#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Emisioni politik më i ndjekur dhe më i preferuar në ekranet shqiptare. “Opinion” vjen në katër takime çdo javë – e hënë, e martë, e mërkurë dhe takimi tradicional i të enjtes mbrëma.

Të ftuar: Dritan Nesho, Berat Buzhala, Baton Haxhiu, Akri Çipa, Marjola Bejkollari

Studioja e emisionit “Opinion” zhvendoset në Nju-Jork për të ndjekur zgjedhejt amerikane. Dje, deri në orët e vona të natës dhe orët e para të mëngjesit, pothuajse i gjithë Nju-Jorku ishte në “Times Square” dhe zonat ku ishin vendosur stendat e mëdha për të parë se kush do të ishte presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo që ka qenë surprizë për të tjerët, nuk ishte për amerikanët. Donald Trump është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, pas 4 vjet mungese nga humbja e vitit 2020 me Joe Biden, jo vetëm me një numër shumë të madh votash, gati një lloj rekordi, por rreth 5 milionë vota popullore më shumë se Kamala Harris, një numër shumë të madh fitoresh, madje në të 7 shtetet që konsiderohen ata që vendosin rezultatin e zgjedhjeve amerikane dhe me një mbështetje të pabesueshme. Duket se lajmet që vijnë në Europë nuk janë realisht ato që ndodhin në Amerikë. Zgjedhja e Trump më shumë sesa problematika e politikës së jashtme botërore është dominuar nga ekonomia e SHBA, zhvillimet e brendshme ku thuhet se 40% e amerikanëve kanë pasur si priroritet situatën ekonomike, rreth 13% çështjen e abortit dhe 11% atë të emigracionit ilegal. Vetëm 3% kanë qenë të fokusuar te politika e jashtme amerikane.

Si negocioi Donald Trump me talebanët? Dritan Nesho: Nga xhepi i xhaketës nxorri një fotografi…

Fitorja e Donald Trump si President i 47 i SHBA konsiderohet historike e rëndësishme. Kjo edhe për shkak të diferencës së thellë të votave elektorale që mori karshi rivales së tij Kamala Harris.

Emisioni Opinion me Blendi Fevziun në Tv Klan është zhvendosur në SHBA ku ndoqi nga afër procesin e votimit dhe reagimet pas daljes së rezultateve.

Për t’ju përgjigjur pyetjes së Fevziut se çfarë personazhi është Donald Trump, Dritan Nesho e ka treguar përmes një historie.

Ai ka rrëfyer se si Donald Trump negocioi me talebanët tërheqjen nga Afganistani të ushtrisë amerikane. Dhe sipas tij, këtë e bëri përmes një kërcënimi të hapur në një takim zyrtar, duke përcjellë qartësisht mesazhin e tij.

Blendi Fevziu: Çfarë personazhi është Trump? Si do ma përkufizosh?

Dritan Nesho: Do t’i them publikut të Opinionit një histori. Trumpi kur ka negociuar me talebanët. Vete i thërret në Katar, në Doha, dhe ju thotë ne do tërhiqemi nga Afganistani por me termat tona. Dhe në qoftë se ju nuk përmbushni termat tona, e hap xhepin e xhaketës dhe i jep liderit të talebanëve një fotografi të shtëpisë së tij sekrete. Edhe i thotë, unë e di ku jeton ti dhe unë do të të vras. Kjo është takim zyrtar! Do të dërgoj raketë. Dhe e përshkruajnë zyrtarë të lartë në kohën e Trumpit, që nuk dinin se si ta regjistronin në procesverbalet e takimit. Është i paparashikueshëm. Dhe pastaj për ta kopsitur, siç e thotë edhe Byron Donalds kongresmeni amerikan që ishte në atë takim, i thotë atij ‘e ke bërë shumë të bukur shtëpinë, më pëlqen arkitektura’. E përcjell mesazhin në termat e tij. Kjo është shumë e rëndësishme në politikën e jashtme, sepse edhe fuqia amerikane nuk ballafaqon dot test nga Kina, Irani, Rusia.

Lufta në Gaza, Dritan Nesho: Zgjidhje brenda vitit të parë të Presidencës Trump

Donald Trump është zgjedhur Presidenti i 47 i SHBA ku kjo fitore konsiderohet historike për shkak të diferencës së thellë të votave elektorale që mori ndaj Kamala Harris.

Dritan Nesho në emisionin “Opinion” në Tv Klan ku puntatën e sotme është zhvendosur në SHBA, u shpreh se gjatë vitit të parë të Presidencës Trump do të gjendet një zgjidhje sa i takon çështjes palestineze në Gaza.

Ndërkohë sa i takon luftës në Ukrainë, Nesho tha se mund të kemi një zgjidhje të negociuar edhe pse në këtë rast çështja është më e vështirë.

Dritan Nesho: Brenda vitit të parë të Presidencës Trump do të ketë një zgjidhje për çështjen palestineze në Gaza sepse sekreti është ardhja e Arabisë Saudite për të garantuar sigurinë e Izraelit brenda në territoret palestineze. Ky do të jetë garantimi. Duhet një garantor i jashtëm që çfarë ndodhi në 7 Tetor të mos ndodhi më për Izraelin dhe këtu do të ketë edhe njohjen e Izraelit nga Arabia Saudite dhe një rikthim të akordeve të Abrahamit që është një nga ritet e mëdhaja të politikës së jashtme të Presidentit Trump në kohën e kaluar për të krijuar dhe për të zhvilluar ekonomikisht vendin.

Blendi Fevziu: Po problemi i Ukrainës?

Dritan Nesho: Edhe për Ukrianën mendoj që do të ketë një zgjidhje të negociuar. Mbase njohja e Krimesë për Rusinë dhe ikja e trupave ukrainase nga Rusia në shkëmbim për territoret që ka pushtuar Rusia. Mbase mund të jetë një urë nëpërmjet Krimesë dhe Rusisë që kalon në jug të Ukrianës. Trumpi do të përpiqet të gjejë një zgjidhje dhe në proces të tërheq Rusinë nga miqësia e saj me Kinën, kundrejt perëndimit duke normalizuar Putinin. Ky është një proces që ka shumë rreziqe për Ballkanin dhe sidomos për faktorin shqiptar në Ballkan dhe ka rreziqe për Ukrainën. Gjeorgjinë dhe vende që janë satelitë të Rusisë, por është një rokadë e madhe gjeopolitike që vetëm Trump mund ta bëjë në stilin e tij

Ndikimi i Trump në Shqipëri? Nesho: Rreziku më i madh, nga lidhjet e politikanëve me Kushner

Emisioni “Opinion” në Tv Klan është “zhvendosur” kësaj radhe në New York në qendër të së cilës janë zgjedhjet Presidenciale 2024 në SHBA.

I ftuar për të diskutuar mbi rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe asaj që mund të ndikojë në politikën e jashtme SHBA-Shqipëri ka qenë Dritan Nesho

Gjatë fjalës së tij, Nesho ka thënë se zgjedhja e Trumpit si President i SHBA-së ka disa faktorë pozitivë, por edhe negativë që lidhen me Shqipërinë.

Rreziku më i madh për Neshon, qëndron nga influenca që vjen nga vetë brenda Shqipërisë dhe lidhjet që sipas tij kanë disa aktorë politikë me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner.

Blendi Fevziu: Çfarë mund të ndodhë për Shqipërinë, çfarë mund të ndryshojë?

Dritan Nesho: Ka disa faktorë pozitivë dhe disa faktorë negativë. Faktorët pozitivë janë eksperienca e skuadrës së Trumpit dhe kush përflitet se kush do të vijë në Departamentin e Shtetit dhe atë Mbrojtjes.

Blendi Fevziu: Çfarë shansesh ka të vijë Richard Grenell, Sekretar Shteti?

Dritan Nesho: Asnjë shans. Do të thosha një gjë: Rreziku më i madh qëndron nga influenca që vjen nga vetë brenda Shqipërisë dhe lidhjet që kanë disa aktorë politikë me dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner dhe luhatja ose mungesa e konsenguencës së tyre për pavarësinë e Kosovës. Ky është rreziku më i madh me Trumpin.

Blendi Fevziu: Ju e mendoni vërtetë rrezik këtë?

Dritan Nesho: Duhet të shikojmë tek vetë përfaqësuesit tanë që kemi zgjedhur dhe jo tek administrata e Trump sepse thembra e Akilit e sistemit amerikan kur vjen tek politika e jashtme janë Lekët që vijnë nga jashtë dhe nga lobingu dhe lidhjet transaksionale që Trump të paktën i pranon.

Kush është Donald Trump!

/tvklan.al