#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan
Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar: Osman Stafa, Kejda Mati, Ilir Alimehmeti, Lorenc Vangjeli, Orges Spahiu, Gentian Rumano
Një prej çështjeve që ka qenë vazhdimisht në vëmendje që në fillim të sezonit, skandali i Onkologjikut. Jo vetëm me rastin e famshëm që u bë viral në fund të qershorti, por edhe për historitë e vazhdueshme që janë publikuar, sidomos nga gazetari Osman Stafa por edhe prania e përfaqësuesve të Onkologjikut në parlament apo struktura të tjera. Çfarë ka ndodhur me Onkologjikun? Cilat janë pretendimet e palëve? Çfarë realisht ndodh në spitalet shqiptare, fokusuar tek Onkologjiku? Kemi marrë kryesisht persona që kanë dijeni për situatën, ngjarjen atje dhe zhvillimin në përgjithësi në këtë spital dhe një lidhje të drejtpërdrejtë për të denoncuar një rast. Prania e “Opinion” është e vendosjes përballë të palëve që mund të shpjegojnë se çfarë po ndodh dhe një shikim më i gjerë për të parë se çfarë mund të përmirësohe dhe çfarë duhet në një prej shërbimeve më sensibilizuese që ka shëndetësia, ku nevoja për shpresë është më e madhe se në çdo fushë tjetër.
“Të rinjtë po humbin kohë”, Stafa publikon mesazhet nga Onkologjiku: 43 medikamente kimio munguan
Gazetari Osmani Stafa ka publikuar disa prej mesazheve në grupin e “chatit” të punës mes mjekëve të Onkologjikut, për të cilat thotë se janë 5 vite komunikim të cilat i ka dërguar dhe në Prokurorinë e Posaçme.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Stafa shprehet se në komunikimet mes mjekëve zbulohet se janë 43 ilaçe kimioterapie që kanë munguar për 5 vite, për të cilat thotë se është kriminale.
Osman Stafa: Janë 5 vite komunikim që unë i kam dërguar dhe në SPAK. Janë komunikimet që unë nuk i kam hequr asnjë presje për shkak se unë kam firmosur në SPAK kur kam dhënë deklarimin tim që një gjë më e vogël, e cila cënon këtu grup “chati”. Unë kam dërguar të gjithë komunikimet në grupin e “chatit”.
Blendi Fevziu: Si grupin e “chatit” sepse ju duhet të dorëzoni një celular?
Osman Stafa: Teknologjia po ofron mundësinë që të eksportosh të gjithë “chatin” kur është komunikuar, me datë dhe me çdo gjë tjetër.
Blendi Fevziu: Çfarë të ka rënë në sy?
Osman Stafa: Është tmerr! Janë 43 medikamente kimio që kanë munguar për 5 vite. Është kriminale! Në “chatin” mjekët flasin për mungesa të frikshme të medikamenteve, ulje dozash për shkak të mungesave, keqfunksionimi i laboratorit të analizave.
Mes komunikimeve në dosjen voluminoze, gazetari Osmani Stafa ka zgjedhur disa prej bisedave ku mjekët ankohen për mungesën e ilaçeve të domosdoshme për pacientët me kancer, mes të cilëve dhe kjo pjesë:
AP (mjek onkolog): Çfarë flitet për phesgo? Janë disa pacientë që e kanë domosdoshmëri vazhdimin. Ka të tjera që mund ta marrin edhe ca kohë herceptin. Por disa prej tyre, mosha të reja them që po humbin kohë të vyer. Ka ndonjë informacion se kur mund të fillojnë? U bënë 2 muaj shkëputje.
BK (mjek onkolog): Nuk dimë gjë. Trastuzumab deri në zgjidhje.
“Keqmenaxhim i resurseve”, mjekja Mati: Medikamentet janë të mjaftueshme për një pjesë të tumoreve por…
Mjekja onkologe Kejda Mati e ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan është shprehur se problemi kryesor në trajtimin e të sëmurëve me kancer qëndron tek keqmenaxhimi i resurseve.
Mjekja theksoi se për një pjesë të tumoreve janë të mjaftueshme medikamentet, por këto resurse sipas saj nuk menaxhohen siç duhet.
Kejda Mati: Problemi në fakt qëndron tek përdorimi i resurseve që ne kemi në mënyrë efiçente. Ne këtë nuk jemi në gjendje që të bëjmë.
Blendi Fevziu: Resurset i kemi të mjaftueshme e para?
Kejda Mati: Shiko e para duhet të nisim tek mirëpërdorimi i atyre që kemi pastaj të shohim dhe të planifikojmë…
Blendi Fevziu: Po ato që kemi a janë të mjaftueshme?
Kejda Mati: Po për një pjesë të mirë të tumoreve janë të mjaftueshme do të thoja. Për kancerin e gjirit ne kemi resurse të mjaftueshme për të thënë që e trajtojmë shumë mirë këtë sëmundje. Çështja qëndron këtu, a po i menaxhojmë mirë ne këto resurse? Ne japim, në një prej bisedave doli që kaq është buxheti i analizave. Ne japim analiza dhe dikush aty përmendte ndoshta pavione të tjera që kanë mundësi të japin më tepër. Ne japim analiza atëherë kur nuk duhet të japim analiza, ne japim markus tumoral, atëherë kur nuk duhet të japim, japim skaner atje ku nuk duhet të japim dhe nuk japim kur duhet të japim. Ky është një keqmenaxhim i resurseve. Kjo është shumë e rëndësishme.
Ndër të tjera mjekja u shpreh se një tjetër problem në vendin tonë është edhe mënyra se si shprehemi për sëmundjet tumorale. Mati theksoi se duhet të ndryshohet narativa kur flitet për kancerin dhe të mos përdoren shprehje si “këto njerëz i ka vrarë perëndia apo janë të dënuar me vdekje”
/tvklan.al