Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Është tensionuar situata mes mazhorancës dhe SPAK pas fjalës së stome të kryeministrit Edi Rama në orët e paradites kur ai ka hedhur disa akuza në fillim në drejtim të SPAK-ut, më pas ka korrigjuar shënjestrën duke thënë se në të nuk janë SPAK dhe institucionet e drejtësisë, por individë të caktuar brenda tyre. Ndërkohë që kryeministri ka folur për çështjen Veliaj, është e dyta ditë rresht që ai është i fokusuar te kjo çështje. Gjykata ka vendosur në vlerësimin e sigurimit që Erion Veliaj të vijojë në arrest në burg, ndërkohë që ka lehtësuar masën për bashkëshorten e tij, Ajola Xoxën me detyrim paraqitjeje dhe ndalim daljeje jashtë shtetit, ndërsa ka ruajtur masën e sigurisë për gjithë personat e tjerë. Pas një seance të tensionuar e cila ka zgjatur me orë, ka nisur në orët e para të mëngjesit, është ndërprerë sepse kanë kërkuar më shumë kohë avokatët, ka rifilluar rreth orës 13:30 dhe ka mbaruar rreth orës 21:45. Në ambientet e jashtme të SPAK-ut ka pasur një numër mbështetësish të Erion Veliajt, mes tyre figura publike. Çfarë do të ndodhë me drejtësinë? Ku pritet të shkojmë?

Manjani në Opinion: Arrestimi pa prova i Veliajt katastrofë, vë në diskutim standardin demokratik

Në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan, avokati dhe juristi Ylli Manjani ka komentuar arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Manjani theksoi se arresti me burg zbatohet vetëm nëse ka prova, në të kundërt është vënë në diskutim standardi demokratik i vendit.


“Unë i qëndroj të njëjtës pikëpamje për çdo shtetas të Republikës së Shqipërisë. Gjendja është katastrofë për të gjithë pa përjashtim. Ka një spekulim të masës së sigurisë së arrestit me burg, edhe për shkak të kaosit të ligjit, që pas reformës në drejtësi është përkeqësuar, ashtu edhe për shkak të një politike represive veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme. Arresti lidhet me një gjendje faktike, një gjendje emergjence, është një gjë e jashtëzakonshme, që ndodh aty për aty. Personi arrestohet kur kapet me presh në duar. Në çdo rast tjetër arresti me burg është kufizim lirie, dhe mund të ndodhë vetëm në rastin kur personi ka aq shumë prova ndaj atij saqë nuk justifikohet më statusi i personit në hetim, por direkt i pandehur. Ky është dallimi i madh. Arresti zbatohet vetëm përkundrejt provave që e faktojnë komplet akuzën. Asnjë qytetar i Republikës së Shqipërisë nuk duhet të futet në burg pa prova. Kjo është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, nuk e luan as topi. Nëse ne vëmë në diskutim këtë gjë, kemi vënë në diskutim standardin demokratik të shtetit demokratik”, theksoi Manjani.

“Shkelje totale e SPAK-ut”, Abilekaj për reagimet e Ramës: Puç ndaj drejtësisë së re

Gazetari Enton Abilekaj shprehet se sipas tij, reagimi i Ramës që nga mëngjesi i ditës së sotme, ka qenë një shkelje totale e SPAK-ut. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Abilekaj thotë se Kryeministri Rama ka bërë një puç ndaj drejtësisë së re.


Enton Abilekaj: Reagimi i Ramës që nga mëngjesi dhe deri më tani ka qenë një shkelje totale e SPAK-ut, e ligjit. Filloi me mbledhjen e të gjithë administratës. Kërkonte Policia ndihmë për të rrethuar perimetrin e sigurisë së një institucioni të sigurisë së lartë dhe presioni vijon prapë. Këtë ka bërë Rama sot. Sapo ju prek një njeri që e kishte për të mbledhur votat, Rama bëri një puç ndaj drejtësisë së re. Sot u pa shumë qartë se çfarë mendon Rama për drejtësinë e re.

Blendi Fevziu: Po vendimi i SPAK-ut për arrestimin e Veliajt?

Enton AbilekajUnë nuk nuk gjykoj dot me aq prova sa ka parë unë për prishjen e provave dhe për 3 kushtet kryesore për masën e arrestit, mendoj se Veliaj e plotëson të paktën njërin nga kushtet.

“Rama sot ka tejkaluar çdo kompetencë”, gazetarja: Veliaj ishte vija e tij imagjinare për SPAK-un

Gazetarja Fatjona Mejdini i komentoi deklaratat e mëngjesit të sotëm të kryeministrit Edi Rama për çështjen e Erion Veliajt si arrogancë ndaj drejtësisë. Ajo tha në emisionin “Opinion” në Tv Klan se ai ka tejkaluar kompetencat e tij si kryeministër duke shantazhuar SPAK, çka përbën një ndryshim total të qëndrimit të tij të mëparshëm.

Këtë ndryshim Mejdini e argumentoi si tejkalimin e një vije imagjinare që Rama i kishte vendosur SPAK. Kjo vijë simbolizohej nga Erion Veliaj që gazetarja e cilëson si makineri elektorale për zgjedhjet, por njëkohësisht mund të jetë edhe arsyeja që hetimi ndaj kryebashkiakut ta tërheqë edhe vetë kryeministrin.


Fatjona Mejdini: Reagimi i Ramës sot pata disa ‘flashback’ pas 21 janarit 2011. Ka qenë një lloj arrogance e jashtëzakonshme ndaj drejtësisë. Ka 36 orë që Edi Rama me gjithë forcën që i jep fakti që është kryeministër i Shqipërisë është duke shantazhuar SPAK. Kjo bëhet herë pas here edhe me statuse nga izolimi i z. Veliaj. Mendoj që është e turpshme dhe që kjo është një ditë e zezë për demokracinë në Shqipëri.

Blendi Fevziu: Pse konkretisht?

Fatjona Mejdini: Konkretisht sepse mazhoranca ishte ajo që mbante standardin. Rama kishte bërë një premtim para qytetarëve shqiptarë, ishte votuar reforma para 6 vitesh. Opozita ishte e para ajo që e lëshoi dhe e anatemoi, edhe prokurorët, edhe drejtësinë për shkak të masave që u morën ndaj drejtuesve të saj. Opozita është opozitë dhe mbase nuk ka atë përgjegjësinë e mazhorancës për sistemin. Një kryeministër që të shantazhojë sistemin, të shantazhojë  prokurorët, më duket sikur sot Rama ka qenë një nxënës i mirë i Berishës.

Blendi Fevziu: A i ka kaluar kompetencat e veta SPAK-u?

Fatjona Mejdini: Nuk jemi ne që ta  kuptojmë. Rama ka kaluar kompetencat e veta si kryeministër, po flasim për sistemin e drejtësisë, është një sistem i ndarë nga ai i kryeministrit, Rama sot ka kaluar çdo lloj kompetence. Ka 36 orë që del dhe vetëm shantazhon, hedh akuza mbi prokurorin e çështjes, mbi gjyqtarin që dha masën e sigurimit, bën aludime, thotë që kanë dalë nga shinat, më jepni edhe një mandat tjetër se do t’i vendos përsëri në shina, trimëron njerëzit që thotë që dilni aty dhe mbroni Erion Veliajn, tani ka një furtunë deklaratash nga të gjitha nivelet e PS kundër sistemit të drejtësisë. Me këtë që  ka ndodhur sot, në qoftë se drejtësia e re e krijuar ishte njjë lloj feneri për reformat në Shqipëri, Transparency International i ka dhënë Shqipërisë dje 5 pikë më shumë sa i përket çështjes së korrupsionit bazuar mbi drejtësinë. Kjo lloj drejtësie kishte një lloj iluzioni që Shqipëria, ashtu siç e thoshte edhe Rama, deri më 2030 do anëtarësohemi në BE sepse po bënte atë ndarjen e vetme dhe po i jepte fund pandëshkueshmërisë. Ne sot shohim 180 gradë ndryshim të qëndrimit të Ramës.

Blendi Fevziu: Pse ky ndryshim sipas teje?

Fatjona Mejdini: Mendoj që SPAK ka kaluar atë vijën që Rama i kishte vendosur.

Blendi Fevziu: Imagjinare?

Fatjona Mejdini: Imagjinare. Rama i dha SPAK-ut të gjitha elementët për të mos shkuar te Veliaj, Rama nuk e hodhi Veliajn poshtë në asnjë moment kur ishte çështja e inceneratorit të Tiranës, çështja 5D, e rivendosi si drejtues politik për PS për zgjedhjet e Tiranës dhe i la SPAK-ut të kuptonte që Veliaj ishte vija e tij imagjinare që nuk duhej kaluar, edhe për shkak të faktit që mesa duket, Veliaj paska qenë një makineri e fuqishme elektorale për Shqipërinë. Ka dy arsye pse Rama ka pasur këtë qëndrim. E para është fakti sepse në prag të fushatës zgjedhore i ka ikur një pjesë e makinerisë elektorale që Veliaj siguronte me gjithë këto strukturat e tij korruptive që kishte krijuar, e dyta mendoj që Rama, edhe me disa deklarata sot mund të mendojë që hetimi ndaj tij mund ta marrë me vete,  domethënë që hetimi që po kryhet ndaj Veliajt mund të shkojë, e pamë sot me telefonin që kërcënoi ashtu siç Berisha kërcënoi Ina Ramën dhe i tha që mos u afro në oborrin e kryeministrisë sepse këtu është vija, Rama sot i vendosi vijën SPAK-ut.

Hetimet e SPAK/ Zogaj: Rama dhe Sali Berisha duan të bashkohen

Për analistin Preç Zogaj, Kryeministri Rama ka kohë që kërkon momentin për ta goditur SPAK-un teksa shton se sot është detyruar që të dalë hapur në qëndrimet që ka pasur deri më tani.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Zogaj thotë se Kryeministri Rama dhe Kryedemokrati Berisha duan bashkohen tani për të ndaluar hetimet e SPAK.


Preç ZogajE ka nxjerrë Ramën nga vetja. Rama ka kohë që kërkon momentin për ta goditur SPAK-un. Ai ka dalë më këtë tezën e “Republikës së Prokurorëve” dhe pastaj ka marrë disa lëvizje, ka shantazhuar për të frenuar SPAK-un. Është penguar dhe nga SHBA dhe nga BE-ja. Sot është detyruar që të dalë hapur në qëndrimet që ka pasur deri më sot. Ai ka miksuar atë qëndrimin e vet dhe përpjekjen për të pasur një qëndrim elektoral. Kjo është pozitive për SPAK-un, negative që qeverinë sepse ka demonstruar atë që është në të vërtetë. Ai i thotë hetimit “roman”.

Blendi Fevziu: Po ty si t’u duk hetimi ndaj Veliajt?

Preç ZogajDuket qartë se është një hetim kompleks, i vështirë, nuk është roman, ka prezantuar disa fakte të bujshme. Unë kam tezën që këtu SPAK-u ka bërë një revolucion sepse ka normalizuar hetimin në sfera të larta. Kriza e drejtësisë në Shqipëri ka qenë kriza e hetimit, kur s’ka hetim nuk ka drejtësi. Këta janë bërë bashkë, Edi Rama dhe Sali Berisha duan të bashkohen tani për të ndaluar hetimin. Nga një pikëpamje është një ditë e zezë, por nuk do ja arrijë. Rama u përpoq që ta banalizonte. Provat janë faturat. I gjithë hetimi që ka ndodhur në Tiranë, e dëmton PS-në. Politikisht e dëmton sepse ai është figurë me peshë.

Shkullaku: Arrestimi i Erion Veliajt, akt i guximshëm i SPAK

Gazetari Armand Shkullaku ka deklaruar në studion e “Opinion” në Tv Klan se arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj është një akt i guximshëm sepse sipas tij ndodh për herë të parë që SPAK ka goditur një person me pushtet real dhe në detyrë.


Armand Shkullaku: Çështja është kështu Fevzi, se këtu ka dy elemetë, raporti i SPAK me mazhoracën dhe raporti i Ramës me SPAK. Unë kam qenë partizan dhe po të isha cinik ose ironik do të thosha që më në fund erdhi dhe radha te Rama, ke qëndrimi im. Kam dy vjet, tre vjet që them se SPAK është instrument që përdoret politikisht që i bie atyre që ka interesa, që e përdor pushteti… Këto që bëjnë filtrime i ka në dorë mazhoranca, mekanizmat i ka në dorë mazhoranca, emëron mazhoranca, etj, etj. I vetmi moment që kemi pasur dyshim të gjithë ka qenë beteja e Dumanit me… që vajti Yuri Kim. E cila me që ra fjala e kanë shkarkuar dhe thonë që është nën hetim.

Blendi Fevizu: Është shkarkuar Yuri Kim?

Armand Shkullaku: Po kështu ka dal një lajm tani. Pra po të ishte ironi do të thosha që Rama erdhi ke qëndrimi im që SPAK-u… ça është SPAK-u, një strukturë që e përdorin politikisht herë Rama herë opozita thotë ky. Sepse sipas Ramës meqënëse gjyqtari kanë qenë në një minsitri ku ka qenë Gaz Bardhi dhe prokurori e ka emrin Olsi si vëllai vet, këto do të përdoren nga opozita.

Për të qenë i sinqertë e kam një dilemë sepse akti te Erion Veliaj është me vërtet një akt shumë i guximshëm, qoftë i prokurorit…

Blendi Fevizu: Pse është i guximshëm?

Armand Shkullaku: Sepse është për herë të parë… Tani duhet ta pranojmë këtë gjë. Është për herë të parë, për herë të parë që ka goditur një person me pushtet real duke qenë në funksion. Deri tani ka goditur ata që Edi Rama ua çonte 6 muaj para, ua bënte gati, ua rruante, ua qethte, dorëzonin mandatin, bëheshin gati edhe vinte i merrte ai.

Sulmi i Ramës ndaj SPAK, Abilekaj: Arsyeja pse sakrifikoi “kalin e betejës” për të mbështetur “një kufomë politike”

Gjatë diskutimit në emisionin “Opinion” në Tv Klan nëse Ramës i intereson politikisht arrestimi i Erion Veliajt dhe ndërhyrja e SPAK, gazetari Enton Abilekaj tha se kryeministri ka sakrifikuar kalin e betejës. Ai e konsideron Erion Veliajn një kufomë politike në pritje të ekzekutimit që do të ishte para ose pas zgjedhjeve.

Sipas Abilekajt, më e mira do të ishte përpara zgjedhjeve, por Rama ‘sakrifikoi’ mbështetjen e SPAK për votën klienteliste që siguronte Veliaj.

Armand Shkullaku shton se “Erion Veliaj si reputacion e ndihmon, si infrastrukturë zgjedhore e minon”. Gazetari u shpreh se Veliaj kishte mbështetjen e mediave, fuqinë financiare etj për të kryer detyra që s’mund t’i bënte askush tjetër.


Enton Abilekaj: Rama si argumentin kryesor në zgjedhje si kalin e fushatës kishte SPAK-un, ka drejtësinë e re. Me këtë u mendua që ai do të hynte në zgjedhje me krenarinë e drejtësisë së re. Pse sot Rama hoqi dorë papritur nga kali i betejës për të mbrojtur Erion Veliajn? A kishte Erion Veliaj më shumë se SPAK-u mbështetje elektorale apo arsye të tjera? Erion Veliaj, që nga inceneratorët, qëkur kanë dalë dokumentet, email-e që thoshte shpërnda  para këtu, jepi këtij, pastaj me 5D-në që dolën çfarë ndodhi me drejtorët e tij dhe atë vetë të përfshirë në atë çështje dhe skandale të tjera të shpërdorimit, përfshi këtë të pasurisë që u gjendën paratë në dy kontrolle, politikisht ishte i mbaruar, ishte pothuajse një kufomë politike që pritej kur do të ekzekutohej si kufomë politike. Po flasim për momentin e ekzekutimit, a do të ishte më mirë elektoralisht që të ekzekutohej para zgjedhjeve dhe të forcohej kali i betejës i Ramës apo pas zgjedhjeve që Rama ta tërhiqte zvarrë Veliajn si kufomë politike?

Blendi Fevziu: Si është sipas teje?

Enton Abilekaj: Do të ishte më mirë sikur arrestohej por Rama nuk e do atë sepse Rama nuk është nisur në zgjedhje për votë legjitime, por për votë klienteliste që ia garanton Erion Veliaj. Pra ai është duke dalë sot sepse i është hequr ajo shtesë votash që ka pasur në këto zgjedhje që nuk ka qenë legjitime prandaj është ai sot në betejë, prandaj e sakrifikon mbështetjen e SPAK-ut, prandaj mbështet një kufomë politike. Arrestimi i Veliajt atij i  prish  vetëm thesarin e votave jo klienteliste  të cilat ia  garantonte Erion Veliaj në qarkun e madh.

Blendi Fevziu: Arrestimi i Veliajt ku e kërcënon Ramën?

Armand Shkullaku: Erion Veliaj si reputacion e ndihmon, si infrastrukturë zgjedhore e minon. Punët që bënte Erion Veliaj nuk i bën njeri tjetër. Duhet të kesh pacipërinë të korruptosh kundërshtarin, t’i marrësh artistët, dilni thoni s’do shembet Teatri, u jep nga një peshk dhe thonë duhet prishur Teatri. Këto punë vetëm Erion Veliaj i bën. Ai ishte rekord, edhe kur shkoi në burg theu rekord, po arrestohej dhe ishte live në thonjëza në të gjitha televizionet që japin lajme 24 orë. Kishte në dorë gjithë mediat, Edi Rama kritikohet në media, Erion Veliajn s’e kritikonte dot njeri, fuqia financiare, 5D, është infrastrukturë zgjedhore. Edhe ata që kanë dalë aty, i shikon ata të shkretët se ata marrin rrogën,  por kur shkojnë në shtëpi thonë gruaja ime për 8 Mars i kam blerë një parfum ose një tufë lule, kurse gruaja e këtij ka bërë 900  mijë euro shopping online për artistët,  të gjitha rrobat në një masë./tvklan.al