Edi Rama ishte i ftuar në një nga sesionet e samitit të Davosit për të folur për turizmin. Në panelin e moderuar nga gazetari i njohur i “CNN”, Robert Quest, ai ishte përzgjedhur së bashku me Ministrin e Turizimit të Arabisë Saudite, si dy vende që kanë patur një rritje të numrit të turistëve vitet e fundit.
Dhe pyetja që Quest i bëri Kryeministrit Rama lidhej pikërisht me hapat që u ndërmorën për të arritur në këtë renditje, por dhe për sfidat që ka përpara turizmi shqiptar.
Edi Rama: Është sfidë e madhe pasi Shqipëria ka bukuri të pabesueshme dhe nga ana tjetër na duhet të kemi më shumë investime. Si ta ekuilibrosh këtë, ky është problem shumë i madh. Po rrisim nga njëra anë masën e zonave të mbrojtura dhe nga ana tjetër duke angazhuar arkitektë të jashtëzakonshëm ndërkombëtarë që të kemi projekte me cilësi të ndryshme me atë që kemi parë në rajon.
Ndërsa flet për shifrat e turistëve dhe hyrje-daljeve nga aeroporti i Rinasit, Rama përmend dhe investimet e mëdha që po bëhen për të patur turizëm elitar e një nga këto është dhe investimi i dhëndrit të Presidentit Trump në ishullin e Sazanit.
Edi Rama: Vitin e shkuar e mbyllëm pothuajse 12 milionë turistë në një vend që ka 2.8 mln banorë. Aeroporti ka pasur një rritje të trafikut të jashtëzakonshëm, po hapim një të ri në Vlorë. Turizmi për ne është një industri e re që po e ndërtojmë dhe nga e cila po shohim zhvillim të jashtëzakonshëm që nga hapja e maleve tona për turistët që duan të ngjiten, apo me propozime si Jared Kushner për të ndërtuar e zhvilluar deri tek një nga kompanitë më të mëdha të Lindjes së Mesme që po ndërton një port turistik. Kështu që nuk ka asnjë shans ta minojmë turizmin, ai është kali ynë i betejës.
Kur u pyet se kush ishte vendi që do donte të vizitonte këtë vit, Ministri Saudit i Turizmit përmendi Shqipërinë. Ndërsa gazetari Quest pranon se ka vizituar Shqipërinë në kohën e regjimit komunist, çka u bë shkas për shkëmbim batutash me Kryeministrin Rama.
Robert Quest: Kam qenë në atë kohë në Shqipëri.
Edi Rama: Atëherë, paske qenë pjesë e agjensive jo dashamirëse me vendet demokratike sepse askush nuk mund të hynte, ose ke qenë marksist-leninist.
Robert Quest: Jo, luante Anglia me Shqipërinë, kështu që na lejuan…
Edi Rama: S’jam i sigurt Richard, po kush nuk ka asgjë për të fshehur?!….
Tv Klan