#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

“Emisioni i sotëm u prezantua vetë më kronikën që ishte menjëherë pas siglës. Bëhet fjalë për një nga udhëtimet tona, një prej destinacioneve që ne po mundohemi t’i sjellim në vëmendje të publikut në Shqipëri. Një destinacion që është futur në hartën turistike vetëm së fundmi për arsye se ka qenë një zonë relativisht e izoluar. Një zonë shumë e bukur në fakt, por që kohët e fundit me ndërtimin e një rruge të re, e ka vendosur atë në një zonë shumë afër. Belshi, një prej zonave që siç e thashë në materialin hyrës që Sami Frashëri e konsideronte një kryeqytet të ardhshëm të Shqipërisë për arsye se gjendej në mes të trojeve shqiptare. Po të shtosh edhe Kosovën dhe pjesën e jugut që mbeti jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë pasi iu dha Greqisë dhe pjesën e veriut që në atë kohë i ngeli Jugosllavisë dhe sot është Kosova, Belshi është në mes. Ne do të mundohemi ta zbulojmë Belshin përmes një sërë itineraresh, por edhe personazhesh. Në fakt kam zgjedhur ta fillojmë krejt ndryshe jo me këtë pedonale mjaft të bukur buzë liqenit në qendër të Belshit, jo vetëm me intervistat, por do të mundohemi ta zbulojmë edhe përmes bujtinave. Por ne do ta zbulojmë në rradhë të parë përmes personazheve. Kemi dy personazhe shumë të ndryshëm për të filluar emisionin. I pari është Osman Farka,Usta Osmoni siç e ka shkruajtur edhe në përparësen e tij. Një farkëtar që punon prej më shumë se thuajse 50 vitesh në Belsh. Ishte një personazh i veçantë, takimi me të cilin ishte shumë impresionues. Pas këtij do të vijë një personazh akoma më interesant që mbi të gjitha nuk është as shqiptarë.”

Amerikani që u kthye në belshak: Këtu kam zemrën dhe mendjen tani

Emisioni “Opinion” këtë të mërkurë ishte përqendruar të zbulonte Belshin turistik që nga liqenet, tek ekoparku e deri tek kulinaria.

Por jo vetëm këto aspekte. Aty ndodhet edhe një amerikan që është kthyer në një belshak të vërtetë që thotë se Belshi i ka marrë zemrën dhe mendjen.

Charlie Donus: Mirë se vini që vini në Belsh. Jam shumë i lumtur që jeni këtu sot.

Blendi Fevziu: Je nga Belshi apo amerikan?

Charlie Donus: Në fakt jam amerikan, por zemra ime dhe mendja ime tani janë shqiptare.

Ai ka ardhur nga Uashingtoni si pjesë e “Korpusit të Paqes” prej 1 viti dhe pritet të jetojë aty edhe për 1 vit tjetër. Kur pyetet se pse zgjodhi Shqipërinë u shpreh sepse mendon se “është vendi më mikpritës në planet”.

Me anije nga Greqia drejt Belshit: Lashë emigracionin kur morra vesh që…

Ardian Hoxha është një emigrant shqiptarë që u largua nga Belshi në fillim të viteve ’90 dhe u vendos në Greqi teksa në Selanik ndërtoi edhe familjen e tij.

Në një intervistë me gazetarin Blendi Fevziu për emisionin ‘Opinion’, në Tv Klan, i cili mbrëmjen e sotme ishte përqendruar të zbulonte Belshin turistik, Hoxha dha detaje më shumë lidhur me jetesën e tij në Greqi dhe kthimin në Belsh. Ai u shpreh se vendosi të kthehej në Shqipëri kur Belshi morri një transformim duke u kthyer në një zonë turistike.

Emigranti vendosi që me kthimin e tij në Shqipëri të merte nga Greqia edhe një anije lumore të cilën tani e përdor për të bërë lundrime turistike në liqenin e Belshit.

Blendi FevziuSi kalon, nga je?

Ardian Hoxha: Nga Belshi. Jetoj në Greqi, kam 25 vjet.

Blendi Fevziu: Po pse u kthyet?

Ardian Hoxha: Po u kthyem nga ndryshimi që pamë për Belshin.

Blendi Fevziu: Po anijen nga e ke sjellë?

Ardian Hoxha: Nga Katerina e Greqisë.

Blendi Fevziu: Sa e madhe është anija?

Ardian Hoxha: Është 14 metra e gjatë dhe 5 metra e gjerë. Merr 36 veta brenda me dokumentacion të rregullt.

Blendi Fevziu: Ku i çon? Vetëm në këtë liqen?

Ardian Hoxha: Xhiro përqark liqenit.

Blendi Fevziu: Po a ka turistë?

Ardian Hoxha: Po ka, sidomos fundjavave. Ka edhe të huaj po shumica janë vendas nga Tirana kryesisht, Elbasani, Shkodra. Ju shërbejmë pije freskuese. Guida shkon 20-25 minuta.

Blendi Fevziu: Sa kushton një xhiro?

Ardian Hoxha: 2 mijë Lekë të vjetra.

Blendi Fevziu: Çfarë thua?! Po si të del nafta?

Ardian Hoxha: Del, mire del. Me anë të rrogave që kemi në Shqipëri do të përshtatemi.

Njihuni me Dumrea Ecopark, një prej strukturave më të bukura që ka Shqipëria

Pak larg nga Belshi ndodhet një prej strukturave më të bukura që ka Shqipëria, Dumrea Ecopark.

Ndodhet mes dy liqeneve, me 9 shtëpiza druri, me disa aktivitet sportive që nga kajakët e deri tek biçikletat, makinat me bateri, njëkohësisht një vend interesant me atë që ofron me pjesën e restorantit dhe kafenesë.

Blendi Fevziu ishte atje ku zhvilloi edhe një intervistë me Dritan Kamanin. Të dy së bashku na njohën me pjesën brenda të shtëpizave të cilat aktualisht kushtojnë 5 mijë lekë të reja pa u përfshirë ushqimi.

Kamani tha se deri më tani është realizuar gjysma e investimit, por janë planifikuar të zhvillohet edhe një park aventure, fushë futbolli, fushë paintball-i, edhe një zonë për qëndrimin e kamperave.

Kamani tha se 60% e vizitorëve të Ecopark-ut janë shqiptarë, shumica nga Tirana dhe Elbasani, por theksoi se sapo të mbyllen të gjitha investimet, atëherë struktura do marrë “fytyrën e tij të plotë”.

Një intervistë e tërë duke ngrënë, Blendi Fevziu i provon të gjitha!

Gjatë emisionit “Opinion” në Tv Klan këtë të mërkurë, i cili ishte përqendruar të zbulonte Belshin turistik që nga liqenet, tek ekoparku e deri tek kulinaria, Fevziu ka zhvilluar një intervistë edhe me dy intelektualët, Lili dhe Fatmir Manushi të cilët janë larguar nga Tirana për të ndërtuar bujtinën “Dumrea Rubin” në Dumre.

Lili dhe Fatmir Manushi janë vendosur në Dumre, fshat i cili ishte vendlindja e babait të Lilit, ku kanë blerë një tokë dhe e kanë kthyer në një agroturizëm shumë interesant.

E gjithë intervista shoqërohet edhe me gatimet e ndryshme të zonës të cilat kanë tërhequr vëmendjen e gazetarit Blendi Fevziu, i cili ka shijuar disa prej tyre. Të gatuara nga duart e zonjës Lili, Fevziu ka provuar disa llojë reçelesh ku më pas ka provuar edhe një copë byreku. Në fund të intervistës nuk ka munguar edhe një shishe vere.

/tvklan.al