Të ftuar:

Iris Luarasi – Petagoge

Andi Bejtja – Gazetar

Armand Shkullaku – Gazetar

Alfred Peza – Gazetar

Clirim Gjata – Avokat

Lorenc Vangjeli – Analist

Në lidhje te drejtperdrejtë:

Blendi Klosi – Përfaqësues i PS-së

Aldo Bumci – Përfaqësues i PD- Së

Deputeti i Partisë Demokratike Aldo Bumçi, i cili këtë të enjte hoqi dorë nga funksionet e tij në Kuvend, tha se tashmë opozita është në rrugë dhe lëvizja e saj e fundit paqësore ishte djegia e mandateve.

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, në Tv Klan, Bumçi tha se për opozitën “kjo është një rrugë pa kthim”.

“Ne nuk jemi më fasada e Edi Ramës, që këtë vend e ka kthyer në diktaturën e vetme në Europë përveç Bjellorusisë, Rusisë dhe ndonjë vendi tjetër. Rruga është e vendosur, nuk ka kthim prapa. Nuk do të ketë negociata me Edi Ramën.”

Bumçi tha se askush nuk do lëvizje të tilla jashtë sistemit, por sipas tij opozita ishte e detyruar.

“Ne kemi dalë në rrugë, kemi dalë paqësisht, por ne jemi në rrugë dhe kjo është një kambanë e madhe alarmi. Ne jemi në rrugë, lëvizja e fundit paqësore ishte djegia e mandateve. Ne partnerëve u themi ju dëgjuam në vitin 2017, çfarë ndodhi në këtë vend. A u zhvlerësua euro si asnjë herë? A ishin milionat e eurove që blenë një popull të varfër, a ishte krimi që doli si Avdylajt? Ne nuk kthehemi mbrapsht dhe nuk do të pranojmë standarde demokracie që nuk pranohen as në Maqedoni. Gruevski nuk ka bërë 1 të dhjetën e asaj që ka bërë Edi Rama. Nuk mundet shqiptarët të pranojnë më pak se maqedonasit.”

Përfaqësuesi demokrat tha se aksioni aksioni qeveritar do të vazhdojë me protesta në çdo qytet, por format dhe mënyrat tha se publiku do t’i mësojë së shpejti.

“Protestat tona do të vijojnë të jenë masive në çdo qytet dhe në Tiranë, format dhe mënyrat do i mësoni. Këtej e tutje rruga dhe protesta janë shpëtimi i shqiptarëve dhe jo ai institucion. Nuk është parlamenti tulla dhe llaçi. Nuk janë institucionet tulla dhe llaç, por fryma demokratike. Përveç PD dhe opozitës më thuaj një institucion të pahapur nga opozita. Cila është hapësira e lirisë në këtë shtet përveç opozitës shqiptare. Nëse do të vazhdonim të bënim fasadën ne do të ishim turpi i këtij vendi. Edi Ramës i është dhënë çdo mundësi në 6 vite.”

Në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”, të Blendi Fevziut, Ministri i Mjedisit Blendi Klosi tha mbrëmjen e kësaj të enjteje se mazhoranca nuk priste që opozita të dorëzonte mandatet, pasi sipas tij, është një vendim pa logjikë.

Klosi u shpreh i shqetësuar për mënyrën sesi do të mund të rikthehet kjo opozitë në parlament. Por teksa gazetari Blendi Fevziu i kujtoi se ligjërisht nuk ka një mënyrë që ata të kthehen në parlament, atëherë Ministri u shpreh se opozita do të zëvendësohet. Ai mori shembullin e futbollistëve, si Pele e Maradona, për të cilët tha se pas largimit të tyre futbolli vijoi normalisht.

“Po i shihja të gjithë të qeshur, kur po dilnin nga parlamenti dhe dukej sikur sa kishin fituar zgjedhjet. Nëse e mendojnë se kanë arritur diçka që do t’i ndihmojë ata për të përfaqësuar më mirë veten e tyre… besoj këtë u kërkoi edhe Kryeministri, që jemi të gatshëm të bisedojmë, në kushtet e një vendimmarrje në vullnet të plotë të opozitës shqiptare, për të përfaqësuar më mirë popullin opozitar dhe në dëshirën për të treguar veten se po përfitojnë diçka. Po të na pyesni ne, a bëri mirë opozita shqiptare që iku nga parlamenti, në parim nuk ka asgjë të mirë në këtë situatë. Por po të pyesësh individualisht, që la mandatin Lulzim Basha, Sali Berisha etj, kjo pak rëndësi ka për PS dhe përfaqësuesit e saj, që ka një detyrë shumë të madhe sot, të qeverisin vendin”.

Ju qeverisni vendin zoti Klosi, por jemi i vetmi vend në botë për momentin, ku parlamenti është pa pothuajse asnjë përfaqësues të opozitës.

“Edhe legjislacioni nuk është i rregullt mbase për këtë rast, sepse nuk e mendon njeri që mund të lesh pozicionin dhe të ikësh kështu dhe të dorëzosh mandatin në grup pa menduar fare për atë çfarë njerëzit kanë dhënë votën”.

Ka qenë e papritur dhe për ju zoti Klosi?

“Ka qenë sepse nuk ka logjikë. Në momentin që nuk ka logjikë një gjë, padyshim është e papritur.”

“Kur kemi qenë në opozitë, edhe ne kemi bojkotuar parlamentin, kemi bërë demonstrata, kemi bërë protesta masive, kemi bërë edhe grevën e urisë. 20 ditë kemi ndenjur të shtrirë në bulevard dhe Sali Berisha të vetmin reagim që kishte, dilte ndonjëherë në mëngjes dhe na përshëndeste nga penxherja dhe as nuk pyeti fare për vuajtjet tona. Ndërkohë që ne e bëmë atë me një ideal, kishim ndjesinë tonë dhe mendoj se kemi bërë shumë mirë në rrugën që ndoqëm”.

“Ajo që më shqetëson mua si parlamentar, që kam një fare periudhe në parlamentin shqiptar, është si do të kthehen? Mirë që po ikin, por si do të kthehen?”

Jo s’ka më kthim zoti Klosi, s’ka si kthehen ligjërisht.

“Kjo është pyetja që më shqetëson për momentin më shumë se çdo gjë tjetër.”

“Nëse nuk ka kthim, atëherë do të dalin disa të tjerë, se e thashë e pak më herët sot në një bisedë tjetër, në momentin që iku Pele nga futbolli, nuk do të thotë që mbaroi futbolli…”

Pra ju prisni që të ketë një opozitë tjetër në parlament zoti Klosi, apo në rrugë?

“Është zgjedhja e tyre e lirë. Detyra jonë kryesore është të sigurojmë mbarëvajtjen e vendit, të vazhdojmë të qeverisim Shqipërinë, të përgatisim zgjedhjet e 30 Qershorit.”

Fundi i Pranverës e gjen vendin pa Edi Ramën. Ky është parashikimi i deputetit demokrat, Aldo Bumçi, i cili tashmë është dorëhequr nga funksionet e tij në Kuvend.

“Bashkë me shqiptarët ne do të rrëzojmë Edi Ramën, sepse nuk ka njeri që mund t’i qëndrojë një populli të tërë. Nuk ka kryeministër që mund t’i qëndrojë një populli të tërë. Si do largohet? Do largohet si Gruevski, do largohet si Presidenti i Armenisë, që u rrëzua në Maj të vitit 2018 nga tri javë protesta që paralizuan Armeninë. Apo do të ketë një mënyrë tjetër shqiptare, nuk e di”, tha Bumçi në një lidhje direkte me emisionin “Opinion”.

I pyetur se për sa kohë mendon se mund të rrëzohej Rama, Bumçi tha: “Unë nuk jam fallxhor, por unë mendoj se maksimumi, maksimumi fundi i pranverës e gjen këtë vend pa Edi Ramën. Pranvera do vijë ndryshe për shqiptarët, pa Edi Ramën, ky njeri nuk mund të mbajë më peng shqiptarët. Ky njeri nuk do organizojë zgjedhje në Shqipëri.”

Ndërsa Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi me ironi falenderoi demokratët që ia kanë shtyrë afatin qeverisë: “Faleminderit një herë se na e kishin vënë afatin më 16 Shkurt, na e shtynë deri në fund të pranverës. Deri atëherë do të punojmë siç kemi punuar dhe të vazhdojmë të qeverisim Shqipërinë siç u kemi premtuar shqiptarëve. Ajo që keni kuptuar është se nuk fitoni dot kurrë dhe është një dorëzim pa kushte i PD, për mua fatkeq. Ne do të vazhdojmë të përfaqësojmë popullin, ju do të vazhdoni të përfaqësoni rrëmujën. Ky është thelbi, nuk fitoni dot dhe kërkoni formula të tjera.”

***************

Aviacioni shqiptar!