#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.
Të ftuar: Lisander Hoxha, Altin Veshti. Ne lidhje direkte: Erikleda Dorezi
Ndarja nga jeta e Gerti Bogdanit, Fevziu: Politikan i rrallë tipik qytetar, vinte gjithmonë i përgatitur në “Opinion”
Humbja e parakohshme e ish-deputetit të PD-së, Gerti Bogdani i ka tronditur të gjithë. “Opinion” në Tv Klan pjesën e parë të emisionit të sotëm ia ka dedikuar politikanit që u nda nga jeta në moshë të re.
Blendi Fevziu u shpreh se Bogdani ishte një prej atyre politikanëve që nuk e refuzonte debatin dhe gjithmonë vinte i përgatitur.
Gazetari Fevziu tha se Bogdani ishte një nga politikanët e rrallë shqiptarë, tipik qytetar e që kurrë nuk sulmoi apo shau dikë.
“Sot rreth mesditës, dy mandate deputet i kuvendit të Shqipërisë dhe njëkohësisht një prej figurave të njohura në dy dekadat e fundit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur në moshën 44-vjeçare. Gert Bogdani ka qenë shpeshherë i ftuar këtu në studion e emisionit “Opinion”. Ka qenë një prej atyre politikanëve që kurrë nuk ka refuzuar, pra i ka pritur gjithmonë me mjaft optimizëm ftesat për të qenë i pranishëm këtu. Ishte një nga ata njerëz që sa herë unë e mbaj mend vinte gjithmonë i përgatitur në studio për temën për të cilën kishte ardhur të fliste dhe njëkohësisht është një prej atyre personazheve që nuk pati asnjëherë kulme të jashtëzakonshme në politikë, nuk pati poste të mëdha drejtuese. Ishte gjithmonë një politikan aktiv, por jo i niveleve më të larta, por ishte padyshim që ishte një nga politikanët e rrallë, tipik qytetar në politikën shqiptare. Ishte një prej atyre politikanëve që kurrë nuk sulmoi, nuk shau, nuk fyeu askund”, tha Fevziu.
Gerti Bogdani u nda nga jeta në moshën 44-vjeçare këtë të mërkurë si pasojë e një arresti kardiak.
Homazhet dhe ceremonia e lamtumirës së tij do të bëhen ditën e enjte, 19 Shtator 2024, në sallën e seancave plenare të Kuvendit nga ora 10:00 deri në orën 12:00.
Gerti Bogdani do të prehet në varrezat e Sharrës.
“Ka pasur vështirësi në frymëmarrje dhe…”, momentet e fundit të Gerti Bogdanit
Gazetarja Erikleda Dorezi ka treguar me detaje se në çfarë rrethanash ka ndërruar jetë mesditën e sotme ish-deputeti i PD Gerti Bogdani. Për “Opinion”, Dorezi tha se atij i është dhënë ndihma e parë që tek hoteli ku po pinte kafe dhe është tentuar disa herë rikthimi i parametrave jetësorë, por nuk ka pasur asnjë reagim.
Sipas gazetares, në kartelën mjekësore si shkak i vdekjes është shënuar insufiçenca kardiake pulmonare.
Erikleda Dorezi: Në fakt, rreth orës 11:30, një telefonatë në urgjencën e 127-ës, alarmi i kuq…Është raportuar për një person i cili ka humbur ndjenjat në një lokal, në një hotel në bulevardin “Dëshmorët e kombit”. Ambulanca është nisur drejt vendit të ngjarjes, ajo që ne dijmë të paktën nga bluzat e bardha është që i është dhënë ndihma e parë te hoteli…
-Ishte me shenja jete në momentin që ka mbërriturr ambulanca?
Erikleda Dorezi: Ishte pa shenja jete sepse ka tentuar ekipi mjekësor që ta sillte në jetë. Edhe gjatë transportimit për në spital drejt Qendrës Spitalore “Nënë Tereza” është kryer reanimimi kardiovaskular, që do të thotë rikthim i parametrave jetësorë, por nuk ka qenë e mundur….
-Bogdani ka qenë në lokal në shoqërinë e miqve të tij, ka pasur ndonjë shqetësim?
Erikleda Dorezi: Ka treguar në fakt se ka pasur vështirësi në frymëmarrje dhe është drejtuar për te tualeti i hotelit, ku është gjendur pa shenja jete. Pastaj është njoftuar 127-a, është dhënë ndihma e parë, është bërë transportimi për në spital, nuk kanë arritur mjekët që ta risjellin në jetë. Në orën 12:00 ka mbërritur në Urgjencën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pa shenja jete. Sërish në bazë të protokollit shëndetësor, i është dhënë sërish ndihma, duke tentuar rizgjimin. Nuk ka pasur asnjë reagim! Për rreth 15-45 minuta mjekët kardiologë janë përpjekur me të gjitha metodat mjekësore e medikamentet për ta risjellë në jetë, por s’ka qenë e mundur. Më pas trupi i të ndjerit është transportuar në morg, aty ku është tërhequr më pas nga familjarët. Në kartelën mjekësore është shënuar, insufiçensë kardiake pulmonare.
Flet miku i Gerti Bogdanit: Nuk abuzonte, bënte jetë të rregullt familjare. Pengu që më ngeli
Lisandër Hoxha, një prej miqve dhe bashkudhëtarëve politikë të Gerti Bogdanit ishte i ftuar këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” në Tv Klan. Ai tha për gazetarin Blendi Fevziu se Bogdani nuk ka pasur kurrë probleme me shëndetin pasi ishte një njeri që nuk abuzonte dhe bënte një jetë të rregullt familjare.
“Asnjëherë nuk ka pasur probleme. Një natyrë sportive. Ecte në këmbë. As abuzime. Ka bërë një jetë të rregullt familjare. Nuk ishte tip që dilte. Nuk konsumonte alkool. Duhanin social po themi ne, por jo ndonjë abuzim”, tha Hoxha.
Ai tregoi edhe herën e fundit që është takuar me Bogdanin dhe pengun që i mbeti.
“Para disa ditësh u shkëmbyem, e lamë që të takoheshim këtë javë për kafe dhe të them të drejtën më ka ngelur dhe peng kjo pjesë sepse Gerti siç ka mbaruar me medalje ari ishte dhe mik me medalje ari në aspektin social, personal, mirëbesimit njerëzor”, tha Hoxha.
“Nuk doja ta besoja si lajm, shumë e dhimbshme që një djalë i ri, një prind, një koleg që e ke njohur prej 17 vitesh papritur largohet nga jeta”, shtoi më tej ai.
Gerti Bogdani humbi jetën këtë të mërkurë në moshën 44-vjeçare si pasojë e një arresti kardiak. Homazhet për të do të mbahen të enjten (19 Shtator) në sallën e Kuvendit dhe më pas ai do të prehet në varrezat e Sharrës.
/tvklan.al