Lleshaj për “Opinion”: Dorëheqja ime është pranuar nga Rama, ishte e parevokueshme
Ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” në Tv Klan ka treguar arsyet e dorëheqjes. Lleshaj u shpreh se dorëheqja është pranuar nga Kryeministri dhe ka qenë e parevokueshme.
“Sigurisht që dorëheqja është pranuar dhe është e parevokueshme. Dorëheqja është një akt moral i rëndësishëm. Sot arrita ta finalizoj se nuk doja ta bëja pa praninë e Kryeministrit”, tha Lleshaj.
Më tej ai shtoi se largimi nga detyra është akti i tij sovran dhe nuk është ndikuar nga Kryeministri i Shqipërisë.
“Ju mund t’i jepni shkak fantazinë tuaj, por dorëheqja jepet vetë, është akt individual dhe sovran i imi”, tha Lleshaj.
Më tej ish-ministri i Brendshëm tha se vendimin për dorëheqjen kishte disa ditë që po e mendonte, por sot e vendosi plotësisht.
“Dorëheqja ka disa dimensione, pasi kemi një djalë të vrarë në mënyrë të pajustifikueshme. Unë dua të distancohem nga një praktikë e shëmtuar e drejtimit të gishtit, nga ata që nuk kanë të drejtë të ngrenë as gishtin dhe as dorën. U bënë disa ditë që kanë ngritur gishtin dhe dorën kundër policisë, por u mungon e drejta morale, pasi u kanë lënë shtetit shumë ngjarje të rënda. Unë e kam dhënë dorëheqjen për t’u thënë që unë nuk jam si ju. Unë nuk asnjë lidhje me ngjarjen, por unë u them atyre që të vazhdojnë rrugën. Dorëheqja është në respektim të qytetarëve”, shtoi ministri.
Më fund ministri i dorëhequr pati dhe një mesazh për opozitën dhe sa se dorëheqja u dedikohej he atyre.
“Kemi patur artikulime zyrtare të opozitës që kanë thënë se përgjegjësinë për vrasjen e ka ministri i Brendshëm. Unë u them se ministri nuk ka asnjë përgjegjësi për ngjarjen, por u kërkoj që të shkëputen nga 21 Janari”, shtoi më tej Sandër Lleshaj.
Lleshaj tregon historinë personale: Kam pasur fatin e keq të kuptoj se çfarë është humbja e një fëmije
Ministri i dorëhequr, Sandër Lleshaj, në një lidhje direkte me emisionin “Opinion” ka treguar një histori personale duke thënë se ka humbur një fëmijë.
Lleshaj u shpreh se nuk e ka treguar kurrë këtë fakt, por e ka përjetuar vetë dhe kupton shumë qartë se çfarë dhimbje po përjeton familja e Klodian Rashës.
“Qëllimi është i thellë moral. Unë kam pasur fatin e keq që ta kuptoj vetë se çfarë do të thotë humbja e një fëmijë.
Nuk e kam treguar, por e kam përjetuar vetë. Dhe jam shumë i prekur nga fakti që një familje shqiptare me shumë dinjitet që ka humbur një fëmijë për veprimin apo mos veprimin të një punonjësi të Policisë së Shtetit.
Ky është motivi që më ka shtyrë drejt këtij hapi. Por unë e kam përmendur në intervistat e mia që kam marrë postin e kam menduar dorëheqjen dhe kjo është shumë normale”, ka treguar Lleshaj.
Sandër Lleshaj: Policia shqiptare ndër më të përmbajturat në kontinent
Në një lidhje direkte me programin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan, ish-Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur për sjelljen e policisë, veçanërisht për disa raste specifike gjatë periudhës së karantinës.
Lleshaj është shprehur se policia gjatë këtyre viteve është përballur me shumë sfida dhe fryma e saj ka qenë vetëm profesionalizmi, rritja e kapaciteteve, lufta intensive kundër krimit, dhe sipas tij, kjo ka sjellë më pak krim në vend e më pak banda.
Blendi Fevziu: Unë e kuptoj që një jetë e humbur është e rëndë, por ndërkohë këtu po flitet dhe akuzat kanë qenë për një strategji dhune në rreth një vit e gjysmë dhe unë po ju sjell tre raste. Një rast është publikuar në media dhe tregon se si policët trajtojnë një person të neutralizuar, të arrestuar me pranga, një person që ka hyrë brenda fugonit të policisë vazhdon e goditet me grushta. Kemi një rast tjetër një 15-vjeçar i dhunuar nga policia tek liqeni, janë 7 oficerë policie mbi një 15-vjeçar me biçikletë apo rasti tjetër i dhunës tek teatri, këmba e policit mbi një piktor, pak rëndësi ka ose Alfred Lelën, gazetar, kolegun tim, pra bëhet fjalë për një akt të veçuar apo bëhet fjalë për një strategji ku policia kishte marr pak për kot në raport me dhunën ndaj qytetarëve.
Sandër Lleshaj: Mund t’ju them me përgjegjësi të plotë se policia shqiptare është ndër policitë më të përmbajtura në kontinent, sa i përket menaxhimit të protestave dhe dhunës. Mund të gjeni sa të doni raste nga policitë e vendeve më demokratike të botës, nuk po shkoj në Amerikë, po them në Itali, Francë, Gjermani ku policia përdor në mënyrë proporcionale forcën fizike në rastet kur kjo duhet. Sigurisht që kjo nuk përjashton raste të shkëputura që punonjës të caktuar kapërcejnë limitet e përdorimit të forcës, por aq sporadike sa…
Blendi Fevziu: Zoti Lleshaj, policitë e vendeve që ju thoni janë polici të cilat në mënyrë konstante për disa dekada kanë përdorur këtë strategji, ndërsa këto tensione dhe kjo situatë ka ndodhur rëndomtë në një vit e gjysmë të fundit. Nuk po përmend gasin lotsjellës, sepse po e quaj pjesë e protestës, pandaj pyetja ime është a ka një tensionim dhe një lloj rritje të dhunës së policisë në një vit e gjysmë që u kthye, pastaj reflektohet në këto raste, dhe kur keni parë këto raste përse nuk keni reflektuar drejtpërdrejtë?
Sandër Lleshaj: Unë them që në këtë një vit e gjysmë, dy vjet, që jam në detyrë ka patur një rritje të profesionalizmit të policisë së shtetit, një rritje të kapaciteteve të saj. Sigurisht që policia ka pasur edhe sfida të jashtëzakonshme gjatë kësaj periudhe për arsye se është përballur me një furi sulmesh të organizuara politike të dhunshme të cilave u është përgjigjur me proporcionalitet maksimal dhe nuk ka prodhuar asnjë dëm të pariparueshëm në jetën publike dhe në jetën apo shëndetin e qytetarëve. Asnjë dëm të pariparueshëm! Sigurisht ka pasur incidente, por mos të harrojmë që gjithçka duhet të vendoset në një kontekst. Është kjo polici e cila ka shërbyer, nuk është një polici e re, është kjo që ka qenë edhe më parë…
Blendi Fevziu: Po, por policia lëviz në bazë të orientimeve ose frymës që sheh. Zoti Lleshaj, edhe për zbatimin e ligjeve të Covidit, izolimit, ka pasur pafund ankesa për mënyrën se si janë sjell për maskat, për mënyrën si janë sjell për izolimin. Unë e kuptoj që është në detyrë, por bëhet fjalë për një frymë. Është e njëjta polici, por mund ta trajtosh të shfaqet edhe në formë normale edhe në formë më agresive. Edhe ju e dini që kjo ndodh me policinë gjithmonë, se kemi 30 vjet në Shqipëri e dimë që policia orientohet se si duhet të sillet.
Sandër Lleshaj: Fryma e policisë sonë në këto vite ka qenë profesionalizmi i saj, rritja e kapaciteteve, lufta intensive kundër krimit edhe kjo ka sjellë që sot Shqipëria ka më pak krim, më pak banda, më pak aksidente, më pak të vrarë e kështu me radhë. Fryma është pozitive, është fryma e profesionalizmit të saj. Ne nuk na duhet një polici e paaftë për të bërë asgjë…
Shkullaku: Rama i shqetësuar nga protesta, sakrifikoi Lleshajn para zgjedhjeve
Analisti dhe gazetari Armand Shkullaku mendon se Sandër Lleshaj u shkarkua si ministër i Brendshëm nga Kryeministri Edi Rama për shkak të protestës.
I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Shkullaku theksoi se Sandër Lleshaj u sakrifikua 5 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare.
Sipas tij, largimi i Lleshajt nga Ministria e Brendshme u bë për shkak të protestave që nisën prej ditës së mërkurë.
“Edi Rama ishte i shqetësuar. Ai detyrohet të shkarkojë ministrin e tij vetëm nga 2 orë protesta sepse Edi Rama di ta lexojë protestën. Tani detyrohet 5 muaj para zgjedhjeve sakrifikon ministrin e Brendshëm. Ne që e njohim historinë e dimë që Sandër Lleshaj është një vegël që më mirë të sakrifikohet Sandri se sa shefi i Sandrit.
Mund të kemi një ndryshim cilësor, pra kjo protestë mund të jetë ndryshim cilësor që mund të afektojë shoqërinë papritur. A ka terren që kjo revotë të shprehë frustrim më të madh? Unë them që ka”, deklaroi analisti Shkullaku.
Shkullaku: Kam qejf Elisën, por do zgjidhja Mimin. Pandi ministër? Ka pasur probleme me dhëmballët
Kush do të zëvendësojë Sandër Lleshajn në Ministrinë e Brendshme? Kjo pyetje është bërë në emisionin Opinion në Tv Klan. Analisti Armand Shkullaku, i ftuar në studio, ka thënë se nëse do të ishte në vend të Kryeministrit Edi Rama, do të zgjidhte një grua si ministre të Brendshme. Dhe sipas tij, kjo grua do të ishte Mimi Kodheli, pavarësisht se më shumë preferon Elisa Spiropalin.
Ndërsa i pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse Pandeli Majko do të ishte një zgjedhje e mirë në krye të Ministrisë së Brendshme, Shkullaku tha që jo për arsye se nuk do të bënte kompromis në zbatimin e ligjit.
Armand Shkullaku: Edi Rama këtë radhë do bëjë ç’është e mundur që ministri i ardhshëm i Brendshëm të jetë femër. Do përpiqet të zgjedhë një femër, për arsye se me meshkujt nuk i ka ecur. O i kanë përfunduar trafikantë droge, o kanë patur ndonjë vëlla trafikant droge, o kanë ikur se policia ka vrarë njerëz. Kështu që femrat përgjithshësisht… mendoj që do jetë femër, dhe për të një dhënë një imazh mendoj të kundërt me atë që policia mori këtë 1 vit e gjysmë, imazhin e një policie pak të dhunshme. Një femër mund ta hiqte deri diku këtë imazh.
Blendi Fevziu: Mund të ishte Majko një ministër i Brendshëm i mirë?
Armand Shkullaku: Jo! Pandi jo sepse është gjaknxehtë, është impulsiv dhe para ligjit ai nuk pyet as për Kryeministrin, as për njeri kështu që mund të jetë një ministër i Brendshëm problematik. Pandi ka pasur dhe probleme me dhëmballët, nuk e di nëse i ka rregulluar. S’ka folur atëherë në kohën e teatrit, kështu që më mirë mos ta ngatërrojmë në këtë punë. Mendoj që do jetë femër. Nga këto që janë këtu të gjitha i përmbushin kriteret që do kishte qejf Edi Rama. Unë mendoj që në këtë rast do prevalojë besnikëria. Sepse do ketë zgjedhjet, do jetë ministër që do jetë goxha nën presion. Ne po ta shikojmë, Edi Rama me asnjë nga ministrat e Brendshëm nuk përfundoi me marrëdhënie të mira.
Blendi Fevziu: Po të ishe në vend të Ramës dhe me mendësinë e Ramës, kë do zgjidhje?
Armand Shkullaku: Unë Elisën kam qejf, kështu si tipologji, por unë do të kisha zgjedhur Mimin për vete.
Baton Haxhiu: Kë do zgjidhja si ministër të Brendshëm po të isha në vend të Ramës
Baton Haxhiu i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan ka komentuar dorëheqjen e Sandër Lleshaj dhe emrin që mund të bëhet ministri i ri i brendshëm.
Drejtuesi i emisionin, Blendi Fevziu i serviri një listë me emra që po përfliten prej pasdites, por për Haxhiun Rama do befasojë sërish dhe do zgjedh një person që nuk është me profil të lartë publik.
Sipas tij në këtë moment duhet një emër që nuk mund të atakohet dhe të sulmohet nga opozita për të shkuarën e tij, por nuk tha se cili mund të ishte një i tillë.
“Nga ajo që unë e njoh Ramën, mendoj se ai nuk do prek emrat që janë përmendur në publik. Por mendoj se nuk do ketë ndonjë emër që nuk është figurë e lartë politike. Nuk do jetë ndonjë që mund të atakohet në publik.
Karrigia është e mallkuar dhe në këtë karrige nuk mund të kursehet asnjëherë femër. Në përvojën e vetë do e këshilloja që në këtë fazë të mos kishte një figurë të fortë politike. Unë mendoj që të jetë një figurë që i ngjan zotit Lleshaj dhe nuk është e atakueshme në këtë moment”, tha analisti.
Më tej Baton Haxhiu tha se nëse do të ishte në vend të Ramës do kishte zgjedhur ish-ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodhelin si zëvendësuese të Lleshajt. “Unë e kam simpatinë time dhe them Mimi Kodhelin”, u shpreh ai.
Redaksia Tvklan.al