#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Në Lindjen e Mesme kanë filluar bombardimet ndaj Izraelit me raketa që vijnë nga Irani. Ky sulm konsiderohet si një kundërpërgjigje ndaj Izraelit. Ky lajm i ditës i cili ka tronditur mbarë botën, diskutohet këtë të martë në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan. Duket se Izraeli gjatë një harku kohor prej një viti ka eliminuar krerët e organizatave kundërshtare të tij, të cilat kanë qenë të lidhur fort kryesisht me Iranin apo me Sirinë. Konflikti është zgjeruar përtej kufijve të Gazës, ku trupat speciale izraelite janë duke marrë një inkursion në brendësi të territorit të Libanit, për të katërtën herë. Historia e përplasjeve të Izralit me Libanin është e gjatë, e cila ka ardhur për arsye të strehimit në Liban të forcave të organizatës për çlirimin e Palestinës dhe më pas në sajë të konflikteve që kanë ardhur nga Hezbollahu.

Çudit eksperti: Nga sot, Lindja e Mesme do ndryshojë komplet! (Çfarë synohet)

“Lindja e Mesme do ndryshojë plotësisht”, kështu ka deklaruar në “Opinion” eksperti i sigurisë Ermal Jauri. Sipas tij raketat e Iranit këtë të Martë në Izrael do pasojnë një sërë konfliktesh të tjera.


Por a ka një skenar pas këtij kaosi? Sipas Jaurit, synimi kryesor i Izralit është të çmontojë programin bërthamor të Iranit.

Ermal Jauri: Sa i përket bombardimeve, sot janë përdorur raketa balistike që kanë trajektore të ndryshme nga raketat normale, ose ato që quhen raketa terreni. Problemi i tyre është se ato kanë 3 mbushje deri në atmosferë dhe pastaj bien në rënie të lirë që e bën më të vështirë kapjen e tyre. Nga ana tjetër e gjitha situata në Lindjen e Mesme ka filluar prej dekadash, përshkallëzimi që në 2016-ën kur pati një krisje të marrëveshjes për programin nuklear. Kemi Blinken që ka deklaruar në Prill të këtij viti se sot Iranit i duhet një javë deri në dy për të ndërtuar një armë bërthamore.

-Mirë po si do ta çojë armën bërthamore se s’ka asnjë aftësi ajrore?

Ermal Jauri: Sot ke raketa që po bien mbi Izrael. Nëse një nga këto mbushje do të ishte atomike, çfarë pasojash do kishte?! Kështu që të gjitha luftimet apo konfliktet në Lindjen e Mesme me ato që quhen si organizata terroriste, në këndvështrimin tim kanë qenë për të vajtur në pikën finale që është Irani. Të çmontohet një herë e mirë programi bërthamor i Iranit. Sot është de facto që Lindja e Mesme do ndryshojë komplet terësinë  e saj pas këtij konflikti. Irani sapo deklaroi dhe gjuha e përdorur ushtarake ishte shumë e qartë, deklaroi se e bëmë kundërgoditjen për shkak të sulmit tuaj, atëherë cili është hapi juaj i radhës? Izraeli do kundërpërgjigjet dy herë më shumë dhe do kemi përshkallëzim të situatës. Hyrja në Liban e Izraelit nuk është për të pushtuar territorin, një synim ka që të largojë kërcënimin nga kufiri i saj.

“Po shkepet tërësisht Lindja e Mesme”, eksperti: Plani që fsheh Izraeli

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Kreshnik Osmani, u shpreh këtë të martë në emisionin “Opinion” se ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme është një “shkepje tërësore” e rajonit dhe “riformatim” i saj.


“Ajo që po ndodh është qartësisht shkepja tërësore e Lindjes së Mesme dhe hapja e një faqeje të re e historisë së rajonit, riformatim i Lindjes së Mesme. Shkëndija e parë u dha në sulmet e 11 shtatorit, kur u nis administrata Bush për të riformatuar Lindjen e Mesme, erdhi Condoleezza Rice në 2006 që tha do bëjmë një Lindje të re të Mesme. Në 2011 filloi pranvera arabe që kishte dhe një lloj suporti indirekt nga administrata Obama. Erdhëm pastaj tek këto zhvillimet e fundit. Vrasja e Haniyeh, vrasja e liderëve të Hezbollahut. Është pjesë e pikënisjes së shkepjes së kësaj rrobeje që e vesh politikisht dhe gjeopolitikisht Lindjen e Mesme. Ajo që ndodhi me vrasjen e Nasrallahut u hap kapitulli dhe u shkrinë vijat e kuqe”, tha ai.

Osmani bëri me dije se Irani në sulmin ndaj Izraelit lëshoi 250 raketa balistike dhe rreth 70 deri në 80 raketa kanë goditur objektivat brenda Izraelit. Situata në Izrael është alarmante teksa ministri i Mbrojtjes sipas tij e komandon ushtrinë tashmë nga bodrumet e ministrisë për arsye sigurie.  

Megjithatë Osmani solli në studio këtë të martë alarmin e ngritur nga shërbimet sekrete turke për planin që fshihet pas sulmit të Izraelit në Liban. Bëhet fjalë për ndërtimin e një korridori që lidh Izraelin me kurdët.

Në mesditë kanë hyrë edhe shërbimet sekrete turke që kanë ngritur një alarm tjetër që thonë që justifikojnë në një farë mënyrë rritjen e toneve dhe të kërcënimeve të Erdogan, që thonë që është një plan akoma më i madh që fshihet pas sulmit të Izraelit. Në jugun e Libanit po ndërtohet korridori i David-it që lidh jugun e Libanit, Izraelin, me kurdët sipër”, tha Osmani.

‘Nuk ka kuptim nxitimi i Izraelit’, Buzhala: Ja përse Trump i leverdis konflikti në Lindjen e Mesme

“Çdo gjë që po bëhet është kalkuluar me zgjedhjet e Nëntorit në SHBA”, kështu ka deklaruar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, gazetari Berat Buzhala për sa u përket konfliktit aktual në Lindjen e Mesme.

Pavarësisht mundësisë që ekziston për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, gazetari ngre hipotezën se këto sulme mund të jenë të lidhura me zgjedhjet në SHBA, duke pasur sipas tij një prapavijë politike me kandidimin e ish-presidentit Donald Trump.


Berat Buzhala: Prej të gjitha organizatave që konsiderohet terroriste prej SHBA-ve, udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah-u nuk bën pjesë në ata që janë radikalë për sa i përket religjionit, ky nuk e ka imponuar jetën islamike në Libanin Jugor siç e ka Irani.

Blendi Fevziu: Duket se Izraeli po fiton një pjesë të madhe të luftës edhe pse po tregohet i pamëshirshëm me bombardimet. Ka përdorur shumë inteligjencës, pra shërbimin sekret, duke se po rezulton më efikasi që njohim ne deri tani në historinë e shërbimeve sekrete.

Berat Buzhala: Patjetër pa asnjë dyshim është shumë hapa para të tjerëve. Ajo që doja të thoja është se SHBA-të në fillim të konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit e kanë ndaluar Izraelin. Sipas mediave dhe analistëve perëndimorë ka kërkuar leje për vrasjen e Hassan Nasrallah-ut dhe SHBA-të nuk ia kanë dhënë lejen. Ajo se çfarë mbetet enigmatike për mua është se përse ky nxitim para zgjedhjeve në Amerikë, kur dihet që për Izraelin ardhja e Trumpit është më e favorshme, pse po përpiqet Izraeli për të eskaluar situatën kur Trump mund të vijë pas 40 ditëve në pushtet.

Blendi Fevziu: Pra ti mendon se po luhet në lindjen e mesme një pjesë e dramës së zgjedhjeve amerikane, apo jo?

Berat Buzhala: Çdo gjë që po bëhet është kalkuluar me zgjedhjet e Nëntorit në SHBA, sepse nuk ka asnjë kuptim ky nxitim, kur dihet që ka zgjedhje pas 40 ditëve atje. Një gjë që di është se Trump-it i leverdis hapja e një konflikti në Lindjen e Mesme sepse vazhdimisht ai ka thënë se Biden është i dobët pasi nuk i frikësohen shtetet e tjera, prandaj ka luftë në Rusi, sepse kur isha unë në pushtet nuk kishte asnjë luftë botërore. Tani a po ia hap Netanjahu një rrugë tjetër Trump-it për të hapur edhe një luftë, kjo është një çështje tjetër. Por, çfarë ndodh nëse Biden reagon ashpër ndaj Iranit?

Blendi Fevziu: Por kjo e zgjeron konfliktin në Lindjen e Mesme në përmasa të panjohura ndonjëherë apo jo?

Berat Buzhala: Absolutisht!/tvklan.al