“Jam një njeri gjysmak që mundohem të eci përpara…”, u shpreh Edlira Çepani në programin “Rudina” në Tv Klan duke përshkruar dhimbjen e ndarjes nga jeta të gjysmës së saj më të mirë, Gerti Bogdanit. Mes lotësh që vazhdojnë t’ia përlotin sytë e kaltër, ajo rrëfen sesi çdo ditë përballet me një realitet që nuk e dëshiron aspak, një ëndërr e keqe që nuk mbaron.

E mërkura e 18 shtatorit 2024 është një ditë që ajo s’dëshiron t’i rikthehet asnjë  moment. Në një  udhëtim të disa muajve më parë në Ukrainë, ku pa dhimbjen që lë lufta, Edlira mori një vendim: Gertin do ta kujtojë gjithnjë përmes momenteve të bukura e të lumtura. Nga ajo ditë, ajo mban mend përqafimin e fundit të tij në mëngjes, një traditë e bukur familjare e vendosur nga djali i tyre, Reinarti.

Rudina Magjistari: Edlira… nëse kthehemi në atë ditë të mërkurë…

Edlira Çepani: Do të më falësh, unë nuk do të doja ta kujtoja. Një nga ditët më të vështira të jetës. Aty ku ti kupton që…gjithçka në jetë mund të ndodhë në sekonda, por ajo që unë kam vendosur në një udhëtim që  pata në këto kohë për shkak të punës sime dhe gjithë gjërave që kisha lënë në mes, një udhëtim që u detyrova ta bëja ishte në kufi me Ukrainën dhe në atë takim unë isha me të rinjtë të cilët filluan të prezantoheshin dhe tregonin historitë e tyre, para se t’u prezantohesha unë dhe t’u tregoja historinë time.

Rudina Magjistari: Sa kohë kishte nga ngjarja?

Edlira Çepani: Kishte pak muaj dhe ata filluan të thoshin që kemi pafund kohë që nuk flemë natën sepse  sirenat e bombave bien natë për natë, thoshin jemi të lumtur që jemi këtu sepse ishte një zonë jashtë rrezikut sepse filluam të flemë një natë të plotë, filluan të tregonin për të afërmit e tyre që kishin humbur jetën, për të tjerë që ishin larguar. Gjithashtu të rinj të tjerë që ishin prapë të zonës me problematikat e tyre. Në atë moment kuptova që secili nga ne ka nga një hall të vetin që mund të jetë në përmasa më të vogla ose më të mëdha, por  secili prej nesh përballet me  beteja që shumë shpesh janë më të mëdha se tonat. Në atë moment vendosa që të mos e ndaja dhimbjen time me ta sepse e tyrja ishte shumë më e mahde. Megjithëse dhimbja ime mua më duket më e madhja në botë, vendosa që të respektoj të tyren dhe vendosa që në atë moment të mos ndaja më historinë time të dhimbshme, por të ndaja historinë time të forcës, historinë time të dashurisë, të ndaja momentet e bukura, ato momente të cilat mua do të më japin forcë deri në fund të jetës, çdo ditë të jetës, mua dhe fëmijëve që të ecim përpara duke kujtuar gjërat e bukura, jo duke kujtuar ato gjëra të cilat na e shkatërruan plotësisht jetën. Ishte një vendim që e mora aty për aty, nuk ua tregova historinë time, ata e morën vesh më vonë dhe më falënderuan por është një vendim që unë realisht e kam marrë dhe dua e do të bëj çdo gjë që të mbaj kujtimet më të bukura dhe të mbaj atë imazh të Gertit të buzëqeshur, të Gertit që i donte të gjithë njerëzit, të Gertit që luftoi fort deri në momentin e fundit për ato vlera të cilat i kishte të shenjta dhe kjo është një nga gjërat më të bukura që na ka lënë.

Rudina Magjistari: Si e kujton takimin e fundit me të?

Edlira Çepani: Ishte një përqafim sepse ne kemi një rregull në familjen tonë, të cilin e ka vënë djali ynë që kushdo që hyn dhe del nga shtëpia, përqafohet me gjithë të tjerët. Nuk dilnim asnjëherë nga shtëpia dhe nuk hynim në shtëpi pa u përqafuar të gjithë me njëri-tjetrin. Kjo është një nga rregullat më të bukura që ka vënë im bir./tvklan.al