kam parë një operacion të ndërmarrë nga Ministria e Brendshëm, nga policia e shtetit shqiptar. BE-ja dhe unë personalisht e kemi mirëpritur këtë operacion që ka nisur të çmontojë disa banda shumë të rrezikshme në Shqipëri.
Fevziu: Po, por i kthehem këtij argumenti. Kemi një problem, Ambasador, jo vetëm t’i kapim këta njerëz, por edhe t’i dënojmë, sepse disa prej tyre mund të marrin vendime shumë të mira nga gjykata. Gjykata i liron, gjykata nuk i dënon dhe disa njerëz mendojnë se gjyqtarët janë tani në veting dhe e dinë fare mirë se nuk e kalojnë dot vetingun. Pse duhet t’i dënojnë këta njerëz? Njerëz të rrezikshëm dhe problematikë. Kjo është diçka shumë sensitive për ne.
Ambasadori: Kam qenë shumë i qartë që ditën e parë që mbërrita në Shqipëri, që hetimet janë të rëndësishme, por ndjekja penale dhe dënimet janë edhe më të rëndësishme dhe ne duam një historik të qëndrueshëm të ketyre elementeve. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë që hetimi, ndjekja penale dhe dënimi i krimit të organizuar, por edhe i krimit në përgjithësi, duhet të bëhen zakon, duhet të ndjekin njëri-tjetrin për të treguar se ka jo vetem vullnet të fortë politik, por edhe aftësi për ta bërë këtë gje. Ju po thoni…
Fevziu: Një gjyqtar që do ta lërë vendin e tij për shkak të vetingut pas disa javësh dhe e di shumë mirë këtë, pse ta dënojë një kriminel?
Ambasadori: Duhet ta bëjë. Atij i duhet mbështetja e autoriteteve publike. Ai sigurisht ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar dhe në veçanti te Bashkimit Evropian. Dhe unë dua t’u them gjykatësve jo qe të jenë heronj, por të bëjnë punën e tyre. Dhe ta bëjnë punën e tyre me korrektesë deri në fund, sepse reforma në drejtësi është për te mirën e vendit e jo për te kunderten. Dhe fakti që disa gjykatës janë pushuar apo kanë dhënë dorëheqjen, konfirmon anën e mirë të reformës dhe jo të kundërtën e saj.
Fevziu: Kemi këtë problem me gjyqtarët, kemi këtë problem me prokurorinë dhe të gjithë janë fokusuar vetëm te policia. Tani kemi edhe një problem me policinë. Ministri Xhafaj u ndërrua, ai dha dorëheqjen dhe kemi një zëvendësministër sepse deri tani është refuzuar nga presidenti. Por para së gjithash, a keni ndonjë opinion mbi dorëheqjen e Xhafajt?
Ambasadori: Publikisht ai nuk i ka treguar arsyet. Sinqerisht qe ne nuk e dimë arsyen e dorëheqjes së tij.
Fevziu: Keni ndonjë ide?
Ka spekulime, por nuk besoj se ky është roli im. Roli im, siç e thashë, është që t’u them autoriteteve shqiptare që na nevojitet një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale.
Fevziu: Çfarë është një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale?
Ambasadori: Ministri e Brendshme plotësisht funksionale do të thotë që Ministria duhet të jetë e aftë të ketë titullarin e vet sa më shpejt në mënyrë që sistemi…
Fevziu: Edhe si zëvendësministër?
Ambasadori: Ne presim që Ministri i Brendshëm të emerohet se shpejti dhe kjo është ajo që nenkuptoj me Ministri plotësisht funksionale, sepse Policia e shtetit shqiptar, komuniteti ndërkombëtar, të gjithë duhet të kenë forcën e Ministrisë së Brendshme.
Fevziu: Por kemi diskutime mes presidentit dhe kryeministrit dhe në këto momente, Ambasador, është çmenduri por nuk kemi Gjykatë Kushtetuese.
Ambasadori: Unë i ndjek vertete nga afer zhvillimet ne vend. E shoh që kryeministri dhe presidenti po diskutojnë me njeri-tjetrin.
Fevziu: Situatë shumë e çuditshme.
Ambasadori: Mendoj se është e rëndësishme që të jenë brenda kufijve kushtetues dhe të vazhdojnë të punojnë së bashku per të gjetur një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është synimi ynë, ky është objektivi i Bashkimit Evropian.
Fevziu: Duhet një Ministri e Brendshme me një ministër në krye?
Ambasadori: Kështu funksionon në çdo vend, apo jo?
Fevziu: Kjo është normale, por në Shqipëri kemi pasur edhe disa eksperienca më parë me zëvendësministra. Duke u kthyer te Ministria e Brendshme kemi pasur disa veprime mjaft interesante në Shkodër, Shijak, Tirana dhe disa qytete të tjera, por njerëzit mendojnë se ka vende shumë problematike si Elbasani, Vlora dhe të tjera, ku deri tani nuk kemi ndërhyrje nga policia.
Ambasadori: Kam punuar me prokurorine, nuk jam më prokuror dhe nuk kam informacion mbi praninë në qytete të ndryshme, por më lejoni të them edhe një herë se ne presim që autoritetet shqiptare, si një e tërë, të vazhdojnë të rrisin luftën kundër krimit të organizuar në të gjithë territorin. Ky është prioriteti kryesor për Bashkimin Evropian tani dhe në muajt e ardhshëm, me qëllim që vitin tjeter të mund te raportojmë tek institucionet e BE-së permbushjen e kërkesave te Keshillit nga qershori i kaluar.
Fevziu: Do t’ju pyes për zhvillimet e fundit mes BE-së dhe Shqipërisë, por sot në mëngjes dëgjova një lajm shumë të rëndë dhe a mund të jepni një mendim? Dëgjova se më shumë se 28 persona janë zhdukur, sidomos në Vlorë dhe në qytete të tjera. Njerëzit që kanë raportuar mendojnë se janë vrarë apo rrëmbyer. Ky është një fenomen i ri në Shqipëri. 28 veta vetëm në Vlorë dhe rrethina.
Ambasadori: Mendoj se ky është lajm shqetësues. Mendoj se nëse konfirmohet, kjo duhet te trajtohet si një çështje urgjente. Lufta kundër krimit të organizuar është një çështje komplekse, por duhet çuar përpara me forcat e specializuara. Dhe personat e humbur është një pjesë e asaj çka dëshirojmë të shohim të luftohet nga taskforca e Ministrisë së Brendshme.
Fevziu: Ambasador, një problem i madh për ne është edhe investimi i parave të pista apo kriminale në tregun real, normal. Njerëzit që kanë bërë para me kanabis, nga trafiku i kokainës apo heroinës, tani mund të jenë ndërtues normalë apo investitorë në biznese normale. Si mund të orientohemi me këtë?
Ambasadori: Siç e shihni po kthehemi te pika qe permenda me heret: “Ndiqni paranë”. Një nga shqetësimet kryesore që kemi është pastrimi i parave që vijnë nga aktiviteti kriminal, përfshirë trafikun e drogës, në ekonominë e ligjshme. Kjo ka ndikim shumë të madh në aftësinë e një vendi për t’u zhvilluar, por edhe për të tërhequr biznese, për t’u bërë tërheqës…
Fevziu: Ka Shqipëria kapacitet të ndjekë paratë e pista?
Ambasadori: Mendoj se Shqipëria e ka kuadrin e nevojshëm ligjor, të cilin e kemi diskutuar me ministri të ndryshme. Nuk ka nevojë për ndonjë ndryshim dramatik të legjislacionit. Ekziston nevoja për të krijuar një strukturë që ta lejojë qeverinë shqiptare që të ndjekë paranë. Me padurim ne presim SPAK-un dhe BKH-ne. Taskforca qendrore ishte fillimi i kësaj pune.
Fevziu: Kur do të vihen në punë?
Ambasadori: Ne shpresojmë në fund të pranverës, pas krijimit të institucioneve të reformës gjyqësore, që po kryhet ngadalë, por me siguri.
Fevziu: Po flisnit për sistemin më parë, jo për njerëzit. Mendoni se ky sistem i ri që komuniteti ndërkombëtar dhe Shqipëria do të ndërtojnë mund të realizojë ndëshkimin e njerëzve të pandëshkueshëm këtu? Njerëzit e rëndësishëm, jo peshqit e vegjël.
Ambasadori: Le t’i kthehemi sërish pervojes që kemi. Po. Pasi të keni instrumentet, atëherë është vetëm çështje vullneti politik për t’u aktivizuar dhe per te arritur objektivin.
Fevziu: Mendoni se ky sistem që keni ndërtuar, le të themi, Byroja e Hetimeve dhe strukturat e tjera, mund të shkëputen nga politika?
Ambasadori: Institucionet i përkasin shoqërisë, i përkasin demokracisë dhe prandaj politika, na pëlqen apo jo, është pjesë e demokracisë.
Fevziu: Teorikisht, po.
Ambasadori: Ndaj shpresa jonë është që pasi te jene ngritur institucionet, dhe kjo është edhe bindja jonë, autoritetet shqiptare do t’i lejojnë ato të punojnë.
Fevziu: Ambasador, cili është problemi më i rëndësishëm mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, çështja kryesore?
Ambasadori: Çështjet kryesore janë ato që renditen në mënyrë ndoshta shumë burokratike si pesë prioritetet kyçe. Reforma e administratës publike, lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit, reforma e sistemit të drejtësisë dhe mbrojta e pakicave.
Fevziu: Me sa më kujtohet, janë po këto të pesta.
Ambasadori: Ka pasur progres në secilin prej tyre, por ka ende shumë për të bërë. Ndaj detyra ime është…
Fevziu: Mes këtyre të pestave kush është më problematike sipas Bashkimit Evropian?
Ambasadori: Mendoj se të gjitha po përparojnë. Ka një kërkesë nga shtetet anëtare, nga Këshilli, nga Parlamenti, nga Komisioni Evropian për t’i forcuar të gjitha së bashku. Më duhet të them se ka shumë vëmendje në këtë çast ndaj asaj që ndodh në Shqipëri në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa gjithë gjërat e tjera vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishme.
Fevziu: Patëm një diskutim se çfarë do të ndodhë në qershor 2019. Hapja e negociatave do të jetë automatike apo Shqipëria duhet të ketë më shumë rezultate para vlerësimit?
Ambasadori: Nuk ka asgjë automatike.
Fevziu: Nuk ka asgjë automatike? Kjo do të thotë që do të kemi një vlerësim të ri?
Ambasadori: Ne presim që Komisioni Evropian të nxjerrë një raport. Kjo është shkruar në konkluzionet e Këshillit. Do të nxjerrë një raport në pranverë me qëllim që të konfirmojë vlerësimin e vitit të kaluar në bazë të progresit të bërë nga Shqipëria gjatë këtij viti. Dhe pikërisht këtu ne i nxisim autoritetet të vazhdojnë punën e mirë që kanë nisur dhe që i çoi në identifikimin e udhës drejt hapjes së negociatave. Nuk dua të nënvlerësoj rëndësinë e konkluzioneve të qershorit të kaluar. Për herë të parë Këshilli identifikoi një datë, në të cilën do të merret vendimi për hapjen e negociatave. Por, le të jemi të sinqertë, ky është fundi i fillimit, jo fillimi i fundit.
Fevziu: Po, absolutisht. Por, Ambasador, kemi dy vlerësime pozitive nga Komisioni Evropian dhe refuzim nga shtetet anëtare.
Ambasadori: Është e drejta e disa prej shteteve anëtare të marrin këtë pozicion.
Fevziu: Është sepse mendojnë ndryshe nga Komisioni Evropian apo sepse ka antishqiptarizëm apo fobi antishqiptare në disa nga shtetet evropiane?
Ambasadori: Jo, dua të jem shumë, shumë i qartë këtu. Nuk ka albanofobi. Ekziston një nevojë e qartë që Shqipëria të trajtojë disa çështje specifike që prekin disa shtete anëtare. Dhe pikërisht këtu Bashkimi Evropian po e ndihmon Shqipërinë, bashkë me shtetet anëtare të interesuara, që t’i trajtojë këto çështje specifike.
Fevziu: Po mes këtyre çështjeve, sipas Bashkimit Evropian, cila është çështja ku qeveria shqiptare duhet të fokusohet më shumë?
Ambasadori: Unë shpresoj që qeveria shqiptare do të fokusohet tek të gjitha çështjet që kemi ngritur në raportin e Komisionit, në konkluzionet e Këshillit. Duhet që ata të arrijnë rezultate për këto çështje me qëllim që të arrihet një zgjidhje pozitive në qershor. Dhe ne, Bashkimi Evropian, shpresojmë vërtet se nëse do të ndodhë kështu, Shqipëria meriton të nisë negociatat e anëtarësimit me qëllim që të përparojë më tej, pasi ajo që është vërtet e rëndësishme, më lejoni ta them këtë, eshte se fillimi i negociatave do t’i japë aftësi shtesë qeverisë shqiptare që të ecë përpara me reformat. Ky nuk është fundi, është fillimi.
Fevziu: Por, Ambasador, problemi është si do të ndikohet vendimi i qershorit nga zgjedhjet evropiane të majit 2019?
Ambasadori: Natyrisht qe zgjedhjet evropiane do të keni një dimension evropian. Progresi që do të bëjë ose nuk do te beje qeveria shqiptare, as nuk do të influencohet, as nuk do të influencoje zgjedhjet evropiane. Ndaj, nëse qeveria shqiptare, nëse Shqipëria, ecën përpara siç ka bërë në të kaluarën, dhe ne shpresojmë se Shqiperia do të vazhdojë ta bëjë kete gje edhe tani, drejt qershorit 2019, zgjedhjet për në Parlamentin Evropian nuk do të kenë ndikim të drejtpërdrejt në këtë ceshtje.
Fevziu: A është problem rritja e numrit të azilkërkuesve në vendet evropiane nga Shqipëria? Kam dëgjuar se ka shumë në Francë, për shembull.
Ambasadori: Sigurisht që po ne jemi shumë të kënaqur të shohim se Shqipëria dhe Franca kanë hartuar së bashku një Plan Veprimi dhe shkëmbime zyrtaresh që kanë mundësuar uljen e numrit të atyre që udhëtojnë dhe qe e tejkalojnë afatin e qëndrimit. Ky është lajm pozitiv. Shifrat duhen stabilizuar dhe duhet të vazhdojnë të ulen.
Fevziu: Si ekspert dhe ambasador i Bashkimit Evropian a ka rrezik të kthehen vizat për shqiptarët për shkak të numrit të azilkërkuesve?
Ambasadori: Në këtë faze, Komisioni Evropian nuk mendon të shkojë në atë drejtim, pikërisht për atë që sapo thashë. Ka një prirje pozitive të uljes së aplikimeve te pabaza për azil dhe qeveria shqiptare po bën përpjekje të rëndësishme ne kete drejtim. Madje une mund t’ju them edhe qe Shqipëria ka një përqindje shumë të lartë të zbatimit të marrëveshjes të ripranimit me BE-ne, 100% eshte niveli i zbatimit te marreveshjes, natyrisht ne ato raste kur azilanteve nuk u jepet e drejta e azilit.
Fevziu: Për momentin, shqiptarët e Kosovës janë të vetmit qytetarë të Ballkanit që nuk mund të udhëtojnë në Bashkimin Evropian. Çfarë problemi ka me Kosovën?
Ambasadori: Ju thashë që kam nisur udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave në të gjithë rajonin.
Fevziu: Po, duke përjashtuar Kosovën.
Ambasadori: Jo, edhe në Kosovë. Por pastaj ndryshova punë, dikush tjetër punoi ne vendin tim. Megjithate, une munda të perfundoja shumë prej tyre. Sigurisht tani Kosova ka përparuar dhe Komisioni ka dhënë një opinion pozitiv. Shtetet anëtare tani po e diskutojnë kete ceshtje në Këshill. Ato po kalojnë fazen e vlerësimeve të tyre kombëtare. Ne shpresojmë që vendimi do të merret se shpejti. Nuk mendoj se është me vend të këmbëngulet për një datë, por shpresojmë që kjo do të ndodhë shpejt.
Fevziu: Është një diskutim i hapur, me shumë komente në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë, një marrëveshje finale që mund të bëhet përmes korrigjimit të kufijve. Ndryshim i territoreve.
Ambasadori: Dëgjoni, kjo është një çështje shumë e rëndësishme. Bashkimi Evropian, siç e dini, po e ndjek nga afër kete ceshtje, duke e lehtësuar dialogun. Shpresojmë të kemi një marrëveshje afatgjatë që do të vendoset reciprokisht, në përputhje me te drejten ndërkombëtare dhe legjislacionin e BE-së, që mbështetet nga komuniteti ndërkombëtar dhe pa kaluar në shtete etnike.
Fevziu: Ka dy vizione të ndryshme lidhur me ketë marrëveshje mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara?
Ambasadori: Nuk mendoj ashtu, kam dëgjuar deklaratat e fundit nga të dyja palet, deklarata që janë në të njëjtin drejtim.
Fevziu: Dhe pastaj po flasim për reformën e drejtësisë. Mendoni se po shkon në mënyrën e duhur apo kemi probleme sipas idesë që kishit në fillim?
Ambasadori: Reforma e drejtësisë është një nga gjërat më komplekse që mund të përfytyrojë një jurist, dhe Shqipëria është përgëzuar ndërkombëtarisht që mori guximin të shkojë në këtë drejtim. Reforma hyn thellë në sistem. Procesi i vetingut është në udhën e duhur, por kerkon kohë.
Fevziu: Është vonë?
Ambasadori: Nuk është vonë, është në udhën e duhur. Vetingu i rasteve prioritare po kryhet pikërisht tani. Ne presim që në fund të vitit të kemi institucionet e para si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit. Ky është një proces shumë i rëndësishëm. Duhet të respektojmë punën e atyre që po punojnë kaq shumë për ta bërë ate realitet.
Fevziu: Ambasador, pyetja e fundit. Për një kohë të gjatë Delegacioni i BE-së në Shqipëri nuk ka folur apo bërë deklarata për kanabisin apo problemet që kemi. Pse?
Ambasadori: E kam dëgjuar këtë dhe e dini çfarë bëra? Pashë intervistat dhe deklaratat që Delegacioni i Bashkimit Evropian ka dhënë dy vitet e fundit dhe gjeta pesë…
Fevziu: Mund t’ju them se nuk ka asgjë.
Ambasadori: … Pese te tilla në internet. Por nuk është kjo çështja. Sepse ne kemi financuar projekte. Edhe para mbërritjes sime kemi financuar projekte me qëllim shfarosjen e kultivimit te drogës. Nëse keni ndonjë dyshim për synimin tonë, ju më thatë që kam bërë shumë gjëra, kam bërë edhe një gjë tjetër. Të shtunën e parë që erdha hipa vetë në avionin e Guardia di Finanza-s dhe shkova në veri ne nje nga fluturimet rutine qe behen per te mbikqyrur situaten. Pashë progresin e bërë dhe shumë shpejt do të kemi rezultatet e vitit 2018 edhe falë punës së mirë të shtetit shqiptar.
Fevziu: Po më kujtohet një deklaratë e bërë nga kryeministri ynë që në kohën kur gjithë Shqipëria ishte absolutisht e mbuluar nga kanabisi tha se Guardia di Finanza bëri një deklaratë dhe tha se 99.5% e kanabisit ishte shkatërruar.
Ambasadori: Mendoj se puna po përparon shumë mirë. Shpresoj të shoh raportin e fundit të progresit financuar nga Bashkimi Evropian dhe Italia. E di qe do të ketë rezultate të mira.
Fevziu: Ka pasur edhe pretendime nga opozita se Delegacioni i BE-së mbështeste më shumë qeverinë se sa ishte aktor neutral.
Ambasadori: Mendoj se roli ynë është qe të flasim me të gjithë, t’i dëgjojmë të gjithë dhe ajo çka Bashkimi Evropian ka bërë vitet e kaluara ka qenë që ta ndihmojë Shqipërinë ne menyre kolektive. Kjo është ajo që është bërë deri tani.
Fevziu: Kam dëgjuar një koment nga ish-ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri që thoshte se disa ambasadorë, fliste për ambasadorët Lu dhe Vlahutin, po luanin një rol në Shqipëri që kurrë nuk mendonin ta luanin në vendet e tyre.
Ambasadori: Nuk mund të spekuloj për atë që ka thënë ish-ministri. Ajo që mund të them sa i takon Bashkimit Evropian është se individët ne pozicione te ndryshme, nuk punojnë kurrë vetëm. Ata mbështeten nga institucionet e tyre.
Fevziu: Këto janë deklaratat e institucioneve të tyre?
Ambasadori: Është e qartë që kështu funksionon. Në periudhën afatgjatë veprimet e tyre janë veprimet e institucionit që përfaqësojnë.
Fevziu: Çështja Tahiri është në qendër të vëmendjes. Keni ndonjë koment për këtë?
Ambasadori: Pres që çështja të ece, të përfundojë dhe të paraqiten rezultatet nga Prokuroria e Përgjithshme, sepse mendoj se është në interes të të gjithëve, përfshirë të akuzuarin, të kemi një formulim të qartë për atë që ka ndodhur.
Fevziu: Por Tahiri pretendon se rasti i tij është mbyllur në Itali nga Prokuroria e Katanias.
Ambasadori: Nuk i kam parë qartë dokumentet, por ajo që mund të them është se autoritetet gjyqësore shqiptare ende po hetojnë. Presim që ky hetim të përfundojë dhe pastaj do te dimë çfarë mendojnë autoritet sovrane shqiptare.
Fevziu: Pyetja e fundit. Keni tetë javë në Tiranë. Cilat janë interesat tuaja jashtë zyrës?
Ambasadori: Ju tregova që më pëlqen ngjitja. Kam qenë në kanionin e Osumit, në Divjakë, në Qafë Thanë. Tirana është qytet i mrekullueshëm, por më pëlqen të dal nga qyteti. Kur të mundem, do të më pëlqejë të vazhdoj te bej ngjitje në veri. Më pëlqen edhe muzika. E di që këtu ka këngëtarë shumë të mirë dhe disa prej tyre i ndjek nga afër. Pastaj më pëlqen shume fotografia dhe mendoj se Shqiperia është vendi perfekt për mua.
Fevziu: Shumë faleminderit, Ambasador, që ishit sonte këtu.
Ishte kenaqesia ime.
********************************************
Letrat kredenciale te Besnik Mustafaj!