Korea e Veriut i ka ndaluar turistët që të udhëtojnë drejt saj, vetëm pak javë pasi vizitorët perëndimorë hynë për herë të parë pas 5 vjetësh.
Korea e Veriut u mbyll në fillim të pandemisë së Covid-19 në 2020 dhe nisi të lehtësonte kufizimet në mes të 2023. Ajo u hap ndaj vizitorëve rusë në 2024, por muajin e shkuar turistët u lejuan të hynin në qytetin periferik lindor, Rason.
Disa kompani turistike deklarojnë se uudhëtimet drejt këtij shteti janë anuluar deri në njoftim të dytë, raporton BBC. Kompanitë i kanë këshilluar udhëtarët që planifikojnë të udhëtojnë në periudhën prill-maj që të mos rezervojnë udhëtime derisa “të kenë më shumë informacion”.
Pyongyang nuk ka dhënë arsye për masën e papritur.
Më 20 shkurt, turistët e parë perëndimorë nisën të hynin në Rason, një qytet i veçuar si zonë speciale ekonomike për të testuar politikat e reja financiare.
Operatorët turistikë janë shprehur për BBC se lëvizjet e udhëtarëve ishin edhe më të kufizuara sesa para pandemisë, ata kishin më pak mundësi për të shëtitur dhe folur me vendasit. Sinjali telefonik dhe hyrja në internet nuk ishin të disponueshme.
Një guidë tha se dyshon që Rason është zgjedhur pasi zona është e vogël dhe e lehtë për t’u kontrolluar.
Këtë javë, një prej operatorëve deklaroi se po pranonte aplikime ndërkombëtare për Maratonën Pyongyang për herë të parë në 5 vjet. Eventi do të mbahet më 6 prill, por nuk dihet ende nëse do të vazhdojë.
Korea e Veriut u vizitua nga 350.000 turistë të huaj në vitin 2019, 90% e të cilëve kinezë./tvklan.al