“Dënimi i Tahirit? Po vihet re një pavarësi më e madhe e gjyqësorit“
Ka preferuar të mos ndërhyjë në zhvillimet e brendshme të Partisë Demokratike, duke mos bërë asnjë koment për lëvizjen e nisur nga ish-Kryeministri Sali Berisha në zgjedhjet vendore të 6 marsit, pavarësisht vendimit të DASH-it që e shpalli “non grata”. Nga Korça në krah të Ministres së Bujqësisë, Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca tha se BE-ja ndonëse ka zgjedhur parimin e mosndërhyrjes po i ndjek zhvillimet në kampin blu.
“Më lejoni të mos komentoj për zhvillimet e brendshme të partisë. Ne kemi ndjekur dhe vijojmë të ndjekim parimin e mosndërhyrjes. Do ketë dhe zgjedhje në të ardhmen. Në të njëjtën kohë vazhdojmë punën tonë duke biseduar me të gjitha forcat politike në vend për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit si dhe zgjatjen e vettingut.”
Komente nuk bëri edhe për vendimin e dhënë nga Gjykata për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, por punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve i cilësoi sinjale të mira në radhët e sistemit të drejtësisë.
“Ju e dini që unë nuk e kam zakon të bëjë komente për çështje specifike, por ajo që mund të them është se po shihen disa nga vendimet e fundit të gjykatësve dhe prokurorëve, ku vërehet një pavarësi më e madhe dhe më e fortë në radhët e gjyqësorit dhe ky është një lajm i mirë për konsolidimin e këtij sistemi.”
Ambasadori Soreca ftoi palët të votojnë zgjatjen e afateve të Vettingut, duke e cilësuar miratimin e ndryshimeve kushtetuese votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
Ky apel i amabasadorit të BE-së vjen në një kohë kur Këshilli i Legjislacionit ka ndezur dritën jeshile për amendimin kushtetues dhe kur Kuvendi pritet të shprehet me votë në seancën plenare të 10 Shkurtit.
Tv Klan