Një nga vrasjet e bujshme në qytetin e Elbasanit është edhe ajo e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Nuredin Dumani tregoi në dëshmitë e tij në seancën gjyqësore të dosjes “Plumbi i artë”, se kishte bërë me Erjon Alibejn, vëllain e Indrit Alibejt të vrarë në masakrën e Bradasheshit, një listë me emrat e kundërshtarëve. Mes tyre edhe Emiljano Ramazani dhe Regis Runaj.
Lista në fjalë niste me emra nga Durrësi, për të përfunduar më pas në Elbasan. I pyetur në sallën e gjyqit për vrasjen e Emiljano Ramazanit, Dumani tha se u ekzekutua sepse e kishin më të lehtë për ta bërë diçka të tillë.
“Pasi ikëm nga Durrësi kishim disa emra për të vrarë, në verë të 2020-ës. Ishin shumë emra për t’u vrarë. Nuk kishte radhë, kush të dilte në rrugë do vritej. Emiljano Ramazanin e kishim me të lehtë për ta vrarë dhe u vra ai”, tha Dumani në gjyq.
Për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, janë dënuar më herët Euglen Halili dhe Xhulian Hoxha.
Kujtojmë se dëshmitë e Nuredin Dumanit kanë zbuluar një sërë ngjarjesh të rënda kriminale që për vite me radhë kishin mbetur të pazbuluara./tvklan.al