#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.
Power Kidz 8 – Faza 2
ëmijët konkurrues • Faza.2 / Java.6:
Rejan, Flavia, Amarildo, Aria, Joel
Me pjesëmarrjen e:
Denata Toçe – Psikologe
Aurel Vula – Pediatër
Dorina Topollaj – Kryeredaktore “E Diela Shqiptare”
“Ka një mesazh për ty”- Zemra e madhe e Xhemiles së vogël
“Mbretëresha ime!” Iu gjend pranë në ditët sfilitëse, Tajari habit me fjalët për vajzën e tezes
Tajari, protagonisti i rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” e nis rrëfimin në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan duke treguar pak për veten. Ai ka lindur në Përmet, ka jetuar për një kohë të gjatë në Kuçovë, u martua në vitin 1979 dhe ka një djalë e një vajzë. Për shkak të lindjeve të vështira, bashkëshortja e tij u sëmur rëndë. Në atë periudhë të ngarkuar e të zgjatur, Tajari nuk e harron kurrë mbështetjen dhe ndihmën e “mbretëreshës” së tij, vajzës së tezes.
Tajar: Me zonjën time, Gjyljanën kam dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë, por lindjet kanë qenë të vështira, kanë qenë me operim të dyja lindjet dhe si rezultat i lindjeve pati komplikacione në pjesën e brendshme të cipës së barkut. Në vitin 1990, ishte me shumë temperaturë dhe u shtrua në spitalin e Beratit dhe pasi u konkludua, pas 2-3 javësh e shtruar në Berat, erdhëm në Tiranë, u shtrua në Tiranë dhe u shtrua për një gjëndër tumorale.
Ardit Gjebrea: Në Tiranë apo në Berat thanë që është një gjëndër tumorale?
Tajar: Në Tiranë thanë që është një gjëndër tumorale.
Ardit Gjebrea: Ah, e kuptova.
Tajar: E panë me eko dhe me ato aparatura që ishin në ’90-ën, ishin një çikë të vështira setani është tjetër shkencë e teknologji.
Ardit Gjebrea: Besoj një tronditje e madhe të marrësh vesh që ke një tumor në bark?
Tajar: Tronditje dhe unë nuk e shpreha këtë lloj emocioni te të tjerët, por vetëm te vetja dhe i thashë babait.
Ardit Gjebrea: Çfarë u vendos, të bëhej operacion?
Tajar: U vendos që të shtrohej në Spitalin Onkologjik dhe u shtrua faktikisht, në fund të qershorit, korrik 1990 u bë operim. Mjekët çfarë kishin të shkruar në kartela panë. Ata nga gëzimi që s’kishte sëmundje të keqe…
Ardit Gjebrea: Domethënë nuk ishte gjëndër tumorale?
Tajar: Jo, jo, nuk ishte tumor.
Ardit Gjebrea: Një infeksion, por nga se ishte shkaktuar?
Tajar: Nga penjtë që kishin qepur në lindje, si duket trupi nuk i asimiloi.
Ardit Gjebrea: Pati infeksion.
Tajar: Në 1996 u shfaq prapë, operacion tjetër, por operacionin tjetër e bëmë njëherë në Berat, pastaj nga Berati erdhëm në Spitalin Ushtarak se ata nga Berati nuk e bënë dot.
Ardit Gjebrea: Tani cili është roli i vajzës së tezes në këtë histori?
Tajar: Ajo është mbretëresha ime, ajo është heroinë! Jo vetëm për mua, por për gjiithë farefisin. Ajo është grua me tre fëmijë, burrë dhe kushte si të gjithë shqiptarët, por bamirësi të paparë. Kur unë u shtrova në 1990, ajo vinte nga Kombinati, punonte me turne, vinte në spital, i sillte edhe për të ngrënë zonjës dhe i sillte rroba të hekurosura, të lara, të ndërruara. Unë vija çlodhesha, haja, pija atje, çupë tezeje e kisha, por ajo nuk e dha ndonjëherë veten, ajo dhe burri i saj. Në vitin 1996 (gruaja) u shtrua në Laprakë te Spitali Ushtarak. Vinte me dy autobusë, një nga Kombinati në qendër dhe nga qendra në Laprakë.
Ardit Gjebrea: Xhemilja?
Tajar: Xhemilja, çupa e tezes. Edhe dy herë në ditë kishte raste që vinte. Nuk e di, nuk e imagjinoj dot se ku e gjente atë kohë, sa sakrificë bënte ajo për mua.
Humbi nënën nga incidenti tragjik: Harroi të mbyllte gazin, shpërtheu kur e ndezi…
Veprat e jashtëzakonshme kryhen nga njerëzit e zakonshëm, si Xhemilja. Tajari rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për “heroinën” e tij, vajzën e tezes që e ka ndihmuar pa kursyer asgjë.
Gjatë periudhës që bashkëshortja e Tajarit gjendej e shtruar në spital, Xhemilja gjente kohën jo vetëm për familjen e punën, por edhe për t’u kujdesur për të. Pasi prindërit e Tajarit erdhën në Tiranë, ajo u dedikonte kohë edhe atyre duke u bërë si vajzë për ta.
Tajari ndan edhe humbjen tragjike të nënës së tij për shkak të një incidenti me bombolën e gazit.
Tajar: Në vitet 2000, prindërit më erdhën në Tiranë, po aty afër Xhemiles, në Kombinat. Qëlloi që në 2015-ën, babai u sëmur me sklerozë dhe nuk dinte çfarë bënte. Kjo shkonte te mamaja ime, te tezja e saj, pothuajse 2-3 herë në ditë dhe e ushqente babanë se prindërit e mi kishin 4 djem dhe mamaja e konsideronte Xhemilen gocën e vet. Kjo na lidhi edhe më shumë. Ne të lidhur ishim, por na lidhi më shumë, e bëri respekti që kishte ndaj familjes sonë dhe ne jemi të detyruar që edhe atë ta respektojmë, është idhull për ne.
Ardit Gjebrea: Çfarë bënte Xhemilja?
Tajar: Përveç atyre që bënte Xhemilja, edhe babait… e ushqente, e mbante, e ngrinte dhe në 2020 babai ndërroi jetë. Ngeli vetëm mamaja, ajo shkonte te mamaja 3-4 herë në ditë dhe sot mamaja ime do të ishte 90 vjeçe dhe unë e kisha në mendje se emisioni juaj ka kohë që ka dalë, ajo e ndiqte emisionin tuaj shumë dhe thoshte “lum si nëna që të ka bërë o Ardit!” S’qe fati i saj të takohej me ju dhe unë për hatër të nënës, Xhemilja e ka bërë vetë vendin e saj, por për t’i thënë që të jam unë mirënjohës, të janë prindërit e mi mirënjohës dhe gjithë farefisi që ke ti të janë mirënjohës për këto që ke bërë.
Ardit Gjebrea: Si e përjetoi Xhemilja ndarjen nga jeta të nënës suaj? Çfarë ndodhi, pse u nda nëna juaj nga jeta? Ishte mosha apo diçka tjetër?
Tajar: Mamaja ime iku aksidentalisht. Ajo po përgatiste diçka në furnelën me gaz, si duket iu derdh diçka dhe iu shua furnela, harroi ta mbyllte gazin. Pas një a dy orësh, u kujtua, kur e ndezi ajo shpërtheu dhe iku në këtë mënyrë tragjike.
Ardit Gjebrea: Kaloi disa ditë në spital?
Tajar: Jo, 6 orë vajti. Nga ora 12 deri në orën 6.
“Fener ndriçues”, Tajari i përçon Xhemiles mesazhin e veçantë në 90-vjetorin e nënës së ndjerë
Disa heronj e heroina nuk kanë nevojë për pelerina që të mbahen mend. Veprat e tyre i bëjnë me zemër e pa kërkuar asgjë, por duke lënë gjurmë të forta te ata që prekin. Kështu është edhe historia e Xhemiles, vajzës së tezes së Tajarit që ky i fundit e ka ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”.
Kjo grua me një buzëqeshje të paqtë në fytyrë që hyri në studion e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, flet me zë të lehtë duke kontrastuar me fuqinë e veprave të saj të mira. Edhe pse bashkëshorti i saj ndodhet i shtruar në spital, Xhemilja e ka gjetur kohën për të ardhur. Ndihma e pakushtëzuar që ka marrë prej saj e ka nxitur Tajarin që ta falenderojë në një ditë të veçantë, në përvjetorin e 90-të të nënës së tij të ndjerë.
Tajar: Mesazhin unë dua ta them me fjalët e mia. Ti je fener ndriçues për familjen tonë. Ti je një njeri që nuk ka mundësi të të shlyejmë ato që ke bërë ti për ne. Vendosmëria që të kam marrë, për të gjitha të mirat që ke bërë ti por sot mamaja mbush 90 vjeç dhe ti ke qenë vajzë kaluar vajzës për të.
Xhemile: Kam bërë vetëm detyrën time si mbesë.
Tajar: Uroj shërim sa më të shpejtë dhe të falenderoj në emër të familjes dhe gjithë njerëzve tanë për ato që ke bërë për familjen tonë!
Xhemilja tregoi fare thjesht sesi prindërit ia kanë ushqyer gjithnjë ndjesinë për të ndihmuar e respektuar të tjerët dhe ajo është përpjekur të veprojë njësoj me fëmijët e saj. Ajo nuk ka ndihmuar vetëm Tajarin, por këdo për të cilin ka pasur mundësi të ofrojë sadopak. Sa për tezen e saj të ndjerë e cila e konsideronte Xhemilen si vajzë, ajo tregon mes lotësh se e kishte amanet nga nëna.
Xhemile: Me tezen u lidha shumë se mamaja ndërroi jetë. Më la edhe një si amanet. Tha “dëgjo, ju kam lënë amanet Sadeten” se Sadete e quanin ndjesë pastë dhe “të ma shikoni se ajo i ka çuna të gjithë, s’ka goca”. Mua më ngeli ajo. Afër isha me shtëpi dhe nuk kishte ditë mos të shkoja, nuk kishte arsye të pengohesha. Pastaj unë e kam pasur tim shoq shumë të respektuar për njerëzit dhe çdo gjë unë ia dedikoj atij.
“Ka një mesazh për ty”- Miqtë, familja që zgjedhim
“Shkuam për ‘in vitro’, donim të shisnim shtëpinë”, dhurata e papritur e mëmësisë
Rrëfimi i Valmirës në “Ka Një Mesazh Për Ty” nis me sfidën për t’u bërë nënë. Ajo tregon në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se pas 8 viteve martesë, fëmija nuk po vinte ende. Në këto rrethana, u konsultuan për metodën e fertilizimit artificial por mjekët i dhanë fare pak shpresë.
Edhe pse bashkëshorti ishte gati që të sakrifikonin sa të shisnin edhe shtëpinë për të përballuar shpenzimet, Valmira nuk pranoi. Pikërisht në momentin që nisën procedurat për të birësuar një fëmijë, erdhi një lajm i lumtur.
Valmira: Unë kisha bërë shumë përpjekje për të pasur një fëmijë pas 8 viteve martesë dhe të gjithë aty në lagje e dinin punën time.
Ardit Gjebrea: Po pse duhet ta dinin të gjithë në lagje?
Valmira: Kisha shumë vite që unë kërkoja për një fëmijë. Kisha bërë të pamundurën dhe m’i kishin prerë të gjitha shpresat.
Ardit Gjebrea: Çfarë kishe bërë meqë thua kisha bërë të pamundurën?
Valmira: Vizita pafund, vajta për “in vitro” dhe ato më dhanë shumë pak shpresa, 35% dhe im shoq ishte pro, por unë kundër.
Ardit Gjebrea: Pro në ç’kuptim?
Valmira: Që donte ta bënte këtë gjë.
Ardit Gjebrea: Me “in vitro”?
Valmira: Po. Unë nuk pranova, thashë jo. Jo vetëm për koston, por ngaqë mua më dhanë shumë pak përqind.
Ardit Gjebrea: Po, 35% është shumë pak.
Valmira: Donim të arrinim në atë pikë që të shisnim edhe shtëpinë për të arritur këtë gjë dhe unë thashë jo sepse kishte ditë, kishte muaj që kishim ngelur edhe pa bukë në shtëpi duke u marrë me shumë shpenzime për të ardhur në jetë një fëmijë dhe pa rezultat.
Ardit Gjebrea: Të shisje shtëpinë?
Valmira: Po. Një ditë vendosëm të shkonim në jetimore të dy për të birësuar një fëmijë. Në proces e sipër të dokumenteve unë marr vesh që isha shtatzënë. Ishte diçka komplet e papritur. Çdo gjë është e lidhur me trurin. Në momentin që unë qetësova trurin që ne do të bëjmë këtë hap, Zoti më bekoi me një djalë.
Ardit Gjebrea: Më shuaj një kureshtje. E kishit gjetur edhe fëmijën se kë do të merrnit?
Valmira: Jo, mua kjo pak a shumë më vret më shumë sepse mua më duket sikur një fëmijë tjetër e kam lënë atje, nuk e kam marrë.
Ardit Gjebrea: Por nuk e kishit përcaktuar fëmijën?
Valmira: Jo, akoma.
Valmira sot është nënë e një djali, 10 vjeç dhe një vajze, 2 vjeçe.
“Vajza tjetër” e shtëpisë i lehtësoi humbjen e dhimbshme, Valmira: I donte prindërit e mi si të sajët
Vitet e përpjekjeve të Valmirës për t’u bërë nënë kulmuan me ardhjen në jetë të një djali dhe më pas të një vajze. Ardhja e fëmijëve nuk i solli vetëm gëzimin e mëmësisë, por edhe të miqësisë së vërtetë me Alketën.
Valmira tregon në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se njiheshin pasi banojnë në të njëjtën lagje dhe bashkëshortët e tyre janë shokë, por ato s’kishin një raport të ngushtë. Më pas fëmijët i afruan gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën dhe kohërat e vështira kanë dëshmuar miqësinë e tyre.
Valmira: Para 9 muajsh mua më ndërroi jetë babai në një mënyrë komplet… që s’e prisnim. Alketa ka qenë aty për mua në çdo moment të vështirë, në radhë të parë duke më mbajtur fëmijët që “ti mos e mbaj mendjen këtej” dhe më çonte foto e video gjithë kohës, gjente momentin që vajzën e vendoste në gjumë dhe e shikoja përsëri te koka ime, te shtëpia e prindërve të mi. Këtë gjë ajo e ka bërë edhe kur babai im ishte gjallë, unë nuk dija asgjë, kjo thjesht shkonte te prindërit e mi sikur të ishin prindërit e saj. Babai gjithmonë thoshte “më erdhi edhe vajza tjetër”. Ajo m’i ka dashur dhe m’i ka respektuar sikur t’i kishte prindërit e saj. Unë asaj i jam falënderuese përgjithmonë.
“Nuk do ia falja!” Alketa s’e pret aspak mirë ‘surprizën’ e shoqes
Valmira dhe Alketa janë dy mikesha që te njëra-tjetra kanë gjetur një motër. Valmira ndau në “Ka Një Mesazh Për Ty” momentet e vështira që Alketa i është gjendur pranë, por tani para tyre ka një tjetër sfidë: miqësi në distancë. Valmira do të largohet në Itali bashkë me familjen dhe lajmi ka qenë i vështirë për Alketën që mendon se do të mbetet vetëm.
Ardit Gjebrea, moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, vendos të bëjë pak shaka me Alketën e emocionuar dhe ‘t’i ngrijë’ gjakun duke i thënë se mikja e saj largohet të nesërmen. Alketa preket dhe thotë se nëse kjo është e vërtetë, nuk do ia falte kurrë Valmirës.
Ardit Gjebrea: Valmira sot ka ardhur me valixhet me vete…
Alketa: Ka marrë shumë të tjerë.
Ardit Gjebrea: Jo, për të të thënë që nesër niset për në Itali por donte të ta thoshte sot këtu.
Alketa: Mos ma bëj këtë! Jo! Jam çdo ditë me të!
Ardit Gjebrea: Në fakt, donte të ta bënte surprizë, të të linte këtë kujtim dhe nesër niset.
Alketa: Nuk do ia falja!
Ardit Gjebrea: Ti e di që ajo do të ikë në Itali apo jo?
Alketa: E di.
Ardit Gjebrea: Do të vijë një moment që do të ikë, e ka shumë të vështirë të ta thotë dhe…
Alketa: Ia kam uruar që kudo të shkosh të të ecë mbarë, por jo që të ma thoshte sot për nesër.
Ardit Gjebrea: Po se ashtu do të rrije gjatë, obobo kjo datë, më mirë ashtu, nesër iki…
Alketa: E takoj çdo ditë, nuk e besoj.
Ardit Gjebrea: Nuk e beson?
Alketa: Jo.
Ardit Gjebrea: E ke biletën me vete, se ka marrë edhe biletën? Valmira pohon.
Alketa: Bëj shaka, i ke edhe ca ditë, i ke!
“E pazëvendësueshme!” Dhimbja e largimit përlot shoqet, premtimi i miqësisë së vërtetë
Parashikimi i Alketës se në anën tjetër të murit në “Ka Një Mesazh Për Ty” e priste Valmira, nuk gaboi. Miqësia e tyre karakterizohet nga një lidhje e fortë që është provuar në momente të bukura e të vështira që gjithnjë i kanë ndarë bashkë. Tani të dyja gjenden në një tjetër sprovë sepse daljet e tyre të përditshme nuk do të vazhdojnë pas largimit të Valmirës dhe familjes së saj në Itali.
Të gjitha këto motive e shtynë Valmirën ta surprizonte në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për t’i thënë një falënderim nga zemra dhe një premtim që mund ta bëjë një shoqe e vërtetë.
Valmira: Mikja ime! Motra ime! Shoqe po të them në fund. Sot kam ardhur për të thënë që edhe pse unë do të largohem, ti do të jesh gjithmonë kjo që je sot. Unë thjesht do të iki me trup, por me mendje dhe zemër kurrë.
Alketa: E di.
Valmira: Ti ke qenë gjithmonë në krahun tim, në të mirë e në të keq. Në situata të vështira që unë kam kaluar para 9 muajsh, ti më je gjendur pranë, nga humbja e babait. Nuk kam fjalë të ta përshkruaj çdo gjë që ti ke bërë për mua, por sot kam dalë jashtë natyrës sime që unë jam për të të dhënë këtë mesazh.
Alketa: E di që është tip që më bën të tilla surpriza dhe kam marrë gjëra të bukura nga kjo vajzë gjithmonë, por deri këtu…
Ardit Gjebrea: Nuk e prisje.
Alketa: E prisja, ishte një ndër tre personat që dyshoja, por prapë duke menduar që është e ngarkuar, jo të më sillte deri këtu.
Alketa përshkruan si e sheh ajo Valmirën, por edhe përjetimin për largimin e saj.
Alketa: Kam shumë kujtime të bukura me këtë vajzë. Gjëra të bukura pafund, kemi gjetur mbështetjen te njëra-tjetra, edhe në momente që kemi qenë vërtet vështirë i jemi gjendur njëra-tjetrës, ashtu si në ditët tona edhe të mira, edhe të këqija, i kemi kaluar po bashkë. Pastaj kemi edhe nga këto çmendurirat tona pafund që do të mbeten gjithmonë në kujtesë. Nuk kam fjalë. Edhe unë e kam shumë të afërt.
Ardit Gjebrea: Është shumë bukur të shohësh dy mikesha që bëjnë kaq shumë për njëra-tjetrën, që preken dhe vjen një moment që duhet të ndahen. Si e ke përjetuar këtë moment?
Alketa: Në fillim kur më tha, unë të uroj i thashë kudo që të shkosh, por në vetvete thashë që unë nuk dua që ty mos të të ecë, por edhe në shtëpi më thoshin fëmijët “mami, ku do të gjesh shoqe tjetër?” Nuk ka. Bashkëshorti, “çfarë do të bësh po të iku?” Nuk ka tjetër. Nuk e zëvendësoj dot me asnjë.
“Shihemi në Gjyq” – Babai i prerë: Nuk jetohet më me fëmijët
“U ndava njëherë, të ndahem edhe me tjetrën?” 35-vjeçari s’largohet nga shtëpia e babait
Samiu ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” djalin e tij të vogël, Mariusin. Në insertin e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, ai thotë se nuk jetohet me moshat e reja.
“Nuk jetohet më në familje me mosha të reja. Ne mosha e tretë tani kërkojmë qetësi. Na ka ardhur shpirti në majë të hundës!”
Këtë deklaratë që ndez diskutime në publik, ai e përforcon në studio me një frazë tjetër për të birin:
“Në shtëpinë time s’ka më punë!”
Nga ana tjetër, djali, Mariusi thotë se nuk ka ku të shkojë dhe se do të qëndrojë në atë shtëpi.
“Na ka zënë halli, nuk di ku të shkoj. Babai më tha hajde jetojmë bashkë, tani thotë ik nga shtëpia! Ku të shkoj? Unë aty do të rri! Nuk kam ku të shkoj! Jam i tij apo s’jam, unë s’e kuptoj!”
Pasi merr fjalën nga Eni Çobani, Samiu përsërit kërkesën e tij. Djali dhe bashkëshortja e tij e dytë s’mund të jetojnë më me ta, por Mariusi kundërshton.
Sami: Unë kam sjellë djalin që babi në moshë tamam të punojë, të punojë me mend, me dinjitet.
Marius: Në punë jemi për të qenë, problemi është ku të vete se më the hajde, tani më thua ik! Tani ku të vete?
Sami: Të thashë hajde, por duke ditur veprimet dhe duke parë rrugën se zotëri, u martove njëherë, u ndave…
Marius: U martova njëherë, u ndava, tani po martohem prapë, tani i bie të ndahem edhe me këtë tjetrën dhe të iki?
Eni Çobani: Po pikërisht pra që të mos ndahesh me këtë tjetrën thotë Samiu, vazhdo jetën tënde!
Sami: Të lutem shumë, je martuar prapë, m’u bë qejfi që u martove, mos të vijë shkaku nga babi dhe nga nëna që babai dhe nëna është shkaktar që unë iki me gruan prandaj detyra jote është e madhe dhe super e madhe që ti të punosh, të ndërtosh familjen të pastër, me dinjitet, të gjesh shtëpinë tënde!
Marius: Ku të vete?
Sami: Të ikësh more, ka more! Të punosh more zotëri!
Marius: Ku të vete, të jetoj rrugës me çadër?
Sami: A kam punuar unë, babai yt? Si, kujtoi ti se babai mua më dha shtëpi? Nuk më dha shtëpi!
Mariusi përfshihet edhe në një diskutim me Eni Çobanin që gjithashtu është e mendimit se ai duhet të largohet nga kjo shtëpi. Fjalët e tij revoltojnë Samiun që shkon i acaruar drejt tavolinës ku ndodhet i biri.
Marius: I bie që edhe me këtë tjetrën të iki nga shtëpia, të ikë edhe ajo!
Sami: Çfarë po flet more djalë? Çfarë po flet? Të lutem shumë, çfarë po flet?
Marius: Unë s’kam pse të iki nga shtëpia se vetë më the hajde, tani më thua ik. Të prish familjen? Një e prisha! Takoj Seferin, takoj Ladin tënd, thonë s’më ka dhënë!
Sami: Për tokën i kam marrë letër! Ka ligje shteti jonë!
Marius: Lekët e mia ku kanë vajtur?
Sami: Je 35 vjeç, je në moshën tënde, je në kohën tënde për të ndërtuar familjen tënde!
“Gruan e parë e gjete vetë, jo unë!” Mariusi tregon për ndarjen: Jeta kështu është…
Shihemi në Gjyq” është përfshirë nga një debat mes babait, Samiut dhe djalit, Mariusit. Rubrika e ndërmjetësimit nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan ka nisur me tone të ashpra mes tyre. Babai kërkon që djali, i cili është 35 vjeç të largohet nga shtëpia e tyre.
Mariusi kundërshton dhe thotë se kjo do ta linte jashtë bashkë me gruan, e cila është martesa e dytë për të. Ai pretendon se ka kontribuar në famije dhe kërkon një truall, ndërsa Samiu i thotë se gjatë emigrimit s’ka marrë kurrë para prej djalit, madje ka ndodhur e kundërta.
Marius: O baba, tani unë kam qenë në Itali, Greqi, t’i kam sjellë lekët për çdo lloj pune…
Sami: Çfarë më ke dhënë mua more? Nuk t’i mohoj! Ore, hallall t’i kesh, ke marrë nga babai që ke ikur në Itali, ke marrë nga babai që ke ikur në Greqi more zotëri!
Marius: Dakord jam, kam marrë, tani unë dua tokën time që unë të bëj shtëpinë e të iki nga ty, kaq!
Sami: Atë mall që patëm, ato krerë që patëm, 200 krerë dele, ik në Itali, urdhëro lekë, ik në Greqi, urdhëro lekë! E more si e more të parën, nuk më pyete, veprove si veprove, mirë që qe me kaq! Tani zotëri i nderuar, më bëhet qejfi që more këtë tjetrën, ik, puno, jeto!
Marius: Po tani jeta kështu është…
Eni Çobani: Po si është jeta kështu more djalë, martohesh, ndahesh, si është jeta kështu? Sa vjet i ke babanë e nënën?
Sami: Nuk ndahem nga gruaja ime 60 e unë 75 vjeç të ndjek më problemet e tua!
Mariusi thotë se me ish-gruan e parë jetonte në Itali por më pas vendosën të ndaheshin. Samiu i thotë se nuk kërkoi asnjëherë mendim prej tij, por bëri gjithçka sipas dëshirës. Megjithatë, atij i vjen mirë që djali është i lumtur, por nuk dëshiron që të vazhdojnë të jetojnë në të njëjtën shtëpi.
Marius: Atje në Itali u ndamë sepse ashtu ishin problemet, rrethanat, nuk na u përputhën…i ndamë gjërat që aty ku ishin, nuk e vazhduam më tej sepse ashtu ishte jeta.
Ardit Gjebrea: E kuptova, ato para që i ke dhënë, për çfarë ia ke dhënë babait?
Marius: Ia dhashë për truallin!
Sami: Dëgjo mirë se nuk të mohon njeri çfarë ke punuar!
Marius: Po mirë ik te vendi jot se dëgjoj!
Sami: Zotëri i nderuar, gruan e parë e gjete vetë, nuk ta gjeti babai!
Marius: Ore vetë e gjeta! Edhe vetë u ndava! Edhe me të dytën!
Eni Çobani: Po prit ore se flet më shumë se babai! Respektoje babain aty!
Sami: E shita mallin të gjithë se iku djali, e shita mallin! Ike more zotëri në Itali! I zgjidhe ti ato problemet apo vajta te ai që e bëmë krushk, vajta unë i zgjidha apo ti? Je pa konflikte me këtë, gjete gruan tjetër, më bëhet qejfi, të kalosh jetën, të krijosh familje, por të lutem shumë ik shiko punën tënde, drejtimin tënd, nuk kërkoj gjë nga ti! Do të mundohem me sakrificën time të mbaj gruan time!
“Për ty shita 200 krerë dele!”/ Samiu i numëron gabimet të birit: U gënjeve në Facebook
Në konfliktin mes Samiut dhe Mariusit në “Shihemi në Gjyq” ku babai i kërkon djalit të largohet nga shtëpia, shtohet edhe diçka tjetër: kontributi familjar. Samiu deklaron në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan se për të ndihmuar të birin të emigronte në Itali e Greqi se ka shitur 200 krerë bagëti”.
“Atë mall që patëm, ato krerë që patëm, 200 krerë dele, ik në Itali, urdhëro lekë, ik në Greqi, urdhëro lekë!”, u shpreh ai më herët. Ai i përmend gjithashtu edhe martesën me ish-gruan e parë të birit duke thënë se e njohu në Facebook.
Mariusi pretendon se i ka sjellë të ardhura babait të tij, por ky i fundit thotë se s’ka parë asnjë qindarkë. I vetmi kontribut nga Mariusi vjen nga puna në Shqipëri. 35-vjeçari i kthehet të atit duke thënë se po ia hedh poshtë të gjitha, por ai kërkon tokën dhe më pas do të largohet.
Marius: Doje bagëti, të bleva bagëti që ti të mos rrije kot! Të bleva bagëtitë, fol që aty ku je mos lëviz fare!
Sami: Ato bagëti i ka dhënë kjo djersa ore, kam marrë kredi! Asaj kredie i dola për zot, e lava dhe më ngeli ai mall! Punova, punova, ushqeva fëmijët, martova gocën, u martua tjetri, erdhi ky që u gënjye me Facebook, më gjeti një që s’e meriton, tani unë çfarë faji kam? Çfarë të bëj unë more? Ku të shkoj unë, si t’i them gruas me diabetin 500?
Marius: Ata fëmijët kush t’i ka martuar ty?
Eni Çobani: Pse, ti i martove 35 vjeç? Po ti je i vogli!
Marius: Kam filluar punën që kalama fare! Ky që po m’i hedh poshtë të gjitha, edhe në Itali ke punuar, s’ke prurë lekë, edhe në Shqipëri, ke punuar, nuk më ke prurë lekë!
Sami: T’i jap prapë ato lekë, ama në Itali jo njëherë lekë! Ama në Greqi, jo lekë!
Marius: Unë dua tokën, s’më intereson fare!
“Të Panjohurit” – ANDI CABEJ
/TvKlan.al