Tatimet: 52 mijë biznese kanë dorëzuar numrat e llogarive
Të gjitha detyrimet ndaj administratës tatimore dhe pagat e punonjësve tashmë do të jenë të detyruara që të kalojnë përmes bankave. Fillimi i javës së parë të muajit Nëntor, ishte edhe afati i fundit ku të gjitha subjektet tregtare, përfshirë edhe organizatat jo fitimprurëse do të duhet të dorëzonin numrin e llogarisë bankare pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Deri tani janë 52 mijë tatimpagues që kanë bërë dorëzimin e numrit të llogarisë bankare, ndërsa ka dhe një pjesë që materialin e kanë dorëzuar në formë shkresore. Deri në momentin që do të bëhet verifikimi, asnjë prej bizneseve nuk do të penalizohet.
Pas përpunimit të materialeve të dorëzuara në formë shkresore, tatimet do të vendosin gjoba për subjektet që nuk kanë dorëzuar numrat e llogarisë. Penaliteti është 50 mijë lekë për personat fizikë dhe 100 mijë lekë, për ata juridikë.
Detyrimi për hapjen e llogarisë bankare përfshin edhe tatimpaguesit e rinj, apo atë të që kalojnë si subjekte me TVSH, të cilët duhet ta deklarojnë llogarinë deri në 20 ditë pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose ndryshimit të statusit.
Tv Klan