Për akuzat nga qelia të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj ndaj prokurorit Olsi Dado, ka reaguar këtë të Martë Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP). Në një njoftim zyrtar, KLP thotë se SPAK e prokurorët janë gjendur nën sulme e etiketime denigruese të vazhdueshme, të cilat cenojnë integritetin e drejtësisë shqiptare.
“KLP shpreh shqetësimin për fushatën e vazhdueshme të sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi dhe në veçanti ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Olsi Dado. Deklarata të artikuluara jo vetëm nga disa segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të përfshirë në hetime ose të akuzuar prej tyre, përfshirë zyrtarë të lartë, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare. Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës.”
Këshilli i Lartë i Prokurorisë bën thirrje që çdo pretendim, akuzë apo ankesë ndaj një prokurori, të trajtohet në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit institucional. Për raportimet në media, rithekson rëndësinë e respektimit të standardeve etike duke siguruar paanshmërinë në informimin e opinionit publik.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë qëndron në mbështetje të prokurorit Olsi Dado dhe të gjithë prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, që ata të ushtrojnë funksionin e tyre në përputhje me ligjin, si e vetmja garanci që drejtësia të funksionojë mbi bazën e fakteve, provave dhe procesit të drejtë ligjor”, shkruhet në mbyllje të reagimit të KLP.
Kujtojmë se:
Jo më larg se dje, Erion Veliaj pretendoi se Olsi Dado e kishte ofenduar me fjalën “ndyrësirë” në sallën e gjyqit. Kjo akuzë u mohua nga ana e SPAK dhe GJKKO-së, ndërsa është publikuar edhe audio-regjistrimi për seancën në fjalë (videoja më poshtë).
/tvklan.al