#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare.

“Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump dhe Joe Biden janë takuar ditën e sotme në cilësinë e presidentit në detyrë dhe të presidentit të zgjedhur. Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë për një takim i cili u mbajt në orën 11:00 (me orë lokale), në pritje të marrjes së detyrës si President për të dytën herë. Fitorja e Trump ka krijuar një shok në përgjithësi, përtej Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pyetja që shtrohet mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan është se çfarë do të sjellë rikthimi i Trump në sferën ekonomike dhe politike jo vetëm për amerikanët, por për të gjithë botën.

Bojaxhi tejet kritik ndaj figurës së Trump: Shembulli më i keq për Shqipërinë!

Për ekspertin Gjergj Bojaxhi, Donald Trump nuk është personi i duhur që të përfaqësojë shtetin më të rëndësishëm të botës.

Sonte në studion e “Opinion” ai përjashtoi edhe mundësinë që ai është votuar për të bërë ndryshimin në ekonomi. E teksa u ndal te ndikimi i kësaj përzgjedhjeje në vendin tonë, ai theksoi se tanimë Shqipëria s’mund ta shohë Amerikën si model.


“Përsa i takon vendeve si Shqipëria në të cilat demokracitë janë të ngecura e Amerika ishte shembull se si duhet të aspirojmë që të bëhemi, ky është shembulli më i keq. Do dalë nesër Ambasada Amerikane do thotë reforma në drejtësi. Për çfarë?! Si e ka emëruar Trump gjyqtarin dhe çfarë ka thënë do bëjë më tej? Politikanë të dënuar me burg? Trump është i dënuar, thjesht u shty vendimi prej fushatës. Ai mund të mos dënohet tani direct, por pas 4 vitesh duhet të përballet me ato vendime. Gjithsesi në aspektin e shembullit sidomos për Shqipërinë, është më i gabuari”, tha Bojaxhi.

“Musk mund të blejë të gjithë Ballkanin”, Ristani: Kjo duhet të na trembë…

Donald Trump fitoi zgjedhjet në Amerikë duke u bërë presidenti i 47 i SHBA-së. Por ajo që bën përshtypje është fakti që në ekipin e tij ka edhe njeriun më të pasur të botës, Elon Musk. Madje atë e ka vënë në krye të një departamenti që do të merret me eficencën e administratës.

Por kjo përfshirje e Musk, për Anuela Ristanin, është problematike. Ajo theksoi se ndihma që ai i dha Trump nëpërmjet platformës X është e pallogaritshme. Sipas saj influenca e tij është e panjohur dhe kjo duhet të na trembë, pasi një person pa asnjë lloj mandati ka ndikim në një vend si SHBA-ja.


Anuela Ristani: Ndikimi që ai ka pasur dhe ndihma që i ka dhënë Trump-it as nuk matet me shifra. Nuk matet me para, me donacione të regjistruara si kontribute. Është globale dhe është gjithëpërfshirëse.

Blendi Fevziu: Është pozitive apo problematike përfshirja?

Anuela Ristani: Absolutisht që është problematik sepse është e pamatshme. Është e pamatshme, e pallogaritshme dhe e palidhur me logjikën dhe me vijueshmërinë e asaj që është politike apo që është një premtim. Pra një person i pazgjedhur, i pakandiduar, i padeklaruar, fundja as anëtar i partisë.

Blendi Fevziu: Më i pasuri i botës sot, me distancë të madhe nga të tjerët…

Anuela Ristani: Po që mund të na blejë të gjithë Ballkanin praktikisht.

Blendi Fevziu: Ballkanin e ble dhe një me më me pak lekë.

Anuela Ristani: Po ta blejë në terma GDP-je. Jo në terma vendimmarrje. E kam fjalën që të ardhurat e tij e kalojnë GDP-të e shumë vendeve të tjera. Ne nuk po flasim më për diçka që e dimë.

Blendi Fevziu: Ai më duket kalon GDP-në e Rusisë, se ne këtu…

Anuela Ristani: Kalon çfarëdo lloj GDP-je që të dojë, por kjo duhet të na trembë, që kjo nuk është influencë pozitive, kjo është një influencë e panjohur. Është e panjohur dhe e pallogaritshme. Një person pa asnjë lloj tagri, pa asnjë lloj mandati merrka dhe jepka drejtim një vendi si SHBA që pastaj i jep drejtim shumë vendeve të tjera. Është më shumë problem Musk sesa Trump në vetvete.

Rishikim të “non gratës” së Berishës? Kedhi: Përgjigjen e ka dhënë Sekretari i ri i Shtetit

A mund të ketë një rishikim të “non gratës” ndaj Sali Berishës? Kjo është pyetja që lind pas zgjedhjes së një administrate të re në SHBA, në drejtimin e së cilës do të jetë Donald Trump.

Analisti gjeopolitik, Nikola Kedhi u shpreh se përgjigjen e kësaj pyetje e ka dhënë Marco Rubio, emri i zgjedhur nga Trump si Sekretar Shteti. Në emisionin “Opinion”, Kedhi shpjegoi se çfarë ka bërë ai së bashku me disa senatorë të tjerë republikanë në lidhje një shqetësim të tyre për keqpërdorimin e sanksioneve dhe mekanizmit të “non gratës”.


“Përgjigjen e pyetjes suaj, ndër të tjera ua ka dhënë personi që keni në ekran aty, Marco Rubio, tashmë Sekretar i Shtetit i emëruar nga Presidenti Trump, i cili ka qenë një nga senatorët, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Senatin amerikan. Ka qenë një nga senatorët që i ka dërguar letër disa muaj përpara sekretarit Blinken dhe Presidentit Biden, ku së bashku me kolegët e vet republikanë ka shprehur shqetësim të thellë për keqpërdorimin e sanksioneve dhe mekanizmit të “non gratës” nga administrata Biden, për të goditur sipas letrës, liderë konservatorë dhe pro-amerikanë. Sidomos në Amerikën Latine ku ishte shqetësimi që ishte ngritur sepse u bë për disa liderë konservatorë, pro-amerikanë dhe zotërinjtë senatorë kishin ngritur këtë shqetësim që po politizohet për të goditur pikërisht këta. Zoti Berisha është një lider, në dijeninë time, konservator dhe pro-amerikan. Mua më përputhet me përshkrimin që bëjnë zotërinjtë senatorë në SHBA për keqpërdorimin e këtij mekanizmi”, u shpreh Kedhi./tvklan.al