Dy nga udhëheqësit më të rëndësishëm politikë në glob u takuan të Hënën (24 Shkurt) në Washington. Donald Trump dhe Emmanuel Macron këtë herë i bëri bashkë lufta në Ukrainë dhe çdo lloj zhvillimi lidhur me të. Edhe pse biseda mes tyre ruajti tone të qeta e që në pamje të parë tregojnë “një raport të mirë”, mediat e huaja shkruajnë se ka pasur një lloj qortimi nga ana e Presidentit francez drejtuar atij amerikan. Por pse?

Së pari, trupat paqeruajtëse të Evropës

“Presidenti rus Vladimir Putin do të pranojë trupat paqeruajtëse evropiane si pjesë e marrëveshjes për paqen”, ka thënë Trump. “Shiko, nëse ne bëjmë këtë marrëveshje, ai s’do kërkojë luftë më! E kam pyetur konkretisht dhe ai s’ka asnjë problem me trupat në kuadër të misionit paqeruajtës”, ka shtuar ai duke zbuluar pak nga bisedat e tij me homologun rus.

Takim me fokus Ukrainën

Por Macron, është tejet skeptik në këtë pikë. Pavarësisht sigurisë që Trump ka në ato çfarë thotë, mbetet e paqartë nëse trupat evropiane do të vendosen brenda zonave që aktualisht janë të pushtuara nga Rusia dhe a do ndalojnë sulmet ajrore.

Së dyti, ndihma financiare ndaj Ukrainës

Të dy të gatshëm të punojnë për të ardhmen e Ukrainës, por a po mashtron Trump lidhur me përpjekjet e tij?! Mineralet e Kievit do jenë formë “shlyerjeje” apo huazim financiar siç Trump e quan? Në thelb, qindra bilionë dollarë nga mineralet janë njëfarë shpagimi i gjithë ndihmës ushtarake amerikane.

Është para e madhe”, tha Trump. “Që ta kuptosh, Evropa po i jep borxh Ukrainës. Ata do i marrin mbrapsht ato fonde”, shtoi ai …E para se të vijonte më tej, Macron e ka kapur nga krahu duke i thënë: “Jo në fakt, që të jemi të drejtë, ne kemi paguar 60% të përpjekjes totale!” Kështu, Macron ia dha përgjigjen Kreut të Shtëpisë së Bardhë për pretendimet që ai ka lidhur me nivelin e fondeve që janë dhënë. Pra sipas Trump, Amerika ka dhënë shumë më shumë se Evropa.

A është zemëruar Trump me “mikun” e dikurshëm?!

“Nëse ti e beson këtë gjë, është ok për mua. Ata i marrin mbrapsht paratë e tyre, por ne jo”, i tha ai presidentit të Francës.

Së treti, asetet e ngrira ruse

“Ne kemi 230 mld dollarë asete të ngrira, asete ruse. Por kjo nuk është kolateral, s’është pronë e jona”, tha Macron. “Tani, përgjegjësi është Rusia se ajo e bëri agresionin”, duke iu përgjigjur sërish deklaratës së mëparshme të Trump që thotë se “luftën e nisi Ukraina”.

“Do doja të takoja Zelenskiyn. Do takohemi këtë javë ose gjatë javës që vjen në Zyrën Ovale. Jemi pranë marrëveshjes finale”, vijoi Trump.

Foto e denjë për meme…Macron nuk e kursen Trumpin, ky i fundit mezi mban veten

Mbase i revoltuar disi me qëndrimin e Macron, Trump nuk la pa thënë se “kjo situatë mund të përshkallëzojë edhe në Luftë të Tretë Botërore, gjë që nuk e duam”.

“Duhej ndaluar që javën e parë, jo pas 3 vitesh”, theksoi ai.

Edhe pse në vija të trasha takimi shkoi mirë, duart që u shtrënguan mes tyre vetëm sa nënvizuan tensionet e saponisura transatlantike mbi të ardhmen e Ukrainës.

E.D/tvklan.al